Lidhje

Bejrut: Një komision i përbashkët ushtarak siriano-libanez do të mblidhet për hollësitë e një plani për tërheqjen e plotë të trupave siriane


Ministri i Jashtëm libanez, Mahmud Hammud, thotë se një komision i përbashkët ushtarak siriano-libanez do të mblidhet më 7 prill për të përpunuar hollësitë e një plani për tërheqjen e plotë të trupave siriane.

Zoti Hammud i bëri të djelën këto komente pas takimit me të dërguarin e posaçëm të OKB-së, Terje Roed-Larsen. Zoti Larsen tha se hollësitë e planit për tërheqjen e trupave siriane do të bëhen të njohura, pasi ai të informojë këtë javë Sekretarin e Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan.

Anëtarja e kabinetit sirian, Buthaynah Shaban, tha se trupat do të tërhiqen sa më shpejt që të jetë e mundur pas 1 prillit dhe, ka shumë mundësi, para zgjedhjeve libaneze të muajit maj. Ajo tha në një intervistë për CNN-in se do të largohen edhe operativët e zbulimit.

Zonja Shaban hodhi poshtë akuzat amerikane se grupi ekstremist Hezbollah është organizatë terroriste. Ajo e quajti Hezbollahun një parti të rëndësishme politike, krahu ushtarak i së cilës i dha fund pushtimit izraelit në Libanin e Jugut. //az//

XS
SM
MD
LG