Lidhje

Vullnetarët e Korpusit Paqes në Shqipëri, betohet një grup i ri


Në Shqipëri, një grup i ri prej 35 vullnetarësh amerikanë të Korpusit të Paqes, bënë betimin në një ceremoni festive dhe u shpërndanë në gjithë vendin për të ndihmuar dy vjet në sistemin shëndetësor dhe arsimor.

Vullnetarët e Korpusit Paqes në Shqipëri, betohet një grup i ri
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Vullnetarët e Korpusit të Paqes jetojnë në familje vendase dhe janë të njohur prej më shumë se 30 vjetësh për ndihmesën në shumë fusha; nga mjedisi e bujqësia, deri te arsimi dhe ekonomia.

Grupi më i ri i vullnetarëve amerikanë të Korpusit të Paqes, teksa kërcejnë disa valle shqiptare nga zona të ndryshme të Shqpërisë.

Ata kanë mësuar brenda një kohe të shkurtër vallet dhe këngë shqiptare, si dhe komunikojnë lirshëm gjuhën shqipe.

Në një mjedis festiv me folklor vendas në prani të familjeve pritëse shqiptare, 35 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes nisën sot shërbimin dyvjeçar në sistemin arsimor dhe shëndetësor të Shqipërisë.

Së bashku me kolegët shqiptarë, ata do të punojnë si mësues të gjuhës angleze si dhe në edukimin shëndetësor të shpërndarë gjithë territorin e vendit.

Vullnetarët bashkëpunojnë ngushtë me bashkitë, organizatat rinore dhe të shoqërisë civile.

Në këtë ceremoni betimi u theksua përkushtimi i vullnetarëve të Korpusit të Paqes gjatë veprimtarive në Shqipëri, ku edhe jetojnë së bashku në familjet vendase, gjatë kohës që japin ndihmesë për ndryshime pozitive dhe zhvillim të qëndrueshëm nëpër komunitete.

“Iu kërkoj të hapni zemrat tuaja, të bashkoni duart me fqinjët shqiptarë dhe familjet pritëse, të ëndërroni arritje të mëdha dhe të mbërrini rezultate që kurrë më parë nuk ishin të mundshme”, thotë Megan Wilson, drejtuese e Korpusit të Paqes për Shqipërinë dhe Malin e Zi.

I ngarkuari me punë i SHBA-ve në Shqipëri, David Wisner, tha se vullnetarët e rinj me siguri do të mësojnë vet nëpër Shqipëri historinë e pasur të miqësisë së ngushtë shqiptaro-amerikane si dhe rezultatet e punës së vullnetarëve të mëparshëm.

“Në frymën e kësaj miqësie këta 35 amerikanë vullnetarë do të punojnë, do të jetojnë, dhe do të shërbejnë në Shqipëri në emër të popullit amerikan”, tha i Ngarkuari me Punë i SHBA-ve, Wisner.

Ai i cilësoi vullnetarët si shprehja më e mirë e miqësisë së hershme shqiptaro - amerikane dhe se ata do të shkëmbejnë vlerat më të mira me komunitetet e banorëve, ku do të punojnë.

Ky është grupi i 25 i vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Shqipëri. Vullnetarizmin e tyre në Shqipëri e ndërprenë përkohësisht trazirat e vitit 1997 dhe pandemia Covid pak kohë më parë.

Nga viti 1991 e në vazhdim ata kanë ardhur me ftesë të qeverive ndër vite, banojnë në shtëpitë e vendasve dhe bashkëpunojnë me komunitetet në çështje të mjedisit, bujqësisë, arsimit, ekonomisë.

XS
SM
MD
LG