Lidhje

Gjendja e të drejtave të njeriut në Bjellorusi shënon keqësim


Gjendja e të drejtave të njeriut në Bejllorusi është përkeqësuar në vitin 2004, sipas raportit më të fundit të departamentit amerikan të shtetit. Qytetarëve bjellorusë u mohohet e drejta për të ndryshuar qeverinë e tyre.

Një referendum në tetor të vitit të kaluar hoqi kufizime për mandatet në zyrën e presidentit. Si referendumi ashtu edhe zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan njokohësisht me të, nuk i plotësuan standartet demokratike.

Qeveria e Presidentit Aleksandër Llukashenko ka bërë përpjekje jo të besueshme për gjetjen e autorëve të vrasjes së gazetarit Dmitry Zavadskyi dhe të figurave të opozitës, Yuriyi Zakharenko dhe Viktor Gonchar, si dhe të afaristit Anatoly Krasovsky.

Autoritetet bjelloruse caktuan Viktor Sheiman-in në krye të administratës presidenciale, hap ky që u shikua si përjetim i atmosferës së abuzimeve. Zoti Sheiman ka lidhje me zhdukjet e zotërinjve Zavadinskyi, Zakarenko, Gonchar dhe Krasovsky. Qeveria e Presidentit Llukashenko vazhdon të vërë në shenjestër kundërshtarë politikë.

Në dhjetor të vitit 2004, një gjykatë dënoi me 5 vjet burg figurën e opozitës, Mikhail Marinich, dënim që më vonë u ul në 3 vjet e gjysëm. Akt-padia ishte e motivuar politikisht dhe e akuzonte zotin Marinich për vjedhje të pajisjeve nga një organizatë joqeveritare. Në të vërtetë, pajisjet i përkisnin qeverisë amerikane, e cila nuk kishte ngritur asnjë pretendim ndaj Marinichit në lidhje me këto paisje.

Në vitin 2004, qeveria e Presidentit Llukashenko pezulloi 25 gazeta dhe ndërhyri në punën e të tjerave. Autoritetet bjelloruse vënë gjoba të rënda ndaj gazetarëve dhe redaktorëve për kritikat ndaj zotit Llukashenko dhe përkrahësve të tij.

Bjellorusët janë të etur për ndryshime demokratike në vendin e tyre. Shtetet e Bashkuara përkrahin aspiratën e tyre, thotë Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice.

“Të mos harrojmë se në botën tonë vazhdon të ketë bastione tiranie dhe Amerika është me të shtypurit në çdo kontinent, në Kubë e Birmani, në Korenë e Veriut e Iran, Bjellorusi e Zimbabve. Bota duhet të zbatojë atë që Natan Sharansky e quan ‘prova e sheshit të qytetit’: nëse një person nuk mund të shkojë në mes të qytetit e të shprehë pikëpamjet e veta pa frikën e arrestimit, burgosjes apo cënimit fizikisht, atëherë ky person po jeton në një shoqëri të frikësuar dhe jo në një shoqëri të lirë. Ne nuk mund të gjejmë prehje derisa çdo person që jeton në një shoqëri frike, të ketë fituar përfundimisht lirinë e vet,” tha zonja Rajs.

Është në interesin e Amerikës të çojë përpara kauzën e lirisë. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara do të përkrahin zhvillimin dhe rritjen e lëvizjes dhe institucioneve demokratike në mbarë botën, përfshirë Bjellorusinë.

XS
SM
MD
LG