Lidhje

Ballkani dhe problemi i drogës


Prodhimi, trafikimi dhe përdorimi i narkotikëve është bërë një problem tepër shqetësues për vendet e Ballkanit, veçanërisht për Shqipërinë, Bullgarinë dhe Maqedoinë, që përfshihen në të ashtuquajturën “Rruga e Ballkanit”. Ditët e fundit kolegia Isabela Çoçoli bisedoi me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Kontrollin Ndërkombëtar të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit, Robert Charles, dhe përgatiti një material dy pjesësh për problemin e drogës dhe parandalimin e përdorimit të saj. Kjo është pjesa e parë e këtij materiali.

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi kohët e fundit raportin e tij vjetor mbi Strategjinë Ndërkombëtare për Kontrollin e Drogave. Në raport thuhet se Shqipëria është një pikë kryesore e asaj që njihet si “Rruga e Ballkanit” për transportin e heroinës dhe kokainës për në tregjet evropiane, e veçanërisht në tregjet e vendeve perëndimore që janë konsumatorët më të mëdhenj të heroinës.

Me pak fjalë kjo është rruga e transporit të heroinës të prodhuar në Afganistan dhe Turqi, për në vendet përdoruse si Italia, Greqia dhe Hollanda. Po ashtu kjo është edhe rruga e kontrabandës së kokainës nga Amerika Jugore, që hynën në Ballkan pasi ka kaluar nëpër Shtetet e Bashkuara, Itali, Spanjë, Greqi apo Hollandë dhe përfundon në vendet e Evropës Perëndimore.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Kontrollin Ndërkombëtar të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit, Robert Charles, thotë se ky tafik po shkakton korrupsion gjatë gjithë rrugës së kalimit, dhe veçanërisht në vende të tilla si Turqia, Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria, që po vuajnë pasojat e shtimit të prodhimit të drogës në Afganistan dhe paralelisht me të, të shtimit të përdorimit të drogës në vendet e Evropës Perëndimore.

Por sa serioz është ky problem?

“Ky është një problem i rëndë. Megjithëse tani për tani sasia e transportuar ka qënë relativisht e vogël, ka mjaft arsye të parashikohet se vëllimi i transportit nëpër këtë rrugë të shtohet, dhe Shqipëria të vazhdojë të vuajë pasojat. Çdo vend që ndodhet në segmentin mes vendit prodhues dhe vendit konsumator do të ketë probleme që lidhen me narkotikët, si korrupsioni, dhuna, përdorimi i drogës, e kështu me radhë”.

Ndihmës-sekretari i Shtetit, Rober Charles thotë se Shqipëria është kryesisht një vend tranzit, veçanërisht për heroninën, por ka patur edhe disa raste të trafikut të kokainës e substancave të tjera. Krahas me trafikun thotë zoti Charles, në Shqipëri është rritur edhe numri i individëve që i përdorin këto droga, që kur merren në gjendje të koncenturar kanë pasoja vdekjeprurëse: “Ka patur 50 përqind rritje të rasteve të trajtimit të mbi dozës në spitalin ushtarak të Tiranës gjatë vitit të fundit. 92 përqind e këtyre individëve kanë qënë përdorues të heroinës dhe nga 92 përqind e rasteve 66 përqind kanë marrë drogë me shiringa. Këto janë shifra tepër tronditëse, pasi tegojnë se stigma nuk është më aq shqetësuese në shoqëri dhe njerëzit nuk rezervohen të përdorin droga”.

Zoti Charles thotë se krahas trafikut të drogës dhe përdorimit të saj, spastrimi i parave është një problem tjetër i mprehtë, për të cilin përvoja e disa vendeve ka treguar se ka të bëjë me grupet e krimit të organzuar si dhe me grupet ekstremiste dhe terroriste që veprojnë sot në botë, për të minuar rendin dhe qetësinë në vende të ndryshme: “Do të thosha se Shqipëria duhet të përqendrohet në problemin e spastrimit të parave dhe përdorimin e drogës për tri arsye. Së pari, duhet të mbrohen të rinjtë që të mos kthehen në viktima të këtyre drogave. Së dyti, duhet të ruhet integriteti i policisë dhe institucioneve shtetërore, me qëllim që korrupsioni që buron nga drogat të mos infektojë shoqërinë, korrupsion që shoqërohet me shtimin e dhunës dhe krimet që lidhen me to. Dhe së treti, duhet të parandalohet lëvizja, rritja dhe financimi i grupeve ekstremiste, që në fakt do të përfshinin edhe organizatat terroriste”.

Siç thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit mbi Strategjinë Ndërkombëtare për Kontrollin e Drogave, statistikat ende nuk janë të verifikueshme për sa i përket trafikimit të drogave ose përdorimit të tyre, ndërkohë që publiku në përgjithësi nuk është në dijeni të problemeve që sjellin drogat.

XS
SM
MD
LG