Festa e Kurban Bajramit u kremtua në Kosovë nën thirrjet për paqe. Gjatë ceremonisë së faljes së Bajramit, ku morën pjesë qindra besimtarë, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, vuri theksin te tkurrja e popullsisë në vend duke bërë thirrje për angazhim më të madh në përmirësimin e kushteve të jetës në vend.
“Në anën tjetër shohim se nataliteti ka rënë, se Kosova dhe vendet tjera shqiptare po zbrazen në përmasa të mëdha. Çiftet e reja hezitojnë të kenë më shumë se një ose dy fëmijë. Ftoj qiftet e martuara që të bëjnë më shumë fëmijë ngase edhe ja kemi borgj Kosovës tonë”, tha ai.
Udhëheqës politik e fetar uruan për festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarët duke vënë theksin në përkushtimin ndaj një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët.
“Jemi këtu edhe në emër të Ipeshkvit dhe të Kishës të urojmë Myftiun me rastin e festës së Kurban Bajramit, pastaj edhe të gjithë shqiptarët e besimit islam siç është traditë. Ne festojmë së bashku gjithmonë festat tona sepse janë një shembull dhe dëshmi e mrekullueshme e një jo vetëm tolerance por edhe mirëqenie për popullin dhe shoqërinë tonë”, tha Dom Agim Qerkini nga Ipeshkvia e Kosovës.
“Kjo festë na e përkujton edhe rëndësinë e sakrificës, por mbi të gjitha rëndësinë e gatishmërisë për sakrificë sepse pikërisht nga kjo gatishmëri buron sinqeriteti, marrëdhëniet e mira ndërnjerëzore dhe mirësia e solidariteti”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Është një festë që simbolizon solidaritetin, sakrificën. Urojmë që të ketë harmoni, paqe por është një festë ku realisht njerëzit janë më bujar, më solidar por edhe falin edhe pajtohen. Prandaj gjithmonë në këto festa uroj që të ketë gëzime, begati e harmoni”, tha Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Kjo festë na kujton vlerat më të larta njerëzore, sakrificën ndaj krijuesit, solidaritetin ndaj njerëzve dhe mirësinë ndaj njëri tjetrit. Një shoqëri që beson në Zot që përkujdeset për familjen, për atdheun, për vendin është shoqëri që ka prosperitet”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Ta gëzojmë bashkë, t’i gjindemi njëri tjetrit dhe të jetojmë me porosinë e festës që është edhe sakrifica por edhe solidariteti i ndërsjellë”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërine e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Edhe udhëheqës të institucioneve ndërkombëtare përgëzuan besimtarët duke bërë thirrje për më shumë solidaritet ndërmjet qytetarëve.