Lidhje

Portret i sopranos Ana Netrebko


Herëpashere një artist del në skenë dhe bën bujë me talentin e tij, fatin dhe diçka tjetër të veçantë. Anna Netrebko është sopranoja e re e cila pa dyshim që po e shkund botën e ngurtë të operas. Por cila është kjo Hirushe Përrallash e botës së operas? Sepse vërtet, ajo e filloi karrierën nga pastrimi i dyshemeve për tu ngjitur në majat e artit.

Edhe po të mos i pëlqesh operat, zëri i saj i veçantë të magjeps. Quhet Anna Netrebko dhe opera nuk ka dëgjuar askënd si ajo prej vitesh. Është ruse dhe 33 vjeçe. Opera shpesh shihet si një formë e ngurtë arti ku, siç thuhet, këndojnë gjithmonë gra aspak elegante. Anna po sjell në të energji dhe sensualitet të freskët që mund t’i ndryshojë kyrekëput mendimin shumë vetëve. Por edhe opera po e bën atë të njohur.

Fillimet Anna Netrebko i pati në teatrin e famshëm Marlinsky të Shën Pjetërburgut ku pastronte dyshemetë, vetëm të ishte më pranë operës. Valery Gergiev, maestroja i famshëm, pranoi ta dëgjonte dhe kaq u desh. Gjashtë vjet pas debutimit, ajo tani është yll i vërtetë opere. “Në brezin e ri të këngëtarëve, ajo është e veçantë. Zëri i saj është i mrekullueshëm; vetë ajo është tepër tërheqëse, gjë që sigurisht ndihmon mjaft në opera,” thotë maestroja.

Por ajo sjell më tepër nga sa duket në sipërfaqe. Në “Romeo e Zhulieta,” të vënë në skenë sivjet në Teatrin e Operës në Los Angeles, Netrebko sjell diçka më tepër: intensitet dhe lirshmëri, që mund të konsiderohet veçse fuqia e një ylli. “Nuk arrij asnjëherë të shpjegoj se ç’ndjej. Kurrë nuk kam qenë më e lumtur dhe e ngazëllyer në jetën time aq sa ç’jam në skenë. Bëj jetë të mrekullueshme dhe jam e lumtur, por asgjë nuk krahasohet me momentet kur jam në skenë,” thotë sopranoja.

Jashtë skenës, modestia e saj lë mbresa. As që sillet si yll opere. Tregon se i pëlqen të psonisë. Shija e saj muzikore shkon përtej roleve që këndon. “Më pëlqen muzika hip-hop, muzika pop.” Ajo madje ka marrë një teknikë nga bota e muzikës pop. Disku me interpretimet e saj operistike është në vend të parë në Gjermani duke u radhitur para yjeve amerikane të muzikës pop si Britney Spears dhe Beyonce.

“Një kritiku serioz opere nuk i pëlqen kjo. Kurse unë mendoj se është një fantazi e bukur e përse jo?” thotë artistja. “Po të mos ishte artiste aq serioze, do të mendoja se kjo është e rrezikshme, por përsa kohë ajo ruan standartet e saja e nuk shket, nuk më duket se është shumë problem” thotë një kritik arti. Dhe për këtë Hirushe ruse, kërcimi me Princin sapo ka filluar.

XS
SM
MD
LG