Lidhje

Presidenti Bush mbaron turneun në Evropë, pas një takimi me presidentin rus, Putin


Presidenti Bush po kthehet në Washington pasi përfundoi sot një turne 5 ditor në Evropë me një takim të nivelit të lartë në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavë, me presidentin rus, Vladimir Putin.

Presidenti Bush u tha gazetarëve se zhvilloi një dialog shumë konstruktiv me zotin Putin lidhur me çështje të tilla si forcimi i demokracisë, lufta kundër terrorizmit dhe parandalimi i përhapjes së armëve bërthamore.

Ai tha se i theksoi presidentit rus rëndësinë e një shtypi të lirë dhe të respektimit të parimeve të shtetit ligjor. Ai tha gjithashtu se shprehu shqetësim rreth qëndrimit të Moskës ndaj demokracisë.

Udhëheqësi rus u përgjigj duke thënë se vendi i tij ka marrë një vendim përfundimtar në favor të demokracisë dhe se nuk mund të ketë kthim mbrapa.

Dy udhëheqësit thanë gjithashtu se ishin të një mendimi që Irani dhe Koreja e Veriut nuk duhet të kenë armë bërthamore.

Më parë, dy udhëheqësit bënë thirrje për përshpejtimin e bisedimeve në përpjekje për arritjen e marrëveshjes deri në fund të vitit lidhur me pranimin e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregëtisë.

Po ashtu ata u zotuan të punojnë së bashku rreth përpjekjeve ndërkombëtare për të mbrojtur materialin bërthamor dhe për të shkëmbyer informacione lidhur me përmirësimin e masave të sigurisë në qendrat bërthamore.

XS
SM
MD
LG