Lidhje

Korrupsioni, Dumani: Shqetësues bashkëpunimi i munguar nga institucionet publike

Altin Dumani, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme gjatë raportit për vitin 2023 në KLP
Altin Dumani, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme gjatë raportit për vitin 2023 në KLP

Në Shqipëri, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani, u shpreh sot i shqetësuar për numrin e ulët të referimeve nga institucionet publike mbi rastet e dyshuara për korrupsion apo krim të organizuar. Gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të aktivitetit të institucionit që ai drejton, zoti Dumani tha se gjatë vitit të kaluar ka patur vetëm 12 referime. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme foli për një rritje të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa tha se vlera e pronave dhe pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara gjatë 2023, arrin në një total prej afro 41.5 milionë euro

Dumani: Shqetësim se institucionet nuk po referojnë korrupsionin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, lufta kundër korrupsionit është një detyrë e përbashkët e të gjitha institucioneve që në punën e tyre e kanë përparësi këtë luftë, dhe se nuk mund të lihet që këtë ta bëjë vetëm Prokuroria. Në raportimin e tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, zoti Dumani foli për një situatë problematike: “Duhet nënvizuar se bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organzuar, është shqetësues. Nisur nga numri i referimit të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar Policinë e Shtetit, ky numër është mjat i ulët për vitin 2023, me vetëm 12 raste të referuara. Referimet nga këto institucione kanë një tendencë të fortë rënie që shkon deri në 40 përqind, krahasuar me vitin 2022”.

Gjatë vitit 2023 nuk rezulton të ketë patur asnjë referim të vetëm nga doganat apo tatimet. Zoti Dumani tha se shumë institucione kanë struktura për luftën kundër korrupsionit dhe se ai pret që këto struktura të furnizojnë Prokurorinë e Posaçme me referime, informacione e kallzime, duke nënvizuar se nga njëra anë pranohet korrupsioni i lartë, e nga ana tjetër nuk ka referime.

Gjatë vitit të kaluar janë hetuar 20 procedime penale, nga të cilat 8 të rregjistruara në 2023, ku janë përfshirë zyrtarë apo ish zyrtarë, të thuajse të gjitha niveleve nga kryebashkiakë apo ish kryebashkiakë, në ish Sekretarë të përgjithshëm, ish ministra e një ish kryeministër.

Pocedimet penale për korrupsion zënë dhe pjesën më të madhe të rasteve ku është përdorur, si pjesë e hetimeve dhe përgjimi telefonik, me mbi 1400 pajise të interceptuara.

Zoti Dumani, deklaroi se vëmendje e veçantë i është kushtuar luftës kundër pastrimit të parave, duke shoqëruar hetimet penale dhe me ato pasurore, gjë e cila ka sjellë në sekuestrime e konfiskime në rritje si për rastet e korrupsionit dhe ato të krimit të organizuar. "Vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara së bashku, përllogaritet në 41.5 milion euro, nga të cilët 22.5 milionë euro pasuri të konfiskuara dhe 19 milionë euro të sekuestruara”, deklaroi zoti Dumani.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme theksoi nevojën e rritjes së numrit të hetuesve të Byrosë kombëtare, si pasojë e një volumi pune gjithnjë e më të lartë, ku veçoi bashkëpunimin e shtuar me strukturat e Drejtësisë së vendeve të tjera. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë ngritur 10 skuadra të përbashkëta hetimore, ndërkohë që janë 25 skuadra të tilla që vijojnë hetime të ndryshme.

XS
SM
MD
LG