Lidhje

Zyrtarët amerikanë thonë se dialogu me Moskën do të vazhdojë


Presidenti Bush dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin do të zhvillojnë të enjten në Bratislavë një takim të nivelit të lartë. Korrespondenti ynë, Andre de Nesnera i hedh një vështrim gjendjes së tanishme të marrëdhënieve amerikano-ruse.

Presidenti Bush takohet me Presidentin Putin në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratisllavë më 24 shkurt. Në qershor 2001, ata u takuan në Slloveni - takimi i parë i drejtpërdrejtë midis tyre. Ky ishte një takim njohjeje dhe në përfundim të tij Presidenti Bush tha:

“E pashë në sy dhe m’u duk si njeri që mund t’i besohej. Unë arrita të krijoj një ide për botën e tij të brendshme.”

Kurse udhëheqësi rus tha se Shtetet e Bashkuara i konsideronte si partnere.

Ekspertë perëndimorë të Rusisë pohojnë se marrëdhëniet midis këtyre dy burrave të shtetit të cilat u krijuan në takimin e tyre të parë në Slloveni janë konsoliduar gjatë viteve të fundit dhe ky ka qenë një faktor kryesor në marrëdhëniet amerikano-ruse.

Marshall Goldman i Universitetit Harvard ka qenë ekspert për një kohë të gjatë i Rusisë.

“Presidenti Bush ende flet ngrohtë për mikun e tij rus Vladimir. Unë isha në grupin i cili u takua me Presidentin Putin në shtator dhe ne u befasuam se edhe ai fliste mirë për Presidentin Bush. Kjo gjë më bëri përshtypje të madhe. Mendoj se këto marrëdhënie të ngrohta midis tyre do të ndikojnë pozitivisht në tejkalimin e vështërsive midis dy vendeve. Më duhet ta pranoj, si një sovjetolog i vjetër që jam, se miqësia me një njeri, dikur agjent i KGB-së, është një kombinim i çuditshem, sidomos për një njeri si Presidenti Bush i cili flet hapur si nacionalist amerikan.”

Ekspertë perëndimorë të Rusisë pohojnë se që nga takimi i tyre i parë në Slloveni, Presidenti Putin ka ndërmarra hapa të dukshëm anti-demokratike. Ai e ka përqendruar pushtetin tek presidenca, ka dobësuar fuqinë e partive politike dhe u ka kufizuar mediave fushën e veprimit. Ekspertët theksojnë gjithashtu luftën e Moskës kundër seperatistëve çeçenë e cila ka patur ndikim shkatërrues mbi popullaten civile në pjesën veriore të Kaukazit.

Të gjitha këto kanë bërë që Organizatat e të drejtave të njeriut si Freedom House, të dalin me kritika për Rusinë në anketat mbi lirinë në botë.

Michael Goldfarb i Organizatës Freedom House thotë se organizata e tij e ka ulur klasifikimin e Rusisë nga “Një shoqëri gjysëm e lirë në një shoqëri “Jo të lirë”.

“Ky është një ndryshim i madh në kategori sepse këtu kemi të bëjmë me Rusinë. Ky është një vend i rëndësishem në arenën botërore, prandaj është e natyrshme kurreshtja dhe interesimi kur ne bëjmë një ndryshim të tillë në raportin tonë. Por Rusia është i vetmi vend sivjet që është ulur në klasifikimin tonë nga një shoqëri gjysëm e lirë në një shoqëri jo të lirë”.

Shumë ekspertë thonë se marrëdhëniet e mira midis presidentëve Bush dhe Putin janë një thikë me dy presa. Ata pohojnë se këto marrëdhenie e kanë penguar Presidentin Bush që ta ashpërsojë qëndrimine tij ndaj Presidentit Putin edhe kur ngjarjet e kanë diktuar një gjë të tillë. Por zyrtarët e administratës nuk janë dakord, duke thenë se ata do të vazhdojnë të jenë kritikë ndaj asaj që e shohin si prirje drejt një Rusie autoritare.

Gjatë udhëtimit të saj të parë në Evropë në postin e sekretarës së shtetit, Condoleeza Rice tha se Washingtoni do të vazhdojë t’i shprehë këto shqetësime për Rusinë.

“Ne do të vazhdojmë të flasim me rusët rreth kësaj sepse ne me të vërtet besojmë se një bazë më demokratike në Rusi do t’i forconte dhe konkretizonte më tej marrëdhëniet me demokracitë në Evropë si dhe me Shtetet e Bashkuara.”

Zyrtarët e administratës thonë se megjithë këto shqetësime, dialogu me Moskën do të vazhdojë dhe se izolimi i Rusisë nga komuniteti botëror do të kishte pasoja negative.

XS
SM
MD
LG