Lidhje

Papa Gjon Pali i dytë ndahet nga jeta


Papa Gjon Pali i Dytë, udhëheqësi i botës katolike prej mbi një miliard besimtarësh për më tepër se 26 vjet u nda nga jeta, duke i dhënë fund mbretërimit historik ku ndihmoi në rënien e komunizmit sovjetik, udhëtoi në mbarë botën dhe shpërndau doktinën kishtare.

Zyrtarët e Vatikanët njoftuan se Papa 84 vjeçar u nda nga jeta mbrëmjen e së shtunës rreth orës 9:37 minuta sipas orës lokale në apartamentin e tij në qytetin e Vatikanit, disa ditë pasi zyrtarët e kishës thanë se sistemi i tij i qarkullimit u çrregullua pas përhapjes së infeksionit në trupin e tij.

I zgjedhur nga një kryesi kardinalësh në vitin 1978, John Paul i lindur në Poloni u bë i pari jo i lindur në Itali në 450 vjet që të vihej në krye të Kishës Katolike.

Gjatë më shumë se një çerek shekulli si Papë, Karol Vojtila udhëtoi më shumë se çdo udhëheqës katolik tjetër më parë, duke u përcjellë qindra miliona vetëve në mbarë botën mesazhin e Kishës.

Papa ishte një ndër figurat më me influencë të shekullit të 20-të dhe vlerësohet për rolin e tij në transformimin e rolit të Papës. Ai bëri përpjekje të vazhdueshme për të rivendosur dialogun me besimet e tjera dhe ishte Papa i parë që vizitoi një sinagogë. Më pas ai kërkoi ndjesë për ata katolikë që nuk ndihmuan hebrenjtë kundër persekutimit nazist.

Ekspertët thonë se një ndër trashëgimitë më të qëndrueshme të Papa Gjon Palit të Dytë do të jetë roli i tij i rëndësishëm në rrëzimin e komunizmit në Evropën Lindore në vitet 1980.

Papa Gjon Pali njihej si një përkrahës i fortë i të varfërve dhe të vuajturve si dhe një mbrojtës i flaktë i vlerave sociale konservatore. Gjatë gjithë qëndrimit të tij në Papat, ai ngriti zërin kundër luftrave në Lindjen e Mesme, Ballkan dhe në Afrikë dhe u bëri thirje udhëheqësve botërorë të përdornin mjete paqësore për zgjidhjen e konflikteve. Ai u plagos rëndë, por shpëtoi gjallë nga një përpjekje për atentat në Sheshin e Shën Pjetrit në vitin 1981.

Karol Vojtila lindi më 18 maj, 1920 në jug të Polonisë. Në rini ai u angazhua aktivisht në sport dhe i pëlqente teatri. Ai po ndiqte studimet universitare në Krakov kur filloi Lufta e Dytë Botërore dhe pushtimi nazist i Polonisë. Kur vendosi të bëhej prift në vitin 1942, nazistët nuk i lejonin mësimet teologjike dhe mbyllën të gjitha kolegjet fetare, duke e detyruar atë dhe të tjerë të vazhdonin studimet në fshehtësi. Në vitin 1964 ai ishte Peshkop i Krakovit, dhe tre vjet më pas Kardinal. Që nga dita kur u zgjodh Papë, ishte e qartë se kleriku polak do të linte një trashëgimi të pashlyeshme për botën.

Shëndeti i Papës kishte shënuar rënie që nga fillimi i shkurtit, kur u shtrua në spital nga probleme në frymarrje të shkaktuara nga gripi dhe sëmundja e Parkinsonit. Shëndeti i tij u keqësua më tej të enjten e kaluar pasi kaloi një infeksion në rrugët urinare, pasuar nga probleme të rënda në sistemin e gjakut, të frymarrjes dhe në veshka.

Zyrtarët e Vatikanit thanë se Papa vendosi të qendronte në apartamentin e tij dhe të mos shtrohej në spital pasi shëndeti i tij pësoi rënie. Pasi mjekimi intensiv të enjtën dhe të premtën, Vatikani tha se Papa e kishte mendjen e qartë dhe të kthjellët, dhe se ai e kishte marrë pjesë në meshë sëbashku me ndihmësit e tij. Urata e të sëmurit, e njohur shpesh si ritet e fundit, i ishte bërë Papës mbrëmjen e së enjtes.

XS
SM
MD
LG