Lidhje

Sekretari Blinken: Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me Ukrainën


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba vizitojnë Murin e Përkujtimit për të Rënët e luftës në Kiev, më 15 maj, 2024/AP
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba vizitojnë Murin e Përkujtimit për të Rënët e luftës në Kiev, më 15 maj, 2024/AP

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dha një mesazh të fuqishëm të përkrahjes gjatë vizitës së tij të paparalajmëruar në Ukrainë, që sipas korrespondentes të Zërit të Amerikës, Cindy Saine, po bëhet në përpjekje për të treguar solidaritet ndërkohë që forcat ukrainase po përballen me sulme të fuqishme të ushtrisë ruse në lindje të vendit. Sekretari Blinken sot njoftoi për një ndihmë të re prej 2 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Sekretari Blinken: Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me Ukrainën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës një ndihmë ushtarake prej 2 miliardë dollarësh.

“Kjo është hera e parë që kemi një fond zhvillimi për mbrojtjen. Ai përmban tre pjesë. Njëra do t’i ndihmojë Ukrainës të sigurojë armët menjëherë. E dyta ka të bëjë me investimet në industrinë e mbrojtjes të Ukrainës, për të forcuar edhe më shumë kapacitetin e saj për të prodhuar armët që i duhen, por edhe për të prodhuar për nevojat e të tjerëve. Dhe së fundi, që ky fond t’i mundësojë Ukrainës të blejë pajisje ushtarake nga shtetet e tjera, jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara,” thotë ai.

Sekretari Blinken gjatë ditës së martë iu bashkua një grupi muzikor ukrainas në një klub nën tokë, duke i rënë kitarës dhe kënduar këngën “Rockin’ in the Free World”.

Para se të këndonte, Sekretari Blinken iu drejtua të pranishmëve.

“Shtetet e Bashkuara janë me ju, pjesa dërmuese e botës është me ju. Po luftojnë, jo vetëm për Ukrainën, por për botën e lirë. Dhe bota e lirë është gjithashtu me ju,” tha Sekretari Blinken.

Kjo është vizita e parë e Sekretarit Blinken që kur Kongresi amerikan miratoi ndihmat prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën pas një vonese të gjatë. Ai i siguroi ukrainasit se ndihma do të arrijë së shpejti.

“Do t’iu ndihmojmë që të përballoni sulmet e Rusisë, që t’ia bëni më të vështirë që t’ju sulmojë dhe që ta mbajmë Detin e Zi të hapur në mënyrë që të vazhdoni ta rrisni ekonominë dhe të vazhdoni ta ushqeni botën. E dimë që koha është e rëndësisë kritike. Prandaj Presidenti Biden vendosi që municionet, makinat e blinduara, raketat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore të niseshin për në Ukrainë menjëherë pasi Kongresi miratoi ndihmën tonë të madhe,” deklaroi ai.

Një eksperte i tha Zërit të Amerikës se aktualisht Rusia po përparon në frontin e luftës.

“Aktualisht Rusia është në një moment epërsie politike, pas fillimit të mandatit të ri të Vladimir Putinit, për shkak të Ditës së Fitores dhe faktit se ekziston një dritare mundësie për Rusinë gjatë majit dhe qershorit për të përparuar në vijën e frontit dhe për të ndryshuar realitetin në terren,” tha zonja Kristine Berzina pranë Fondit Gjerman Marshall.

Edhe një ekspert tjetër pajtohet, por thotë se është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se as Rusia nuk është afër fitores në luftën kundër Ukrainës.

SOUNDBITE, Michael Kimmage, Universiteti Katolik i Amerikës

“Rusia është po aq larg fitores, cilido qoftë përcaktimi i saj për fitoren, siç ishte edhe para gjashtë muajsh, apo para një a dy vitesh,” theksoi zoti Michael Kimmage nga Universiteti Katolik i Amerikës.

Sekretari Blinken gjithashtu vizitoi Murin e Përkujtimit për të Rënët e luftës në Kiev.

XS
SM
MD
LG