Policia e Kosovës njoftoi të enjten se ka sekuestruar prova materiale gjatë arrestimit të dy personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”.
Të mërkurën policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë e Posaçme dhe Agjencinë e Zbulimit, arrestuan dy persona në qytetin e Ferizajt rreth 30 kilometra në jug të Prishtinës, nën dyshimet për spiunazh.
Policia tha se “gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj nga Kosova në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, maska ushtarake kundërgazit si dhe shumë dëshmi të tjera”.
Mediat lokale thanë se të arrestuarit të përkatësisë kombëtare shqiptare, dyshohen për bashkëpunim me Agjencinë serbe të Zbulimit.
Por, kjo agjenci përmes një komunikate mohoi siç tha “të gjitha përpjekjet për përhapjen e lajmeve të rreme nga institucionet në Kosovë, se dy persona me iniciale B.SH. dhe M.Q. të cilët janë arrestuar në Ferizaj nën akuzën e kryerjes së veprës penale të spiunazhit në marrëdhënie bashkëpunimi me këtë agjenci”.
Njëri nga të arrestuarit më herët ka punuar në Doganat e Kosovës. Ky institucion tha se personi me inicialet B.Sh. është pushuar nga puna 20 vjet më parë.
“Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me doganën”, thuhet në reagimin e Doganave të Kosovës.
Të arrestuarve tashmë u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh, ndërsa autoritetet thanë se po vazhdojnë hetimet rreth veprimtarisë së tyre, por pa dhënë ndonjë hollësi për to.