Lidhje

Veliaj: “Mjaft” dhe “Gallup International” do të zhvillojnë anketa zgjedhore në Shqipëri


Ndërsa në Shqipëri po afrohen zgjedhjet e përgjithshme, situata politike në vend po acarohet përsëri. Ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, ligjet, apo problemet e tjera me të cilat ndeshet shoqëria, bien pre e luftës së ashpër politike, që në shumicën e rasteve mer ngjyrime personale. Në kushtet e ndarjes së thellë të dy partive kryesore, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokrate, apo siç janë shprehur shumë vëzhgues, të debatit politik që i mungon civilizimi, gjithnjë e më shumë është folur për nevojën e ndikimit të shoqërisë civile, të organizatave jo qeveritare.

Intervistë e Drejtorit Ekzekutiv të Lëvizjes Mjaft, Erion Veliaj për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Parlamenti shqiptar sapo ka miratuar ligjin për konfliktin e interesave. A mendoni se ky ky ligj do të jetë i mjaftueshëm që në Shqipëri të goditet ky fenomen për të cilin është folur mjaft, pra ndikimi i fuqishëm i interesave ekonomike në politikë?

Erion Veliaj: Si çdo ligj tjetër muskuli i vërtetë i ligjit do të duket në zbatimin e tij. Ne nënshkruajmë pafundësisht marrëveshje me Bashkimin Evropian për çështjen e integrimit, pafundësisht pajtohemi me rregullat ndërkombëtare për shumë çështje si ato të trafikimit apo probleme që kemi me krimin e organizuar, por gjithmonë thembra e Akilit ka qenë sa jemi të aftë për t’i zbatuar këto ligje. Vlerën e ligjit unë nuk e shoh në leximin e neneve, apo në vota në parlament, vlera e vërtetë do të duket tek zbatimi i tij. Kam përshtypjen që ligji vjen në një kohë shumë të mirë, në një moment kur në Shqipëri themi se pothuajse nuk ekziston konflikti i interesave, pasi interesat i përkasin një dore shumë të vogël njerëzish, të cilët nuk kanë konflikt real mes tyre. Konflikti i interesave duhet të mbetet një çështje parimore dhe ligji vjen në momentin e duhur. Zbatimi i tij mbetet për t’u parë.

Zëri i Amerikës: Zoti Veliaj, lëvizja juaj ka tashmë dy vjet që është krijuar. Si do ta gjykonit ju sot rolin e shoqërisë civile në Shqipëri, a është ai në nivelin e duhur? A mund të ushtrojë ndikim më të madh mbi shoqërinë?

Erion Veliaj: Pa tjetër që shoqëria civile mund të ushtrojë më tepër ndikim, ashtu siç mund të ushtrojë më tepër ndikim media, shoqëria politike, ajo ekonomike dhe kështu me radhë. Në një farë mënyre jemi të gjithë pasqyra të një realiteti në Shqipëri. Problemet në shoqërinë civile reflektohen në media, në biznes dhe në administratë publike. Disa nga iniciativat kryesore që Lëvizja Mjaft do të sjellë si risi në këto zgjedhje do të jenë fillimi i sondazheve parazgjedhore. Mjaft dhe Gallup International do të organizojnë disa sondazhe profesionale për t’u treguar partive që “është e pamundur që të gjithë të mendoni se do të fitoni me 60 përqind, do të vijë një moment për t’u bërë realist dhe për të parë që përpara zgjedhjeve se ku pritet të dalin rezultatet për partitë e caktuara”. Ajo që do të jetë më e rëndësishme është që do të jetë një sondazh për të parë se cilat janë prioritetet e qytetarëve shqiptarë në këto zgjedhje. Partitë nuk mund të servirin më një platformë ku një masë t’u përshtatet të gjitha kokave. Duhet të jetë një platformë e ndryshme për varfërinë që mbizotëron në Shkodër dhe problemet me gjakmarrjen, duhet të ketë një platformë tjetër për problemet e mjedisit në Elbasan, duhet të ketë një platformë tjetër për problemet e turizmit në Sarandë, Vlorë dhe gjetkë. Besoj se sondazhet do ngrejnë nivelin e debatit politik në periudhën parazgjedhore. Një nga angazhimet tona në nivelin e shoqërisë civile ka qënë për të hartuar një rezolutë për zgjedhjet në Shqipëri. Disa miq në Kongresin amerikan janë zotuar për të marrë përsipër kalimin e një rezolute për zgjedhjet. Shpresojmë që kjo në një farë mënyre do të risi presionin ndaj klasës politike shqiptare për zgjedhje të rregullta. Një iniciativë e fundit që kemi marrë dhe kjo është pjesë e synimit tonë në takimet me diasporën është që të ndryshojmë pak konceptet që kemi për patriotizmin. Tatuazhet me shqiponjë dhe zinxhirët me flamurë nuk mjaftojnë përsa kohë që nuk japin një kontribut direkt. Ajo që u kemi kërkuar anëtarëve të diasporës dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë është që në se realisht duan që të ndihmojnë, le të vijnë për një javë t’u bashkohen vëzhguesve të Mjaftit për zgjedhjet dhe kështu të japin një kontribut direkt dhe jo vetëm kaq, por të marrin pak pronësi të këtyre proceve. Presim pafundësisht që të huajt të jenë ata që na japin zgjidhjet, presim çfarë do të thotë OSBE-ja.

