Lidhje

Kremtimet e Fitër Bajramit në Kosovë


Me thirrjet për paqe e tolerancë, mijëra besimtarë falën nëpër xhamitë e Kosovë, fitër Bajramin, që shënon edhe përfundimin e muajit të Ramazanit. Në ceremoninë qendrore me rastin e fitër Bajramit, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava foli për rëndësinë e familjes në shoqëri.

Kremtimet e Fitër Bajramit në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

“Në Islam, familja konsiderohet si njësi bazë për rritjen e brezave të rinj, ajo siguron një mjedis të sigurtë e të qëndrueshëm. Sa më shumë që të jetë struktura e familjes e shëndoshë, e ngritur dhe e përkushtuar aq më shumë do të kemi një shoqëri homogjene të integruar dhe solidare, një shoqëri që plotëson njëra-tjetrën”, tha myftiu Tërnava.

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji u përcolli udhëheqësve të Bashkësisë islame dhe besimtarëve urimet për paqe e dashuri mes njerëzve…

“Uroj që të gjithë shqiptarët kudo që janë të përjetojnë këtë moment të urimit të festave të ndërsjella, që të konfirmojnë edhe njëherë paqen, lirinë dhe vëllazërinë mes veti”, tha ipeshkvi Dodë Gjergji.

Në urimet e tyre për fitër Bajramin, edhe udhëheqësit politikë të vendit vunë theksin në përkushtimin ndaj një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit.

“Unë dua t’i falenderojë për bashkëpunimin myftiun dhe bashkëpunëtorët e tij në mënyrë që sfidat me të cilat ballafaqohet vendi ynë dhe shteti ynë t’i tejkalojmë sa më parë e sa më mirë”, tha presidentja Vjosa Osmani.

“Muaji i Ramazanit ishte muaji i sakrificës dhe solidaritetit dhe të gjithë e dimë nga përvoja dhe historia se solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi”, tha kryeministri Albin Kurti.

“Të jemi më të barabartë, që të krijojmë një shoqëri më të drejtë e barabartë, që të jemi së pari më së afërmi me ata që kanë nevojë e që nuk kanë atë që dëshirojnë”, tha kryetari i parlamentit, Glauk Konjufca.

“Një festë e rënndësishme dhe shumë e veçantë e cila karakterizohet me shumë gjëra të mira porn ë mënyrë të veçantë me forcën e besimit me qëndrushmërinë dhe sakrificën karakteristika këto të koombit tonë por edhe rrugëtimit të popullit të Kosovës për të pasur këtë ditë që e gëzojmë sot lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi.

“Le të punojmë që këto vlera të jenë të përditshme, që lidhja me njëri-tjetrin, lidhja me familjen dhe koontributi për vendin të jenë pkjesë normale e jona”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Ta gëzojmë të gjithë bashkë në Kosovë, ta gëzojnë shqiptarët, vërtetë gjatë këtij muaji u dëshmu përkushtim, e dëshmu edhe sakrificë pra solidaritet dhe njëkohësisht e humanizmi”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përgëzime me rastin e kësaj kremteje besimtarëve u kanë shprehur edhe udhëheqës të tjerë vendas e ndërkombëtarë të cilët kanë nënvizuar se Kosova ka qenë gjithmonë një shembull i rrallë i bashkëjetesës, i tolerancës dhe i harmonisë në mes njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike e fetare.

XS
SM
MD
LG