Lidhje

Presidenti Bush emëron John Negroponten për postin e drejtorit të agjencisë kombëtare të zbulimeve


Presidenti tha se shërbimi i zotit Negroponte në Irak i ka dhënë atij mundësinë për ta parë nga afër armikun, gjë që presidenti e quajti një avantazh të madh për një shef të zbulimit.
Presidenti Bush tha në konferencën e shtypit se ambasadori Negroponte do të drejtojë një rrjet prej 15 agjencish për zbulimin, përfshirë edhe CIA-n dhe do të raportojë drejtpërdrejt para presidentit: Jon Negroponte do të sigurohet se personat që e kanë për detyrë të mbrojnë Amerikën kanë informacionin e nevojshëm për të marrë vendimet e duhura.

Presidenti vuri në dukje se zoti Negroponte njihet më së shumti në qarqet diplomatike se sa në rrethet e agjencive të zbulimit. Por ai shtoi se detyra e tij e fundit si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Irak pas rrëzimit të Sadam Huseinit, i ka dhënë atij një vizion të veçantë dhe të vlefshëm: Një vështrim nga afër të armikut vdekje-prurës.

Nga ana e tij ambasadori Negroponte e përshkroi detyrën e tij të re si një nga përgjegjësitë më të vështira në karrierën e tij 40 vjeçare në poste qeveritare. Kongresi votoi për krijimin e këtij posti të ri pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Kandidatura e zotit Negroponte duhet të miratohet më parë nga Kongresi para se ai të fillojë zyrtarisht detyrën.

KUSH ËSHTË JOHN NEGROPONTE

John Negroponte është një diplomat me karrierë të gjatë. 65-vjeçari Negroponte, biri i një manjati grek që merrej me biznesin e transportit, ka shërbyer për 40 vjet në poste qeveritare në gjithë botën.

Zoti Negroponte u emërua në qershor 2004 si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Bagdat, pas kalimit të sovranitetit në duart e qeverisë së përkohshme irakiane.

Para postit të ambasadorit në Irak, ai shërbeu si ambasador amerikan pranë Kombeve të Bashkuara, ku luajti një rol të rëndësishëm për miratimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit që kërkonte çarmatosjen e Irakut. Ai mori gjithashtu një rol drejtues në përpjekjet për të siguruar mbështetjen e OKB-së për ndërhyrjen ushtarake amerikane në Irak.

Zoti Negroponte ka qenë gjithashtu ambasador në Filipine dhe Meksikë. Por karriera e tij ka ndeshur edhe momente të vështira. Disa ligjvënës kanë vënë në pikëpyetje kandidaturën e zotit Negroponte për postin e ri pasi gjatë viteve ’80 kur ai ishte ambasador në Honduras, mendohet se mund të ketë pasur dieni për skuadrat e vdekjes dhe zoti Negroponte është akuzuar se ka lënë pas dore shkeljet e të drejtave të njeriut. Zoti Negroponte ka theksuar se nuk ka pasur dieni për këto akte.


XS
SM
MD
LG