Zëri i Amerikës: Dje në debatin që u bë këtu në Uashington nga Freedom House, ju i bëtë thirrje qeverisë amerikane të mos mbyllë sytë ndaj zhvillimeve të brendshme për shkak të mbështetjes që Tirana i jep luftës kundër terrorizmit. Ky është një fenomen i përsëritur tashmë shpesh herë në Shqipëri që për problemet e vendit kthehet vështrimi nga të huajt, pritet që ata të shërbejnë si arbitër. Nga pozicioni juaj përse ndodh kështu dhe kur do të fillojë klasa politike në Shqipëri t’i zgjidhi më tepër vetë problemet e vendit se sa duke marrë ndihmë nga të huajt?

Erion Veliaj:
Unë nuk mund të parashikoj një kohë të tillë, por ne kemi një kompleks inferioriteti që duhet ta pranojmë. I shohim të huajt akoma si në vitin 1991 ku vinin nga qielli si shpëtimtarë. Ndërkohë që duhet t’i trajtojmë për atë që janë. Shumë prej tyre janë rrogtarë, që bëjnë një punë të caktuar, që japin ndihmë teknike, komunitetit politik, shoqërisë civile apo medias. Përsa kohë që të mos respektojmë veten më shumë, si njerëz që do të investojmë jetët tona dhe familjet tona në Shqipëri, nuk do të vijë koha për të ndryshuar. Është shumë e rëndësishme që të ketë një muskul të fortë të vëzhguesve shqiptarë në këto zgjedhje. Është e rëndësishme që të jenë organizata shqiptare që të marrin përsipër organizmin e sondazheve me disa kompani prestigjioze në këtë fushë. Ishte e rëndësishme që një grup si Lëvizja Mjaft të kryente një tur të tillë në Amerikë. Kemi qënë në disa universiteti si në Harvard, Kolumbia, Nju Jork, Xhorxhtaun, jo për t’u mburur e për të treguar sa ka bërë Mjafti në Shqipëri, por për të treguar që edhe në Shqipëri ka njerëz të aftë që mund të marrin këto përgjegjësi. Nuk duhet të jemi gjithmonë inferiorë në këto marrëdhënie. Në një takim me guvernatorin e shtetit Masaçusets, një nga fjalët e tij ishin lëvdat për suksesin që studentët shqiptarë, apo sipërmarrësit shqiptarë kanë arritur në shtetin ku ai është guvernator. Dhe jam i sigurtë se ka potencial të mjaftueshëm, si në diasporë, si në Shqipëri për të marrë përsipër disa nga këto përgjegjësi nga të huajt. Jam i sigurtë që ky është edhe qëndirmi i shumë prej të huajve. Disa nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit amerikan me të cilët kemi pasur kontakte mezi presin kur të vijë ajo ditë, që edhe ata të lirohen nga disa nga këto detyrime në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Veliaj, organizata juaj është kritikuar disa herë në të kaluarën se nuk ka arritur të ruajë pavarësinë, se me dashje ose jo, ka rënë në lojën e politikës. Sa e vështirë është për organizatat jo-qeveritare të ruajnë pavarësinë?

Erion Veliaj: Patjetër që është e vështirë. Në një vend aq të vogël ku 3 milionë njerëz janë deri diku edhe kushërinj, është shumë pamundur që hapja e një kanali të mos çojë ujë në mullirin e njerit, apo tjetrit në aq pak territor politik ku vepron. Megjithatë duke qënë se kemi qënë një organizatë që kërkon ndryshime në Shqipëri, ka qënë deri diku e pamundur që të rrahësh një kalë të ngordhur siç ka qënë opozita, në kuptimin që nuk ka patur gjë në dorë, kështu që detyrimisht disa nga aksionet tona u janë drejtuar autoriteteve që kanë pushtet. Në se do të ndodhë që opozita fiton zgjedhjet, do të kemi të njejtin reagim. Besoj se në fund të ditës, puna jonë do të jetë avokati më i mirë.





XS
SM
MD
LG