Lidhje

Shqipëri, ulet borxhi publik nën 60 për qind në një ekonomi me rritje dhe qëndrueshmëri


Në Tiranë, autoritetet bankare dhe financiare konfirmuan sot uljen e borxhit publik me ritmet më të shpejta në rajon.

Gjatë një mbledhje të FMN-së dhe Bankës Botërore, Shqipëria u vlerësua se ka një nga ekonomitë më të qëndrueshme të rajonit.

Ulja e borxhit publik nën nivelin 60 përqind u arrit për herë të parë pas 13 vjetësh, qysh nga viti 2011.

Shqipëri, ulet borxhi publik nën 60 përqind
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

Fondi Monetar dhe Banka Botërore kanë vlerësuar se ekonomia e Shqipërisë rezulton të jetë një nga më rezistentet në rajon, me një ecuri të mirë të financave, punësimit, dhe investimeve të huaja.

Banka Botërore dhe FMN zhvilluan sot mbledhjen e konstituencës, e cila u mbajt për herë të parë në Shqipëri. Autoritetet e financave shqiptare po hartojnë një strategji mbi Menaxhimin e Financave Publike, e cila është një nga parakushtet themelore në negociatat me BE-në.

Ministri i financave, Ervin Mete, theksoi në këtë tubim se për herë të parë pas 13 vjetësh borxhi publik u ul nën 60 për qind, me ritmet më të shpejta në rajon.

“Edhe në vlerësimet e Fondit Monetar dhe Bankës Botërore, Shqipëria rezultoi si një nga ekonomitë më rezistente në rajon dhe kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë, si edhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend. Kemi pasur një ecuri të mirë të ekonomisë, punësimit, të ardhurave dhe investimeve të huaja. Standard and Poor’s në fund të vitit të kaluar rishikoi perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme në positive”, thotë ministri Mete.

Një sfidë kryesore për t’u përmbushur nga Banka e Shqipërisë mbetet lufta kundër inflacionit, i cili së fundi ka shënuar një prirje në rënie, çka është parakusht për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve.

Guvernatori Gent Sejko theksoi se Shqipëria përgjysmoi inflacionin deri në 4 për qind dhe shënoi një rritje ekonomike 3.5 për qind, një normë papunësie në minimume historike, si dhe një borxh publik dhe borxh të huaj nën nivelet e para goditjeve financiare të jashtme.

“Viti 2023 është në rrugë të mbarë për të qenë viti me nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte, duke dëshmuar edhe njëherë atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion investimi. Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e saj në këtë histori suksesi. Ne kemi adresuar në kohë rritjen e inflacionit, duke nisur rrugën e një normalizimi gradual dhe të kujdesshëm të qëndrimit të politikës sonë monetare”, tha guvernatori Sejko.

Drejtuesit e financave të Shqipërisë besojnë se turizmi ka ndikuar këtë vit në qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, e cila po përballet në vazhdim me një seri goditjesh, si konfliktet ushtarake, pandemia dhe tërmeti.

Pjesë e sfidave ekonomike mbeten, sipas tyre, reformat në sistemin energjitik, punësimit dhe pensioneve, veçanërisht për të rinjtë, gratë e vajzat.

XS
SM
MD
LG