Një grup organizatash të shoqërisë civile të serbëve të Kosovës i kërkuan të enjten qeverisë që të përmbahet nga veprimet e njëanshme ndaj serbëve dhe të fillojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që do të siguronte siguri për serbët e Kosovës.
“Të gjitha lëvizjet pa zgjidhjen më parë të statusit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe janë dhe do të konsiderohen të përshkallëzuara, prandaj qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të angazhohet për zgjidhjen e statusit dhe formalizimin e Asociacionit dhe të ndalojë të gjitha lëvizjet e tjera që synojnë të bëjnë punën e institucioneve serbe në Kosovë më të vështirë, para se t'u ofrojë atyre një alternativë në formën e këtij detyrimi ndërkombëtar të Kosovës”, tha Jovana Radosavljeviç nga organizata Nisma e Re Sociale.
Kërkesa e tyre pasoi disa operacione të institucioneve të Kosovës javëve të fundit për, siç u tha, mbylljen e zyrave të strukturave paralele të Serbisë, që kanë vepruar brenda Kosovës dhe shqetësimet me rregulloren e Bankës Qendrore që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që hyri në fuqi me 1 shkurt, sipas të cilit euro është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të udhëheqësve të Serbisë të cilët thanë se qëllimi i tij është “përndjekja e serbëve të Kosovës” të cilët marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë, i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe.
Kjo çështje pritet të jetë temë e diskutimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç sonte në Nju Jork gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që është thirrë me kërkesë të Serbisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në disa raste kërkuan nga qeveria e Kosovës që të pezullohet zbatimi i vendimit të Bankës Qendrore menjëherë duke shfaqur shqetësimin se çështja mund të nxisë tensione të reja.
Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka thënë se kërkesa e tyre është e qartë, një shtyrje e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore deri sa të vendoset një strategji e mirë për të zbutur ndikimet në popullatën e cenueshme, ndërsa ka paralajmëruar pasoja në partneritetin me Shtetet e Bashkuara në rast se autoritetet nuk marrin parasysh këshillat e tyre.
Autoritetet në Kosovë janë pajtuar për një periudhë kalimtare për të sqaruar dhe shmangur paqartësitë rreth rregullores së Bankës Qendrore që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë ndërsa kanë kërkuar të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për këtë çështje, por udhëheqësit serbë kanë hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke theksuar se kjo do të nënkuptonte njohje të pavarësisë së Kosovës që Serbia vazhdon ta kundërshtojë.