Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer thotë se pret që zgjedhjet parlamentare të këtij viti në Shqipëria të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Zoti de Hoop Scheffer foli sot në Bruksel pas bisedimeve me Kryeministrin e Shqipërisë Fatos Nano. Zyrtari i lartë i NATO-s vlerësoi ato që ai i quajti reformat e Shqipërisë në vitet e fundit. Por megjithëse kryeministri Nano kërkoi që Shqipëria të marrë ftesën për anëtarësim në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të NATO-s, një zëdhënës i aleancës tha se ritmi dhe shpejtësia e integrimi janë së pari dhe mbi të gjitha në dorën e vetë Shqipërisë.
Qëndrimi i sotëm i aleancës është në vazhdën e thirrjeve nga faktorë të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë për zgjedhje të lira dhe të drejta.
“Ne mendojmë që një rëndësi të madhe do të kenë zgjedhjet në Shqipëri, të cilat do të jenë një provë e rëndësishme për mënyrën sesi do ta vlerësojnë aleatët Shqipërinë”.
Pas takimit të zotit Nano me Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës dhe ambasadorët e NATO-s dhe pas konferencës për shtyp, zëdhënësi i zotit Scheffer, James Apathurai i tha Zërit të Amerikës se ambasadorët shprehën synimin e përbashkët për integrim të Shqipërisë dhe vlerësuan përparimin e Shqipërisë për të përmbushur standardet e nevojshme për këtë qëllim. Ai theksoi se në këtë kuadër zgjedhjet u diskutuan gjerësisht.
“Sekretari i Përgjithshëm, si në konferencën e shtypit, ashtu edhe në takimin me Kryeministrin, edhe të gjithë ambasadorët theksuan sesa e rëndësishme është që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të drejta dhe standartet duhet të jenë aq të larta, saqë të jetë e pamundur që rezultatet e tyre të kundërshtohen nga asnjë parti që mund të protestojë që ato nuk u zhvilluan në mënyrë të lirë, të drejtë dhe të hapur”.
Zoti Apathuarai tha se këto se të gjithë aleatët do ta ndjekin me vëmendje ecurinë e zgjedhjeve, duke shpresuar që ato të zhvillohen sa më mirë të jetë e mundur.
Ai tha se aleatët e pranojnë përparimin e bërë në Shqipëri, veçanërisht në kuadrin e reformave në fushën e mbrojtjes, por shtoi se sigurisht që ka ende shumë për të bërë përsa u takon reformave të brendshme, reformave në polici, në sistemin e drejtësisë dhe sigurisht do të shihen zhvillimi i zgjedhjeve.
Në konferencën për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës, kryeministri Nano siguroi aleancën për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
“I garantova Sekretarin e Përgjithshëm dhe anëtarët e Këshillit të NATO-s, se ne do të po krijojmë kushtet e përshtatshme dhe po ndërmarrim masat ligjore që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare”.
Duke përmendur suksesin e Shqipërisë në reforma, zoti Nano tha se shpreson që tani e tutje që aleanca të angazhohet më shumë që jo vetëm të bëjnë vlerësime për refomat, por për të nxitur afrimin e Shqipërisë me NATO-n.
“Kështu që ne shpresojmë, mbështetur në këtë bashëpunim shumë aktiv me aleancën dhe në bazë të procesit të bashkëpunimit në kuadër të marrëveshjes Adriatiku 3, në mbështetje edhe me vlerësimet për Shqipërinë, që të mund të konsiderohet në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të NATO-s, që Shqipëria të marrë ftesën e merituar për anëtarësim”.
Asnjë datë nuk është caktuar ende për mbajtjen e takimit të ardhshëm të NATO-s që mund të mbahet në vitin 2006 ose 2007. Sekretari i pergjithshem nuk pranoi të “te fliste per data të caktuara” për ftesën për anëtarësim.
Ndërsa zëdhënësi i NATO-s, Apathurai i tha Zërit të Amerikës se integrimi është një proces, por sigurisht që ritmi dhe shpejtësia e përparimit janë së pari dhe mbi të gjitha në dorën e qeverisë shqiptare, autoriteteve shqiptare dhe popullit shqiptar.
“Sa më shpejt të ecet në rrugën e përparimit, sa më shpejt aleatët ta shohin se janë ndërmarrë reforma konkrete, aq më shpejt Shqipëria do t’i afrohet NATO-s”, tha ai.