Lidhje

Turqia lufton krimin e organizuar për të përmirësuar imazhin e saj


Turkey Organized Crime
Turkey Organized Crime

Policia e Stambollit po përdor disa nga makinat sportive më të shtrenjta në botë si pjesë e përpjekjes së re të Turqisë për të goditur krimin e organizuar. Ankaraja shpreson t'u shpëtojë kritikave ndërkombëtare mbi çështjen e pastrimit të parave ndërsa po punon për të tërhequr investitorë të huaj.

Policia e trafikut në Stamboll tani ka disa nga makinat më të mira në botë.

Makinat janë sekuestruar në një operacion mbarëkombëtar ndaj grupeve të krimit të organizuar, të përfshira në trafikimin e narkotikëve dhe pastrimin e parave.

Turqia lufton krimin e organizuar për të përmirësuar imazhin e saj
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Analistët thonë se gjeografia unike e Turqisë e ka bërë atë një qendër ideale për krimin ndërkombëtar.

“Turqia ndodhet në mes të dy kontinenteve. Ata që duan të transferojnë një mall të paligjshëm, si drogën, duhet të punojnë me dikë këtu në Turqi. Dhe në këtë aspekt, shumica e bandave kriminale në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe në Amerikën e Jugut, kanë lidhje me ato këtu në Turqi”, thotë Murat Aslan nga Fondacioni për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale.

Shumë nga të arrestuarit janë figura ndërkombëtare të krimit, të kërkuara nga Interpoli, që vijnë nga Evropa, Azia dhe Shtetet e Bashkuara.

Analistët thonë se kontrollet e dobëta financiare të Turqisë e kanë bërë atë tërheqëse edhe për krimin e organizuar.

“Ejani, sillni para të gatshme, sillni diamante, nuk na intereson vërtet se ku i keni marrë ato. Thjesht raportojini në kufi, ose depozitojini në një bankë dhe ne nuk do t’u bëjmë asnjë pyetje. Kjo pjesa "nuk do t’u bëjmë asnjë pyetje", natyrisht, është plotësisht në kundërshtim me frymën e legjislacionit global kundër pastrimit të parave", thotë Atilla Yesilada nga organizata “GlobalSource Partners”.

Organizata ndërkombëtare kundër pastrimit të parave, Grupi i Punës për Veprimet Financiare, ose FATF, e vendosi Turqinë në listën e saj gri të vendeve që nuk e luftojnë pastrimin global të parave.

Goditja e krimit të organizuar nga ana e Turqisë, së bashku me forcimin e kontrolleve të saj financiare, janë pjesë e përpjekjeve për të hequr veten nga lista e shkelësve të këtyre rregullave dhe për të zvogëluar ndikimin e tij të dëmshëm ekonomik.

“Bankat komerciale dhe fondet globale ngurrojnë të bëjnë biznes me një vend që është ende në listën gri për shkak të shumë sanksioneve. Nëse ne mbetemi sërish në listën gri, mendoj se 20 për qind e institucioneve që do të ishin të interesuara të investonin në Turqi nuk do të ishin në gjendje ta bënin këtë nga frika e mungesës së respektimit të rregullave”, thotë analisti Atilla Yesilada.

Qeveria turke e sheh rritjen e investimeve ndërkombëtare si çelës për zgjidhjen e problemeve ekonomike të Turqisë. Kjo do të thotë se goditja ndaj krimit të organizuar ka të ngjarë të vazhdojë dhe policia e Stambollit mund të vazhdojë të marrë më shumë nga këto makina të bukura.

XS
SM
MD
LG