Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitrevski e nënshkroi të mërkurën dekretin për zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Ashtu siç janë marrë vesh partitë politike disa javë më parë, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa ato parlamentare më 8 maj të këtij viti. Nëse do të jetë i nevojshëm, një raund i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahej më 8 maj. Sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, zgjedhjet parlamenatre duhen mbajtur në 90 ditët e fundit para përfundimit të mandatit të deputetëve aktualë.
Zgjedhjet presidenciale mbahen një herë në pesë vjet, ndërsa ato parlamentare një herë në katër vjet.
Zoti Mitrevski tha se pret në këtë periudhë parazgjedhore nga institucionet përkatëse dhe të gjitha subjektet politike të përfshira në proces që të japin kontributin e tyre për zgjedhje të drejta dhe demokratike.
“Në një nivel siç e meriton një shtet demokratik, anëtar i NATO-s, që po e bën rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, theksoi kreu i pushtetit legjislativ, Mitreski.
Partitë kryesore politike nuk kanë shpallur emrat e kandidatëve të tyre për garën presidenciale, ndërkohë që burime brenda Lidhjes Social Demokrate flasin për mundësinë e rikandidimit të zotit Stevo Pendarovski për një mandat të dytë, por janë përmendur edhe emrat e ish-minstrit të Rendit, Oliver Spasovski dhe të Sekretarit të partisë, Mile Zeçeviç si kandidatë të tjerë të mundshëm.
Ndërkohë mediat e afërta me partinë kryesore të opozitës, VMRO-DPMNE theksojnë mundësinë e daljes në garë të ligjvënëses Gordana Siljanovska apo të zyrtarit tjetër partiak, Aleksandar Spasenovski, por as njëra dhe as partia tjetër nuk kanë bërë komente lidhur me këto pohime. Zonja Siljanovska ishte kandidatja e VMRO-DPMNE-së edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale por i humbi në garën ndaj zotit Pendarvski, të cilin në raundin e dytë e votoi edhe një pjesë e mirë e elektoratit shqiptar.
Partitë shqiptare ende nuk kanë njoftuar nëse do të garojnë me kandidatë të tyre apo do të mbështesin që në raundin e parë një nga kandidatët e partive maqedonase.
Ish-kryeministri dhe kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski nuk e ka përjashtuar mundësin e një koalicioni, ku do të përfshihej edhe Bashkimi Demokratik për Integrim dhe krahu i Aleancës për Shqiptarët i drejtuar nga Ziadin Sela për zgjedhjet parlamentare. Por drejtuesit e partive shqiptare nuk kanë folur publikisht mbi planet e tyre zgjedhjet parlamentare.