Lidhje

Trajtimi i stresit: Kujdesi për të moshuarit


Qendra Mjekësore e Universitetit Duke është duke u mësuar pacientëve me zemër si të mbajnë nën kontroll stresin. Ata kanë zbuluar se këto metoda japin të njëjtin rezultat pozitiv si ushtrimet fizike për të ulur rrezikun e problemeve të zemrës.

80-vjeçari Joseph Mazzetta bën kontrolle të shpeshta tek kardiologu pasi 7 vjet më parë zemra nuk furnizohej me oksigjen të mjaftueshëm. Tani ai ndjehet shumë më mirë. Ai është një ndër 134 pacientët që morën pjesë në një studim të Qendrës Mjeksore të universitetit Duke.

Studiuesit i ndanë pacientët në tre grupe- disa iu nënshtruan ushtrimeve fizike, ndër të cilët përfshihej edhe zoti Mazzetta. Një tjetër grup filloi të mësonte metadat e kontrollit të stresit, ndërsa grupi tjetër u mjekua me kujdes të rregullt shëndetësor. Rezultatet e studimit u botuan në Revistën e Shoqatës Mjeksore Amerikane.

Autori i studimit ishte Dr. James Blumenthal: “Pacientët që mësuan metadat për kontrollin e stresit ose bënë ushtrime fizike, arritën përmirësime të ndjeshme në nivelin e problemeve psikologjike, dhe jo vetëm kaq, por arritën edhe përmirësime fizike”.

Kur pacientët kishin stres mendor, ushtrimet fizike dhe metodat për kontrollin e stresit kishin të njëjtin rezultat në uljen e ishemisë, e cila haset kur arteriet e ngushtuara pengojnë ushqimin e zemrës me gjak. Por ata që mësuan metodat e kontrollit të stresit panë edhe rezultate të tjera pozitive, pasi arritën në përmirësim të gjendjes së arterieve dhe të tensionit të gjakut: “Ne u mësuam atyre se ç’ishte stresi, si ta dallojnë si dhe strategjitë për të ulur nivelin e stresit.”

Dr. Blumenthal thotë se është e nevojshme që më shumë mjekë të rekomandojnë metoda për kontrollin e stresit për pacientët me probleme kardiake. “Shumë prej tyre mund të mendojnë se ilaçet mjaftojnë. Mendoj se rezultatet e këtij studimi tregojnë se ushtrimet dhe kontrolli i stresit i rrisin rezultatet e mjekimit të pacientëve.” Joseph Mazzetta pi tre herë në ditë ilaçe për zemrën, dhe vazhdon ushtrimet që mësoi gjatë studimit. “E bëj sepse dua ta zgjas jetën time qoftë edhe me një ditë më shumë.”

Zoti Mazzetta nuk ishte përfshirë në grupin që mësonte metadat për uljen e stresit, por thotë se me fizkulturë të rregullt ka arritur ta mbajë stresin nën kontroll.

Kujdesi për të moshuarit

Çdo ditë mbi 6 mijë amerikanë mbushin moshën 65 vjeç dhe barra për sigurimin e tyre shëndetësor shpesh u bie pjestarëve të familjes më të rinj në moshë por më të zënë me punët e përditëshme. Aktorja e njohur amerikane Anxhelika Huston ka një përvojë në këtë drejtim. Ajo u kujdes për babain e saj regjisorin e Hollivudit, John Huston. Tani Anxhelika po përpiqet të tërheqë vëmendjen e opinionit publik ndaj sfidave që amerikanët përballen gjatë kujdesit për të afërmit e të dashurit e moshuar.

“Kur babai im u diagnostikua nga efizema, unë nuk dija asgjë rreth kësaj sëmundjeje. Unë thjesht dija se babai merte frymë me vështirësi dhe ishte dobësuar shumë. Kjo ishte për mua një dhimbje dhe shqetësim i madh”, thotë bija e regjizorit të njohur.

Mbi 25 përqind e familjeve amerikane në një farë shkalle ndeshen me probleme të ngjashme Dhe kërkesat për kujdesje të tilla shpesh sjellin probleme e vuajtje të mëdha.

Aktorja Axhelika Huston e di këtë nga përvoja personale. “Kur babai im u sëmur unë u gjenda plotësisht e papërgatitur. Nuk dija çfarë të bëja dhe ndjeva mbi vete një përgjegjësi të jashtëzakonëshme.”

Doktor Mark Beers është kryeredaktor i revistës së përjavëshme Merk Manual me këshilla mbi kujdesin për të moshuarit. “Sistemi shëndetësor është shumë i ndërlikuar, prandaj kjo revistë përbën një burim të ri për të moshuarit dhe për ata që kujdesen për ta. Në këtë revistë gjenden përgjigje të shumë pyetjeve rreth kujdesit shëndetsor për të moshuarit”, thotë doktor Beers.

Anxhelika Huston: “Mendoj se sa më shumë njohuri të keni aq më mirë i vini në ndihmë personit që ju kujdeseni. Kur babai im u diagnostikua me emfizema, unë nuk dija se çfarë pyetje t’i bëja mjekut. Sikur atëhere të ekzistonte revista Merk Manual, unë do të kisha qënë më e informuar dhe më e qetë.”

Ndryshe nga librat mbi plakjen që përqëndrohen mbi mënyrat se si të vonohet ky proces, Revista Merk Manual trajton hapur ndryshimet dhe sfidat e plakjes. Libri është një botim pa përfitime ekonomike dhe është pjesë e shërbimit që ofron firma Merk.

XS
SM
MD
LG