Lidhje

Shumica socialiste forcon rregulloren e Kuvendit. Krasniqi: Duhen zgjidhje me dialog


Shumica socialiste miratoi sot brenda pak minutash, në mesin e protestave dhe flakadanëve të deputetëve opozitarë, disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit, ku parashikohet përjashtimi i deputetëve deri dy muaj nga veprimtaria parlamentare.

Shumica socialiste forcon rregulloren e Kuvendit. Krasniqi: Duhen zgjidhje me dialog
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Një grup deputetësh opozitarë protestuan edhe sot në hyrje të Kuvendit dhe brenda në seancë plenare, duke kërkuar komisione hetimore mbi korrupsionin e dyshuar të qeverisë, por socialistët theksuan se me këto sjellje ata po përpiqen t’ia fshehin drejtësisë ish kryeministrin Sali Berisha, si person nën hetim për një aferë korruptive konkrete.

Studiuesi Afrim Krasniqi pohoi për Zërin e Amerikës se kërkesa për komisione hetimore është e drejtë, por rruga e zgjedhur nga opozita është e gabuar, ndaj duhet dialog dhe negociata për zgjidhje me mirëkuptim.

Në mesin e protestave të disa deputetëve opozitarë brenda dhe jashtë Kuvendit, shumica socialiste miratoi pesë ligje të reja si dhe forcoi masat e rregullores parlamentare me përjashtime nga një muaj deri në dy muaj të atyre që përdorin tymuese dhe mjete piroteknike apo atyre që ushtrojnë dhunë ndaj deputetëve të tjerë, minitrave dhe punonjësve të shërbimit.

Opozita tha se ndryshimet e sotme të rregullores do t’i ankimojë në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa socialistët përsëritën se këto situata tensioni artificial krijon vetëm për të fshehur ish kryeministrin Sali Berisha nga drejtësia, që e ka person nën hetim për aferën korruptive të ish klubit sportiv Partizani.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, dr. Afrim Krasniqi, thotë se situata në Kuvend nuk është krizë e rregullores apo procedurave parlamentare mbi funksioimin e seancës.

Kjo është një krizë politike në raportin se sa shumica i ofron opozitës dhe se sa kërkon kjo e fundit në sistemin përfaqësues, e për të gjithë këto nevojitet dialog dhe ndërmjetësim. Ndryshimet e reja në rregullore janë tregues force, por nuk janë tregues i ndonjë zgjidhje konstruktive, tha Zoti Krasniqi.

“Gjatë 4 seancave të fundit janë përjashtuar rreth 55 deputetë nga procedurat parlamentare dhe fakti që ata përjashtohen në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo nuk ka efekt në funksionimin e parlamentit, do të thotë se nuk është penalizimi dhe përjashtimi zgjidhja për të shkuar tek një parlament normal, por është dialogu politik, sjellja konstruktive dhe është e habitshme se si grupe parlamentare nuk negociojnë, është e habitshme se si drejtuesit e Kuvendit nuk iniciojnë nje debat në byronë e parlamentit, në konferencën e kryeatarëve dhe në struktura të tjera përgjegjëse dhe është e habitshme se si 3 deputetë të shumicës përjashtojnë pothuajse gjysmën e opozitës, me propozimin e kolegëve të tyre”, tha zoti Krasniqi.

Nga një vëzhgim shumëvjeçar i Institutit të Studimeve Politike doli se ndryshimet e rregullores e bëra me mirëkuptim dhe grupe të përbashkëta janë ato më jetëgjatat dhe më të dobishmet, ndërsa ndryshimet e njëanshme janë më të padobishmet dhe më jetëshkurtërat.

Zoti Krasniqi thotë se edhe tani përsëritet sëmundja e hershme e politikës shqiptare, që nuk zbaton ligjin, por ia përshtat ligjin vetes së vet.

Ai mendon se opozita ka të drejtë në kërkesën për komisione hetimore, por opozita ka gabuar në strategjinë e saj për të tërhequr vëmendjen me protesta të përsëritura e të ngjashme e ka tejkaluar vijën e kuqe të lejueshme në politikë dhe mund të kthehen në bumerang për atë që i organizon.

“Mekanizmi i komisioneve parlamentare është i panegociueshëm. Palët mund të ankiminojnë në Gjykatën Kushtetuese por palët nuk mund të refuzojnë hetimin e pushtetit ekzekutiv, që është një nga përgjegjësitë kryesore parlamentare. Rruga që ka zgjedhur opozita për të ngritur zërin dhe idetë e veta është gabuar, sepse është në kundërshtim me gjithë standartet etike te jetës parlamentare të një vendi që pretendon për të qenë demokraci funksionale”, tha zoti Krasniqi.

Vëzhgues të jetës politike të Shqipërisë besojnë se refuzimi i komisioneve hetimore shkel një pari kushtetues, por kjo nuk mund të përdoret nga individë ër nevojat e ditës.

Praktikat më të mira të BE-së, sipas tyre, tregojnë se rregullorja ndryshohet me grupe të përbashkëta pune dhe jo me akte të njëanshme force, ndaj palët duhen ulur në dialog që të gjejnë zgjidhje politike për t’i mundësuar opozitës përfaqësimin në sistemin politik si dhe për të bërë Kuvendin një institucion kushtetues funksional.

XS
SM
MD
LG