Lidhje

Irak: Qeveria e shtyn edhe për 30 ditë gjendjen e jashtëzakonshme


Qeveria e përkohshme e Irakut e shtyu edhe 30 ditë gjendjen e jashtëzakonshme në vend, ndërkohë që trupat amerikane dhe forcat irakiane të sigurimit shkallëzojnë operacionet kundër kryengritësve.

Gjendja e jashtëzakonshme, e cila u vendos fillimisht në nëntor, do të mbetet në fuqi deri më 31 mars kudo, përveç rajonit verior kurd. Ligjet u japin autoriteteve kompetenca shtesë për të vendosur ndalim qarkullime dhe për të kufizuar udhëtimet.

Ndërkohë, dy makina bombë shpërthyen të enjten 2 minuta pas njëra-tjetrës pranë Ministrisë së Brendshme në Bagdat, duke vrarë 5 policë dhe plagosur 5 të tjerë. Në veri, në qytetin Bakuba, një tjetër makinë bombë shpërtheu pranë shtabit të policisë, duke lënë 1 të vdekur dhe të paktën 14 të plagosur.

Ndërsa në afërsi të Kirkukut, kryengritësit hodhën në erë një tubacion të rëndësishëm gazi. Zyrtarët amerikanë njoftuan sot se tre ushtarë amerikanë u vranë dje në incidente të veçantë brenda dhe jashtë Bagdadit.

Në frontin politik, ende nuk është caktuar një datë për sesionin e parë të Asamblesë së re Kombëtare. Politikanët shpresonin të mblidheshin të dielën por tani thonë se kjo nuk mund të realizohet për shkak se bisedimet politike midis tre blloqeve të mëdha vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG