Lidhje

Mali i Zi, katër të vdekur nga zjarri në qytetin bregdetar të Tivarit


Zjarri në lagjen e romëve në Tivar
Zjarri në lagjen e romëve në Tivar

Katër persona, ndër ta dy të mitur, vdiqën të enjten në një zjarr që përfshiu një vendbanim rom në qytetin bregdetar të Tivarit në Malin e Zi.

Policia bëri të ditur se “në orët e para të mëngjesit, pjesëtarët e Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit kanë njoftuar për një zjarr që ka rënë në një lagje të improvizuar, ku banon popullata rome”.

“Zjarri përfshiu disa ndërtesa dhe në vendngjarje ka mbërritur ekipi i zjarrfikësve, ku gjatë operacionit të shuarjes së zjarrit kanë gjetur katër trupa të paidentifikuar”, njoftoi policia malazeze.

Prokurorja Mirjana Tankosiç Vuçiniç, tha se treguesit fillestarë janë se një sobë me dru shkaktoi zjarrin në të cilin vdiqën katër persona, por se shkaku i saktë do të dihet pas gjetjeve të ekspertëve për zjarret dhe shpërthimet.

Për këtë rast reaguan shoqëria civile dhe Këshilli i Romëve, të cilët kritikuan zyrtarët e komunës për moskujdesje ndaj komunitetit rom.

"Unë nuk jam i befasuar; ne thjesht prisnim të ndodhte diçka e tillë sepse askush nuk kujdeset për romët në Tivar. Ekzistonte vetëm pikëpyetja se sa dëm do të kishte", tha Lilana Vukoviç, nga shoqëria civile “NVU Women of Bar”.

Këshilli i Romëve në Mal të Zi tha se kjo tragjedi tregon se sa e nevojshme është shpërngulja e familjeve rome nga lagjet e këtilla të improvizuara.

“Fakti që shumë familje detyrohen të jetojnë në baraka të parafabrikuara, pa kushte dhe siguri të mjaftueshme, është një problem serioz social. Pa mbështetjen dhe masat e duhura mbrojtëse, këto familje janë të ekspozuara ndaj një rreziku më të madh nga aksidentet, siç është ky zjarr”, tha kjo organizatë.

Këshilli i Romëve u bëri thirrje autoriteteve shtetërore që të përmirësojnë kushtet e banimit për popullsinë rome në Tivar dhe në mbarë Malin e Zi.

XS
SM
MD
LG