Frank Carlucci, ish sekretar i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara dhe kryetar nderi i firmës investuese Carlyle Group, thotë se e vetmja zgjidhje afat gjatë për çështjen e Kosovës është vetëm pavarësia e saj, që eventualisht do të sillte edhe stabilitetin në Ballkan. Ai e ka trajtuar ditët e fundit këtë çështje në një artikull të botuar në gazetën The New York Times me titull “Lufta që ne nuk kemi përfunduar”.
Zëri i Amerikës :Zoti Sekretar, kohët e fundit ju keni bërë një deklaratë fare të hapur në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Çfarë ju nxiti që ta bëni këtë deklaratë?
CARLUCCI: Kjo ka qënë diçka për të cilën kam menduar për një kohë të gjatë. Kam biseduar me kolegët e mi në ish Këshillin për Veprim në Ballkan dhe në Grupin Ndërkombëtar për Parandalimin e Krizave. Është e qartë se tensionet po shtohen dhe mund të mbërrijnë një pikë shpërthimi në pranverë, kur në rajon fillojnë trazirat. Mendova se do të ishte e dobishme për të bërë një paralajmërim, në mënyrë që njerëzit t’i presin rrugën dhunës dhe të angazhohen në atë proces që do të çonte në zgjidhjen e disa prej tensioneve etnike.
Zëri i Amerikës: Natyrisht kjo është e dëshirueshme për shqiptarët e Kosovës, por jo për sërbët. Si mund t’i pajtojnë të dy palët qendrimet lidhur me këtë çështje?
CARLUCCI: Nuk duhet harruar se një nga çështjet që unë kam trajtuar është një proces për të garantuar të drejtat e pakicave. Ky duhet të jetë një nga kriterit që duhen plotësuar gjatë procesit për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Ky nuk është një proces që u jep vetëm shqiptarëve të Kosovës atë që duan, por është një proces që çon drejt pajtimit të fraksioneve të ndyshme etnike.
Zëri i Amerikës: Zoti Sekretar, ju jeni i mendimit se pavarësia është e vetmja zgjidhje e çështjes së Kosovës. Ju përjashtoni çdo variant tjetër, ndarjen e saj, bashkimin me Shqipërinë dhe kështu me radhë. A mund të flisni pak më gjatë lidhur me këtë ide?
CARLUCCI: Shumica e ekspertëve janë dakord se ndarja e Kosovës do t’i acaronte tensionet etnike ekzistuese. Ndarja teritoriale nuk është një zgjidhje e mirë. Ndoshta pas negocimit të statusit përfundimtar, në qoftë se entitetet e pavarura duan të shkëmbejnë teritore, apo të arrijnë ndonjë tjetër marrëveshje, kjo është një çështje krejt tjetër. Por për mendimin tim, përpjekjet për ndarjen e vendit tani do të ishin një proces zjarrvënës.
Zëri i Amerikës: Administrata e tanishme amerikane ka folur mjaft për plotësimin e standardeve para diskutimit të statusit. A jeni i mendimit se administrata duhet të bëjë një deklaratë edhe më të hapur lidhur me çfarë do të jetë statusi i Kosovës?
CARLUCCI: Patjetër. Ekziston rreziku i rënies në letargji, duke u përqendruar në standardet, që janë të shumtë, dhe pa krijuar një proces që do t’u ngjallte shpresat të dy palëve, shqiptarëve dhe sërbëve të Kosovës, një proces që do t’u jepte zgjidhje disa prej çështjeve që ata kanë përballë. Për mendimin tim, kjo është koha e përshtatëshme për të folur për statusin përfundimtar. Jam i mendimit se Grupi i Kontaktit ka përgjegjësinë për ta bërë këtë, prandaj dhe duhet të veprojë. Ndoshta rusët do të kundërshtojnë, por ne duhet të merremi me këtë çështje kur të vijë koha.
Zëri i Amerikës: A do t’i shërbente zgjidhja e statusit të Kosovës stabilitetet në Ballkan dhe më tej?
CARLUCCI: Ne e dimë se statusi i tanishëm është faktor destabiliteti. Askush nuk mund të parashikojë me siguri nëse pavarësia e Kosovës do ta stabilizojë gjendjen, por patjetër që do ta përmirësojë atë, gjë që eventualisht do të çonte në stabilizimin e saj. Aktualisht, de-jure, Kosova është pjesë e Sërbisë dhe është nën kontrollin e saj, gjë që kosovarët e kundërshtojnë. Tensionet janë në ngritje, dhe në qoftë se do të bëheshin përpjekje për t’ia kthyer Kosovën Sërbisë, do të dilnin probleme të tjera, si për shembull përfaqësimi në parlament, ëndërra ekonomike, mënyra e përdorimit të forcës ushtarake, e shumë të tjera, që mund të çojnë në një gjendje shpërthyese, siç ishin trazirat e marsit të vitit të kaluar. Në një rast të tillë sërbët mund të kërkojnë ndërhyrjen e Sërbisë, dhe kështu do të kishim përsëri një luftë në shkallë të gjerë. Për t’i prerë rrugën kësaj, të paktën siç e shikoj unë, duhet përvijuar një proces për negociatat mbi statusin përfundimtar të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Sekretar, si do ta vlerësonit rolin e Kombeve të Bashkura në Kosovë?
CARLUCCI: UNMIK-u ka patur vështirësi me qeverinë e përkohëshme. Ajo ka tani disa përfaqësues të rinj që po mbajnë një qendrim të ri. Tani UNMIK-u po ndjek një strategji veprimi me statusin përfundimtar si objektivin e saj final. Për mendimin tim, UNMIK-u po ecën në drejtimin e duhur.