Lidhje

E ardhmja e Ballkanit në Bashkimin Evropian


Një grup i pavarur, i përbërë nga ekspertë dhe politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara thekson nevojën e një plani të qartë veprimi ku të parashtrohen kushtet dhe afatet për antarësimin e ardhshëm të vendeve të Ballkanit në Nato dhe në Bashkimin Evropian. Komisioni Ndërkombëtar mbi Ballkanin, thekson në raportin e tij të ri të titulluar 'E ardhmja evropiane e Ballkanit,' se integrimi i këtij rajoni në komunitetin euro-atlantik është garanci për qëndrueshmëri dhe përparim ekonomik dhe politik të Ballkanit. Raporti u prezantua njëkohësisht në Bruksel dhe Uashington ditën e martë.

Komisioni propozon që Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit të hartojnë një marrëveshje të re mbi reformat e nevojshme rajonale për përmbushjen e kushteve të antarësimit. Anëtarët e Komisionit theksuan se marrëveshjet tranzitore të viteve ’90 po bëhen pengesë për reformat ekonomike dhe politike:

"Synimi i këtyre marrëveshjeve ishte të ndalnin konfliktet dhe të hapnin rrugën për ndihma ndërkombëtare. Por tani ato janë bërë kundër-produktive. Statu-kuoja nuk mund të mbijetojë. Shumë ndihma ndërkombëtare nuk do të japin rezultatin e dëshiruar nëse nuk fillojnë të vërshojnë investimet e huaja dhe nëse popujt e Ballkanit nuk kanë një vizion të qartë të drejtimit të tyre," tha zoti Kemal Dervish, anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin dhe deputet në parlamentin turk. Ai thekson se Bashkimi Evropian duhet të synojë integrimin e mbarë Ballkanit.

"Këto vende janë të vogla dhe si rezultat nuk mund të mbijetojnë ekonomikisht të izoluara. Për këtë duhet të hapet tregu i rajonit dhe nevojitet një bashkëpunim ekonomik ndërmjet vendeve ballkanike. Komisioni propozon që në vjeshtë të vitit 2006 të zhvillohet një takim i nivelit të lartë ndërmjet BEdhe Ballkanit, ku secilit vend ballkanik t’i parashtrohet plani i veprimit për antarësim.

Antarësimi në Nato, theksuan pjesëmarrësit në diskutim, është gjithashtu një strategji e rëndësishme e integrimit euroatlantik të Ballkanit. Komisioni propozon që ministrat e jashtëm të Natos, në takimin e qershorit duhet t’u dërgojnë një mesazh të qartë vendeve të Kartës së Adriatikut se do të marrin ftesën për antarësim në Aleancë.

Komisioni shpreh besimin se kushtet aktuale lënë vend për optimizëm se ky rajon është në gjendje të arrijë nivelin e kërkuar për hapjen e negociatave rreth vitit 2009-2010, duke caktuar si objektiv për antarësim vitin 2014.

"Raporti synon të nxisë Komisionin për zgjerimin e Bashkimit të hapë dialogje që i paraprijnë procesit të antarësimit, të cilat të fillojnë menjëherë," thotë presidenti i Projektit për Demokracitë në Tranzicion. "Pra Bashkimi Evropian nuk duhet t'i presë këto vende në vijën e finishit, por duhet të angazhohet drejtpërdrejt në proceset e tyre përgatitore për këtë antarësim," thotë zoti Jackson.

Por anëtarët e komisionit theksojnë se ky proces nuk është garanci dhe se arritja e objektivit kohor për antarësim në 2014 do të varet nga suksesi i çdo vendi në arritjen e parametrave politikë dhe ekonomikë.

"Duhet të jetë e qartë se momenti për fillimin e negociatave dhe antarësimi i plotë do të varet nga mënyra se si përmbush secili vend kushtet paraprake. Këtyre vendeve duhet të shtrohen kushte të qarta politike dhe ekonomike, standarte dhe afate kohore. on camera," thotë zoti Dervish.

Zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës dhe procesi për arritjen në këtë status, theksuan anëtarët komisionit që folën në Washington, janë ndër problemet më të mprehta. Shtyrja e diskutimeve mbi statusin përfundimtar mbart në vetete rrezikun e destabilizimit të Kosovës dhe një precipitim të situatës në gjithë rajonin.

:21:18 "Lidhur me Kosovën ne propozojmë një proces me etapa duke filluar nga gjendja aktuale që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe përcaktimin e qartë të dallimit ndërmjet pavarësisë, sovranitetit dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës," tha ish-ministri i jashtëm serb Goran Svilanoviç.

Pas kësaj faze, raporti rekomandon që procesi të vazhdojë me kalimin e plotë të kompetencave në duart e autoriteteve të Kosovës, ndërkohë që fillojnë negociatat për antarësim në Bashkimin Evropian. Përmes këtij procesi, Bashkimi do të ketë mundësi të sigurohet që Kosova po përmbush detyrimet në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Etapa e katërt do të jetë antarësimi i plotë i Kosovës në BE, pra një sovranitet i përbashkët me Bashkimin Evropian.

"Afati kohor i këtij procesi," thotë presidenti i Projektit për Demokracitë në Tranzicion, Bruce Jackson, "varet nga vetë shqiptarët e Kosovës. Ata mund të përparojnë me shpejtësi ose me ritme të ngadalta drejt këtij objektivi për të marrë mbi vete përgjegjësinë për veprimet e tyre."

Ky proces, theksuan anëtarët e Komisionit do të ecë paralelisht me përparimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ata theksuan shpresën si kjo alternativë do të përqafohet nga Beogradi pasi ka si objektiv përfundimtar përfshirjen e si të Serbisë ashtu edhe të Kosovës në Bashkimin Evropian. Kjo theksojnë ata është e vetmja zgjidhje që i ofron Serbisë motive të qarta për ta pranuar një ndryshim të tillë rrënjësor në statusin e Kosovës.

Megjithëse vetë fokusi i raportit ishte e ardhmja e Ballkanit në Bashkimin Evropian, anëtarët e Komisionit theksuan se Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol më aktiv në rajon dhe theksojnë se vetëm me një bashkërendim të politikave në të dyja anët e Altantikut, Ballkani do të arrijë të kapërcejë të kaluarën e trazuar dhe të inkuadrohet në gjirin e komunitetit të vendeve evropiane.

XS
SM
MD
LG