Lidhje

Cameron: Britania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në fushën e sigurisë dhe njohjeve ndërkombëtare


Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron tha sot se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në fushën e sigurisë dhe anëtarësimin e saj në forumet ndërkombëtare në një periudhë pasigurie ndërkombëtare.

Zoti Cameron i bëri këto komente gjatë vizitës në Prishtinë, e para që kur mori postin e sekretarit të jashtëm në qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak.

“Siç e shohim në lajmet sot, ne jetojmë në botën e pasigurisë së madhe, të paqëndrueshmërisë së madhe, në botën e konfliktit të madh dhe është koha kur vende si Britania duhet të mbështesin miqtë, të punojnë ngushtë me aleancat e rëndësishme dhe duke investuar në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por tani po tregojnë qëndrueshmëri dhe përparim të madh. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe kjo është arsyeja pse ne dëshirojmë të vazhdojmë të punojmë me ju”, tha të enjten sekretari britanik në një konferencë shtypi përkrah ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Sekretari britanik takoi edhe trupat shtesë nga vendi i tij që u vendosën në terren në vjeshtën e vitit të kaluar, pas një sulmi mbi policinë e Kosovës me 24 shtator nga një grup serbësh të armatosur, që nxiti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.

Cameron: Britania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:47 0:00

"Ajo që ndodhi në shtator ishte jashtëzakonisht shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar që kjo të ndodhë përsëri dhe për ta luftuar atë nëse përsëritet. Kosova është një vend i pavarur, sovran që dëshiron qëndrueshmëri, siguri, do përparim dhe Britania po ndihmon për të gjitha këto dhe është e drejtë që e bëjmë këtë. Qëndrueshmëria në Ballkan, siguria në Ballkan, ndalimi i atyre që duan të krijojnë destabilitet dhe të krijojnë probleme, është një interes i drejtpërdrejtë kombëtar britanik”, tha sekretari Cameron, vendi i të cilit ka 600 trupa në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it.

Zoti Cameron shërbeu si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar nga viti 2010 e deri në vitin 2016 kur vendi i tij u largua nga Bashkimi Evropian.

“Kur ishim në BE më kujtohen shumë net të gjata duke debatuar për rëndësinë e njohjes së sovranitetit dhe pavarësisë suaj, dhe mbështetjen e vendit tuaj. Jam krenar që mbajtëm këtë qëndrim”, tha sekretari Cameron gjatë një darke pune me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të cilin e siguroi për vazhdimin e mbështetjes britanike.

Mbretëria e Bashkuar ishte ndër vendet e para që njohën pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, e cila kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Të dyja vendet ballkanike që nga viti 2011 janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve por ky normalizimin duket ende i largët.

XS
SM
MD
LG