Lidhje

Albright: Komuniteti Ndërkombëtar duhet të krijojë një forcë ushtarake kundër genocidit


Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të krijojë një forcë ushtarake që të jetë në gadishmëri për të ndërhyrë kundër gjenocidit dhe vrasjeve në masë. Sekretarja Albright ishte një prej arkitekteve të ndërhyrjes humanitare në Kosovë. Zonja Albright e bëri propozimin e saj gjatë një seminari organizuar këto ditë në Universitetin Georgetown mbi ndihmat humanitare.

Sekretarja Albright thotë se organizatat humanitare janë tepër të vlefshme për të ndihmuar me ushqime, ujë dhe ndihma mjekpsore zonat e prekura nga krizat humanitare. Por sipas pikëpamjes së saj, bota kurrë nuk hartoi një plan të vlefshëm për të parandaluar gjenocidin ose format e tjera të dhunës në masë.

“Masakra e vitit 1994 në Ruandë çoi në vdekjen e 800 mijë personave. Që nga ajo kohë janë shkruar shumë libra, janë bërë shumë studime e dokumentarë dhe sapo është bërë një film për të. Shumë është folur që të mos lejojmë më kurrë përsëritjen e ngjarjeve të tilla. Por gjera të ngjashme po ndodhin përsëri. Gjatë dekadës së fundit, dhuna sporadike në Republikën Demokratike të Kongos ka çuar në vdekjen e 3 milionë personave, gati 4 herë më shumë se në Ruandë. Në Darfur të Sudanit, dhjetra mijëra banorë kanë gjetur vdekjen në atë që Deprtamenti i Shtetit e ka quajtur gjenocid.”

Sipas zonjës Albright, bota nuk arriti të ndërhyjë në këtë konflikte jo për shkak të mungesës së vlerave morale, por për shkak të mungesës së një force të gatshme ushtarake që udhëheqësit e botës mund ta aktivizojnë kur ka shpërthime konfliktesh.

“Për fat të keq komentet dhe kryeartikujt e gazetave nuk shpëtojnë jetë njerëzish. Vizitat e anëtarëve të Kongresit në rajon nuk shpëtojnë jetë njerëzish. As rezolutat e OKB-së nuk bëjnë gjë, pa u mbështetur nga përdorimi i forcës. Vrasjet e civilëve nga forcat ushtarake, janë një problem ushtarak ku forcat ushtarake duhet të luajnë rol.”

Situata si në Darfur, sipas ish Sekretares së Shtetit, mund të përmbysen dhe rajoni mund të qetësohet, vetëm nga ndërhyrja e një force të madhe të drejtuar nga Amerika ose nga Natoja,. Ndërhyrje të tilla do të kërkonin një kontigjent të madh, të pajisur mirë dhe me një mandat për të ndaluar vrasjet dhe për t’i hapur rrugën operacioneve humanitare.

“E thënë më thjesht kjo do të kërkonte përzgjedhjen e njesive ushtarake nga vende të ndryshme, të motivuara dhe të pajisura për t’iu përgjigjur krizave humanitare. Në një rast ideal, këto forca duhet të kishin edhe aftësi të tjera, do të kishin mundësi të stërviteshin së bashku, të pajiseshin me mjete komunikuese dhe armë dhe të ishin të gatshme të ndërhynin brenda një kohe të shkurtër. Aftësitë e tyre ushtarake duhet të ishin nga ato të një policie civile e deri tek një ndërhyrje e ashpër ushtarake.

Një forcë e tillë ushtarake thotë zonja Albright duhej plotësuar me administratorë e prokurorë që kanë lidhje me autoritetet ligjore ndërkombëtare. Ish Sekretarja e Shtetit thotë se kjo forcë duhej të vepronta nën autoritetin e OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Ajo e pranon se krijimi i kësaj force kërkon fonde të shumta, planifikim rajonal dhe global, dhe ripërcaktimin e konceptit të sovranitetit kombëtar.

Sipas zonjës Albright, Amerika duhet të marrë rol drejtues në krjimin e një sistemi sistemi humanitar për t’iu përgjigjur krizave. Me këtë, thotë ajo, amerikanët, do të provonin angazhimin për paqe dhe siguri globale.

“Në fjalimin e përurimit, Presidenti Bush tha se vlerat dhe interesat e Amerikës janë tani të njejta. Në se kjo është e vërtetë, do të ishte jo vetëm e mençur, por edhe rruga e drejtë, që Amerika të merte rol udhëheqës në krijimin e mjeteve të efektshme, afat-gjata, për të parandaluar gjenocidin.”

Ish-Sekretarja e Shtetit thotë se kjo detyrë do të kishte nevojë për një konsensus ndërkombëtar që bota e qytetëruar ka përgjegjësinë kolektive për të parandluar vrasjet në masë. Lajmet e përditshme në gazeta, theksoi zonja Albright, duhet të na bëjnë të ndërgjegjshëm për çmimin tmerrësisht të lartë të pavendosmërisë sonë.



XS
SM
MD
LG