Presidenti iranian Ebrahim Raisi paralajmëroi të mërkurën se vendi i tij do të ndërmarrë një përgjigje të ashpër në rast se Izraeli vendos të hakmerret pas sulmit të pashembullt iranian ndaj shtetit hebre. Ai tha se përgjigja do të jetë "masive dhe e ashpër".
Këto komente ai i bëri gjatë paradës ushtarake vjetore në periferi të Teheranit, një ditë pasi ministri i mbrojtjes i Izraelit tha se kërcënimet iraniane nuk do ta ndalnin një përgjigje izraelite.
Ndërkohë të mërkurën vijuan thirrjet ndërkombëtare për një ulje të tensioneve.
Gjatë një vizite në Jerusalem Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron tha se është e qartë se Izraeli po shkon drejt një vendimi për të vepruar. Ai shtoi se Britania shpreson që përgjigjja e Izraelit të minimizojë sa më shumë mundësitë për përshkallëzim të tensioneve.
Zoti Cameron, i cili u takua me Ministrin e Jashtëm izraelit Israel Katz, shprehu mbështetje për vendosjen e sanksioneve të koordinuara kundër Iranit. Ai i bëri komentet ndërsa homologët e tij të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara të botës po përgatiteshin për bisedime në Itali.
“Mendoj se mund të bëjmë më shumë për të treguar se jemi një front i bashkuar, se Irani qëndron pas shumë aktiviteteve keqdashëse në këtë rajon, duke mbështetur Hamasin, Hezbollahun e grupin Houthi”, tha zoti Cameron. "Atyre duhet t'u jepet një mesazh i qartë nga G7-ta", shtoi ai.
Të martën nëpërmjet një deklarate ministri i Mbrojtjes i Izraelit Yoav Gallant tha se: "iranianët dështuan në sulmin e tyre dhe do të dështojnë të ndalin një (kundërpërgjigje) të Izraelit".
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë se gjatë sulmit iranian ndaj Izraelit, i pari i nisur ndonjëherë nga toka iraniane, ishin përdorur më shumë se 110 raketa balistike, 30 raketa kruz dhe më shumë se 150 dronë. Sipas tyre në sulm ishin përfshirë edhe forcat iraniane në Irak, Siri dhe Jemen.