Lidhje

Beirut: Qindra-mijëra libanezë në rrugë për tërheqjen e plotë të trupave siriane


Qindra-mijëra libanezë dolën të hënën në rrugët e Beirutit me kërkesën për tërheqjen e plotë të trupave siriane nga vendi i tyre. Kjo ishte demonstrata më e madhe që nga vrasja e ish-kryeministrit Refik Hariri një muaj më parë.

Demonstruesit kishin ardhur në kryeqytet nga të gjitha rajonet e Libanit, për të marrë pjesë në mitingun masiv me kërkesën për zhvillimin e hetimeve të plota mbi vrasjen e zotit Hariri. Opozita fajëson Damaskun dhe qeverinë pro-siriane të Bejrutit për vdekjen e tij, por ajo i mohon këto akuza.

Protestat anti-siriane çuan në dorëheqjen e kryeministrit libanez Omar Karameh, i cili u ricaktua kohët e fundit dhe që do të fillojë të martën krijimin e një qeverie të re. Demonstratat gjithashtu shtuan trysninë ndaj Sirisë që t’i japë fund rreth tri dekada pranie në Liban.

Zyrtarët sirianë thonë se një komision i përbashkët ushtarak siriano-libanez do të takohet më 7 prill për të marrë një vendim lidhur me hollësitë e fundit të tërheqjes së plotë të trupave. //az//
XS
SM
MD
LG