Lidhje

Ndikimi i sulmeve të 11 marsit në Evropë


Sulmet në katër trenat e pasagjerëve në Madrid një vit më parë u bënë katalizator ndryshimesh politike dhe sociale si në Spanjë ashtu edhe në Bashkimin Evropian. Vendet e Bashkimit e kuptuan se ato ishin po aq të prekshme nga terrorizmi sa edhe Shtetet e Bashkuara dhe filluan të forcojnë masat e sigurisë. Ja një vështrim ndaj ndikimit të gjerë të këtyre sulmeve që janë cilësuar si 11 shtatori i Evropës.

Më 11 mars 2004, kur trenat pasagjerësh po mbërrinin në Madrid, një numër shpërthimesh çanë mespërmes katër prej tyre. 191 pasagjerë në trenat e Madridit u vranë dhe më shumë se 1 mijë e 800 të tjerë u plagosën në aktet më të rënda terroriste të ndërmarra në Spanjë në kohët moderne.

Simon Serfaty është analist pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington:

“Shpërthimet e 11 marsit ia bënë të qartë evropianëve se kishte një luftë reale kundër terrorizmit”.

Qeveria konservatore e kryeministrit Hose Maria Aznar fajësoi menjëherë grupin separatist bask ETA për shpërthimet. Zgjedhjet e përgjithshme ishin planifikuar për tre ditë më pas dhe qeveria e zotit Aznar ishte kundërshtare e fortë e këtij grupi. Por një ditë para zgjedhjeve një videokasetë që u zbulua pranë një xhamie në Madrid. Në të deklarohej se al Kaida kishte sulmuar trenat për të ndëshkuar Spanjën për angazhimin e saj në Irak. Ndërthurja e kundërshtimit publik ndaj luftës në Irak dhe përshtypja se qeveria ishte përpjekur të manipulonte opinionin publi çuan në humbjen e kryeministrit Aznar në zgjedhje.

Partia Socialiste, e udhëhequr nga Hoze Luis Rodrigez Zapatero erdhi në pushtet. Menjëherë kryeministri i ri deklaroi se do të tërhiqte 1 mijë e 300 trupat spanjolle nga Iraku. Esther Brimmer e Universitetit Johns Hopkins thotë se vendimi i Spanjës kishte ndikim të madh në koalicinin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak

“Kur u bë e qartë se Spanja do të tërhiqte trupat nga Iraku, u bë më e pranueshme që edhe vende të tjera të tërhiqeshin. Kjo e rriti presionin mbi vendet që ende kanë trupa në Irak”.

Vendimi i zotit Zapatero pati edhe ndikim politik në Bashkimin Evropian, pasi shënoi një ndryshim të aleancave të Madridit, i cili u tërhoq nga grupi i Britanisë, Italisë dhe Polonisë dhe anoi me Francën dhe Gjermaninë lidhur me një sërë çështjesh përveç Irakut.

Por të gjitha vendet e Bashkimit Evropian e kanë tani të qartë se ashtu si Shtetet e Bashkuara, edhe Evropa ishte objekt i sulmeve terroriste të radikalëve islamistë. Hetuesit arritën në përfundimin se sulmet në Madrid ishin vepër e një grupi islamist maroken. Vendet e Bashkimit e kuptuan se ato ishin po aq të prekshëm nga terrorizmi sa edhe Shtetet e Bashkuara dhe filluan të forcojnë sigurimin.

Aktualisht në Evropë banojnë të paktën 20 milion myslimanë dhe pritet të arrijnë miliona të tjerë. Por pjesa më e madhe e imigrantëve myslimanë në Evropë nuk janë të integruar në shoqëritë perëndimore. Charles Cupchen i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington thotë se mungesa e integrimit pasqyron identitetin e Evropës si një kontinent perëndimor dhe i krishtirë. Ai thotë se ky problem kërkon vëmendje:

“Marrëdhëniet ndërmjet popullsisë myslimane në Evropë dhe shoqërisë evropiane është ndoshta sfida më e madhe me të cilën ndeshet Evropa sot. Evropianët nuk e përfytyrojnë një shoqëri shumë-etnike në të njëjtën mënyrë si amerikanët. Ata nuk janë të përgatitur për të krijuar një shoqëri shumë-etnike, kjo ide i shqetëson”.

Shpërthimet në Madrid i intensifikuan ndjenjat anti-myslimane në Evropë. Sulmet ritheksuan shqetësimet se popullsia islame nuk ka të njëjtat vlera dhe tradita si popullsia evropiane.

Shpërthimet në Madrid e kanë shtuar rezistencën ndaj antarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian. Kundërshtarët e këtij antarësimi thonë se një shtet mysliman brenda Bashkimit do ta bënte më të lehtë që terroristët islamikë të sulmonin nga brenda. Ka të tjerë që thonë se Evropa duhet të mësojë të bashkëjetojë me këtë segment të popullsisë së saj gjithnjë në rritje, i cili para sulmeve të 11 marsit 2004 ishte lënë më së shumti në harresë.

XS
SM
MD
LG