Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Izrael dhe konflikti në Rripin e Gazës


Members of the Al-Rabaya family break their fast during the Muslim holy month of Ramadan outside their home, destroyed by Israeli airstrikes, in Rafah, Gaza Strip, March 18, 2024.
Members of the Al-Rabaya family break their fast during the Muslim holy month of Ramadan outside their home, destroyed by Israeli airstrikes, in Rafah, Gaza Strip, March 18, 2024.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka rënë dakord të dërgojë një delegacion në Shtetet e Bashkuara për të diskutuar planin e ushtrisë izraelite për një operacion tokësor në Rafah, një qytet i mbipopulluar në Rripin e Gazës. Shtëpia e Bardhë e ka quajtur ‘të gabuar’ planin e Izraelit për operacion tokësor në Rafah. Ndërkohë, organizatat humanitare po paralajmërojnë për përkeqësim të gjendjes humanitare dhe urisë në Rripin e Gazës.

Marrëdhëniet SHBA-Izrael dhe konflikti në Rripin e Gazës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:47 0:00



Gjendja e rëndë në Rripin e Gazës ka rritur tensionet mes Uashingtonit dhe Jeruzalemit mbi hapat e ardhshëm në këtë konflikt.

Forcat izraelite të hënën hynë në spitalin më të madh të Gazës në një operacion që kishte në shënjestër një udhëheqës të lartë të Hamasit. Kryeministri Netanyahu tani po planifikon një operacion të madh tokësor në Rafah, një nga qytetet më të mbipopulluara të Gazës. Presidenti Biden ka thënë se është kundër një operacioni të tillë pa një plan politik dhe humanitar.

Gjatë një telefonate të hënën dy udhëheqësit ranë dakord për një takim të ekipeve të tyre në Uashington “në ditët e ardhshme” për të diskutuar situatën para se Izraeli të fillojë operacionin.

“Ne mendojmë se ka mënyra të tjera për Izraelin që të fitojë në këtë konflikt, për të siguruar të ardhmen e tij afatgjatë, për t’i dhënë fund kërcënimit terrorist nga Gaza dhe për të mos ndërhyrë me forcë në Rafah. Ne do të flasim në mënyrë të integruar për këtë rrugë në takimet e ardhshme mes delegacioneve tona”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan.

Kryeministri izraelit foli më gjerësisht për përmbajtjen e bisedës.

“Folëm për zhvillimet e fundit në këtë luftë, përfshirë angazhimin e Izraelit për të realizuar objektivat e luftës, shkatërrimin e Hamasit, lirimin e të gjitha pengjeve dhe premtimin që Gaza të mos jetë kurrë më një kërcënim për Izraelin. Biseduam edhe për ofrimin e ndihmës së nevojshme humanitare, që do të ndihmonte në realizimin e këtyre objektivave”, tha zoti Netanyahu.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi të hënën se çdo sekondë është e rëndësishme në këtë konflikt.

“Palestinezët po përjetojnë nivele të tmerrshme të urisë dhe vuajtjeve. Ky është numri më i lartë i njerëzve që përballen me uri katastrofike i regjistruar ndonjëherë nga Sistemi i Integruar i Klasifikimit të Sigurisë Ushqimore”, tha ai.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shkoi një hap më tej, duke përdorur një ton akuzues ndaj Izraelit.

“Kjo është e papranueshme. Uria po përdoret si armë lufte. Nuk bëhet fjalë për mungesë të furnizimeve”, tha ai.

Izraeli ka akuzuar militantët e Hamasit, të cilët vranë 1200 njerëz në një sulm më 7 tetor, që shkaktoi konfliktin aktual, se po pengon autokolonat e ndihmave.

Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara, garantuesja kryesore e sigurisë së Izraelit, do të nxjerrin mësime nga e kaluara dhe do të ushtrojnë trysni diplomatike para se të vendosin kushte për ndihmën ushtarake.

“Shtetet e Bashkuara, pas më shumë se 20 vitesh angazhimi në luftërat në Lindjen e Mesme, kanë arritur në përfundimin se pjesa ushtarake është vetëm fillimi, dhe se ajo që vërtetë ka rëndësi është kujdesi për popullsinë dhe aftësia për të bindur njerëzit se ekziston një rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë”, thotë Jon Alterman, Drejtor i Programit të Lindjes së Mesme në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Një strategji e ndërlikuar nga sulmi më i rëndë që Izraeli ka përjetuar në disa dekada.

“Në Izrael ende po diskutohet për kërcënimin që vjen nga Hamasi dhe se si mund të parandalohet një përsëritje e sulmit të 7 tetorit. Mendoj se në Izrael mbizotëron mendimi se pjesa dërrmuese e palestinezëve e mbështesin Hamasin, kështu që dhembshuria ndaj palestinezëve nuk shihet më si një gatishmëri për të bashkëjetuar, por thjesht për të ndihmuar të mbijetojnë njerëzit, të cilët në të ardhmen do të luftojnë kundër Izraelit. Nuk e di se si do të zgjidhet kjo çështje, por mendoj se Izraeli ka një historik të respektimit të ligjeve të luftës”, thotë eksperti amerikan Jon Alterman.

Por, ndërsa këto palë të fuqishme takohen larg zonave të luftës në Gazë, zyrtarët e ndihmave shtrojnë pyetjen se për sa kohë mund të vazhdojnë të jetojnë civilët në këtë gjendje të rëndë.

XS
SM
MD
LG