Lidhje

Hunter: Vendet e Evropës Juglindore duhet të shikojnë nga e ardhmja


Tensionet etnike në Evropë prej shekujsh kanë qenë burim konfliktesh dhe luftrash që kanë sjellë humbje dhe vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore. Pjesa perëndimore e kontinentit i ka përballuar me sukses aspektet negative të nacionalizmit por vendet e Evropës Juglindore ende nuk kanë arritur ta bëjnë këtë, thotë Robert Hunter, ish- ambasadori amerikan në NATO. Ai u intervistua nga kolegia Ivana Kuhar.

Robert Hunter, ish-ambasadori amerikan në NATO, thotë se popujt e Evropës Juglindore duhet të fillojnë të përqendrohen tek e ardhmja në vend që të mbeten viktima të së kaluarës së tyre nacionaliste. Pra, duhen krijuar situata që i lejojnë njerëzit të punojnë së bashku, pavarësisht nga kufijtë fizikë të vendeve të tyre.

“Unë e kuptoj se kjo tingëllon imagjinare, duket si shaka apo si ëndërr. 50 vjet më parë, nëse ju do të më kishit bërë të njëjtën pyetje për francezët dhe gjermanët, do të ishte dukur si shaka apo si ëndërr. Por shikojini këto vende sot!”

Ambasadori Hunter thotë se kujtimet e historisë dhe ëndrrat e përsëritjes së tyre nuk kanë sjellë shumë të mira në Ballkan. Ai thekson rëndësinë e krijimit të suksesit ekonomik në rajon:

“Një nga virtytet e mëdha të punës për begatinë ekonomike, për të mos pasur një Tito, një Bashkim Sovjetik por një Bashkim Evropian është që t’i bëjmë njerëzit të mendojnë për të ardhmen e tyre, për të ardhmen e fëmijëve dhe të komunitetit të tyre se sa të mendojnë se çfarë ndodhi në vitin 1389 ose në ndonjë vit tjetër të historisë”.

Ambasadori Hunter shpreson se statusi përfundimtar i Kosovës do të vendoset këtë vit. Çdo vend, thotë ai, ka të drejtën e vetvendosjes. Të drejtat politike dhe siguria fizike e çdo qeniejeje njerëzore duhet të respektohet dhe të garantohet. Ai thotë se kosovarët kishin shumë të drejtë kur i rezistuan diskriminimit që u bënte Millosheviçi, por tani është popullata serbe që vuan në Kosovë.

Kohët e fundit, udhëheqja e Malit të Zi ka propozuar një ristrukturim të marrëdhënieve me Serbinë. Ambasadori Hunter thotë se megjithëse populli malazez gëzon të njëjtat të drejta për vetvendosje si gjithë të tjerët, këtu duhet mbajtur parasysh edhe çështja e ekzistencës ekonomike:

“Mendoj se populli i Malit të Zi ka të drejtën të marrë vendimet që dëshiron. Por nëse vendet ndahen në pjesë gjithnjë e më të vogla që kërkojnë të jenë plotësisht sovrane dhe të pavarura, atëhere arrihet në një pikë në të cilën asnjëri vend nuk do të ketë sukses”.

Pavarësisht nëse Mali i Zi mbetet me Serbinë apo bëhet i pavarur, ka rëndësi kritike që investimet në ekonominë e tij të rriten. Mbi të gjitha, thotë Ambasadori Hunter, bashkëpunimi ekonomik në krejt rajonin e Ballkanit do t’u japë mundësi popujve të tij ta përqendojnë vemendjen tek begatia e individit se sa tek etniciteti.

XS
SM
MD
LG