Lidhje

Cilët janë më të pasurit e botës?


Shkrimtari amerikan Scott Fitzgerald thoshte: nëse doni të dini diçka për njerëzit shumë të pasur, mund tju them vetëm dy fjalë - ata janë ndryshe nga ne të gjithë. Kjo thënie të vjen në mendje çdo vit kur revista e njohur e biznesit Forbes radhit miliarderët e botës. Numri i sivjetshëm është rekord. Por cilët janë miliarderët që janë ende në listë dhe cilët kanë mbetur jashtë saj?

Lista e më të pasurve të botës... Se sa vlerë ka pasuria e secilit, kjo është vështirë të thuhet me saktësi. Ndihmës redaktorja e revistës Forbes, Luisa Kroll thotë se është e habitur nga numri i miliarderëve të rinj në listë. 

Kina ka miliarderin e parë, një djalë në të tridhjetat, Wong Kwong Yu i cili e krijoi pasurinë në tregëtinë e pajisjeve shtëpiake, duke shfrytëzuar me sa duket klasën e mesme në rritje të vendit.

Një numër në rritje kinezësh e kanë fituar pasurinë e tyre duke bërë biznes. Në se duan të mobilojnë apartamentet e tyre ata mund të konsultohen me një tjetër miliarder të listës së Forbsit, eksperten amerikane të dekorimit të shtëpive, Martha Steward e cila vazhdoi të pasurohej edhe pse kaloi pesë muaj në burg për shfrytëzim të informacioneve të brendshme të bursës. 

Kur ishte në burg, pasuria e saj u trefishua. Ajo hyri me 350 milion dollarë dhe doli miliardere. Është një histori shumë interesante.

Në krye të listës së Forbsit për 11 vjet me rradhë: themeluesi i Mikrosoftit Bill Gates. Ai ka një pasuri prej më shumë se 46 miliardë dollarësh dhe jep pjesën më të madhe të parave të tij për bamirësi.

Në vendin e dytë është investitori amerikan Warren Buffett. I treti në listë - manjati indian i çelikut Lakshmi Mittal. Ky ishte vit i mirë edhe për miliarderin Ingvar Kamprad, themeluesin e Ikeas, firma suedeze e mobiljeve të lira.

Ata që kërkojnë çmime të lira bënë që presidenti i Wal-Martit, Robson Walton të radhitet midis dhjetë miliarderëve. Katër anëtarë të tjerë të familjes Walton vijnë menjëherë pas tij. Të pestë ata kanë më shumë se 90 miliardë dollarë.

Revista Forbes këtë vit radhit më shumë se 100 miliarderë të rinj. Pasuria e tyre arrin gjithsej në 2 presje 2 trilion dollarë.

Ky ishte një vit i mirë për biznesin e teknologjisë në Internet, dhe pikërisht për Sergey Brin dhe Larry Page, dy themeluesit e rinj të firmës Google. Ndërsa Martha Stewart u pasurua nga burgu, një i burgosur tjetër i pasur humbi shumë këtë vit.

Në Rusi, drejtuesi i kompanisë Yukos, Mikhail Khodorkovsky ndodhet në burg për mashtrime dhe fallsifikime dhe humbi shumë nga pasuria e tij. Zotit Khodorkovski nuk mund ti vesh faj nëse e gjen të citojë këngëtaren ruso-amerikane Sophie Tucker: Kam qënë e pasur dhe e varfër, thotë ajo dhe më besoni, të jesh e pasur është më mirë.

XS
SM
MD
LG