Lidhje

Kirby: Grupi Rezistenca Islamike në Irak, fajtor për sulmin me dron ndaj trupave amerikane


Shtetet e Bashkuara ia atribuojnë sulmin me dron një grupi ombrellë të mbështetur nga Irani që përfshin grupin militant Kataib Hezbollah.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, thotë se SHBA-të besojnë se sulmi u planifikua, financua dhe mundësua nga grupi.

Gjatë sulmit me dron të dielën në një bazë ushtarake në Jordani u vranë tre trupa amerikanë dhe u plagosën të paktën 40 të tjerë.

Zoti Kirby tha të mërkurën se presidenti Joe Biden do të vazhdojë të peshojë opsionet e reagimit ndaj sulmit.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiten për "veprime të shumëfishta" në përgjigje të një sulmi me dron nga militantët e mbështetur nga Irani, që shkaktoi vrasjen e tre ushtarëve amerikanë, "Kataib Hezbollah", një nga grupet më të fuqishme në Irak, që mbështetet nga Irani, njoftoi se po pezullonte të gjitha operacionet ushtarake kundër forcave amerikane në rajon.

Presidenti amerikan Joe Biden tha të martën se ai ka vendosur se si do t'i kundërpërgjigjet administrata e tij sulmit me dron nga militantët e mbështetur nga Irani, ndaj një bazë amerikane në Jordani. Gjatë sulmit të së dilës u vranë tre ushtarë amerikanë dhe u plagosën 40 të tjerë.

Ky ishte incidenti i parë që shkaktoi viktima në mesin e ushtarëve amerikanë në Lindjen e Mesme, që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës më 7 tetor.

Grupi Rezistenca Islamike në Irak, që mbështetet nga Teherani, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në bazën pranë kufirit të Jordanisë me Irakun dhe Sirinë. Pentagoni tha se sulmi ka "gjurmët" e militantëve irakianë të grupit “Kataib Hezbollah”, mbështetur nga Irani.

Të mërkurën Irani kërcënoi se do t'i përgjigjej me vendosmëri çdo sulmi të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara ndaj Republikës Islamike.

Zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet se çdo sulm shtesë amerikan mund të ndezë më tej rajonin tashmë të tronditur nga lufta e Izraelit ndaj Hamasit në Rripin e Gazës, si dhe sulmet e vazhdueshme nga rebelët Houthi të Jemenit, ndaj anijeve në Detin e Kuq. Uashingtoni i futi sërisht Houthit, në listën e grupeve terroriste.

Të martën vonë një destrojer i marinës amerikane rrëzoi një raketë me vetëdrejtim të lëshuar nga rebelët Houthi. Sulmi i fundit synonte forcat amerikane që patrullojnë korridorin kryesor detar që përdoret për tregti.


I pyetur nëse ky reagim i ardhshëm amerikan me të vërtetë do ta frenonte Iranin, zoti Biden tha: "Do të shohim". Grupet e mbështetura nga Irani kanë kryer më shumë se 160 sulme ndaj objekteve ushtarake amerikane në rajon, pavarësisht sulmeve hakmarrëse nga Uashingtoni. Rebelët e grupit Houthi, një tjetër organizatë e mbështetur nga Teherani, kanë vazhduar gjithashtu sulmet e tyre me raketa dhe dronë kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq, pavarësisht nga sulmet e shumta ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj sistemeve të tyre të lëshimit të raketave në Jemen.

Presidenti Biden nënvizoi atë që ai dhe zyrtarët e tij kanë thënë vazhdimisht, se Uashingtoni nuk dëshiron një zgjerim të konfliktit.

"Unë nuk mendoj se ne kemi nevojë për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme. Kjo nuk është ajo që unë po kërkoj", tha ai.

Është e vështirë të gjendet një reagim ushtarak, që do të frenonte sulmet e mëtejshme të grupeve të mbështetura nga Irani dhe njëkohësisht do të shmangte mundësinë e përhapjes së luftës në rajonin e Lindjes së Mesme. Duke folur me gazetarët në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se parimi udhëzues është degradimi i aftësive të grupeve për të sulmuar trupat dhe objektet amerikane dhe dërgimi një "sinjali të fortë për mbështetësit e tyre" në Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.

"Presidenti do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbrojtur trupat tona, objektet tona dhe sigurinë tonë kombëtare ... interesat tona në rajon", tha ai, duke shtuar se urdhri i Presidentit Biden do të jetë një "qasje me nivele të ndryshme" që mund të përfshijë "veprime të shumta".

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kryer raunde të shumta sulmesh ajrore që kanë patur si objektiv rebelët Houthis, ndërsa luftanijet aleate patrullojnë korridoret ujore. Bashkimi Evropian planifikon të nisë një mision detar në Detin e Kuq brenda tre javësh për të ndihmuar në mbrojtjen e anijeve të mallrave që sulmohen nga rebelet e Houthit, tha të mërkurën një zyrtar i lartë i bllokut.

XS
SM
MD
LG