Lidhje

Karamanlis: Statusi përfundimtar i Kosovës të zgjidhet me dialog


Kryeministri grek Kostas Karamanlis, i cili vizitoi të ennjten Prishtinën pas vizitës në Beograd, u tha zyrtarëve më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë se statusi përfundimtar i Kosovës duhet të zgjidhet me dialog dhe mjete paqësore.

Zoti Karamanlis theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal dhe stabilitetit të vendeve fqinjë. Kryeministri grek tha se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet me angazhimin e Evropës, Shteteve të Bashkuara, Rusisë.

Zoti Karamanlis nënvizoi disa nga problemet ryesore me të cilat përballet Kosova, si niveli i lartë i papunësisë, përmirësimi i kushteve të sigurisë dhe vazhdimi siç duhet i procesit të privatizimit.

Zoti Karamanlis vlerësoi si pozitive përpjekjet e qeverisë ndërkohë që theksoi rëndësinë shumë të madhe që ka plotësimi i standarteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare për Kosovën.

Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Sorren Jessen Petersen vuri në dukje nevojën për dialogun e brendshëm në Kosovë dhe dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

"Ndamë me kryeministrin mendimin tim se po ecim përpara me plotësimin e standarteve, ka pasur përparim inkurajues, por ende ka shumë punë para nesh, për t’u siguruar që të kemi një rishikim pozitiv të mirë".

Presidenti Ibrahim Rugova vlerësoi se është bërë përparim në fushën e sigurisë dhe të ekonomisë, por kërkoi më shumë kompetenca në këto fusha dhe fusha të tjera.

Zoti Rugova tha se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësi për mbrojtjen e pakicave. Kryeministri grek u takua të enjten edhe me përfaqësuesin e serbëve të Kosovës,

Oliver Ivanovic, me të cilin po kështu është biseduar për procesin e plotësimit të standarteve dhe marrjen e përgjegjësive të serbëve të Kosovës
në proces.

Kryeministri grek Kostas Karamanlis, përfundoi sonte vizitën e tij në Prishtinë, me një mesazh të qartë se rruga e Kosovës drejt statusit përfundimtar është një process, në të cilin plotësimi i standarteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare, është detyra kryesore.

XS
SM
MD
LG