Lidhje

Luniku: Statistikat shqiptare të dobëta


Çdo ekonomist do të impresionohej nga shifrat që jepen për rritjen ekonomike të Shqipërisë, thotë Kristaq Luniku, ish guvernator i Bankës së Shqipërisë, tani asistent i drejtorit Ekzekutiv të Bankës Botërore për Shqipërinë. Megjithatë Shqipëria mund të arrinte më shumë po të përmirësonte klimën e biznesit.

Kristaq Luniku: Problem qëndron situata dhe klima e biznesit në Shqipëri. Duke u përmirësuar ajo atëhere do të bëhet e mundur që të lehtësohet lëvizja e kapitalit privat qoftë të brendshëm apo të huaj në Shqipëri, bashkë me një rol më aktiv të sektorit financiar në Shqipëri për kreditimin e ekonomisë, vetëm atëherë do të bëhet e mundur që të rruhet kjo rritje e qëndrueshme prej 6 % por në radhë të parë të arrihen rritje ekonomike në nivelet 9 apo 10 përqind ashtu siç po shohim edhe në vende të tjera të rajonit në kuadrin e një përmirësimi të ekonomisë globale. Padyshim që deficiti tregëtar dhe disiplina fiskale qëndron një nga problemet themelore që shqetëson qoftë Fondin apo Bankën dhe vete autoritetet shqiptare. Megjithatë duhet theksuar se defiçiti ka një trend zbritës por ulja e deficitit buxhetor do të vijë vetë nga rritja ekonomike. Ajo që mbetet pika kryesore në këtë drejtim është përmirësimi i administratës së taksave dhe tatimeve, asaj fiskale, përmirësimi i strukturave dhe institucioneve që merren me taksa dhe tatime dhe njëkohosisht rritja dhe forcimi i kapaciteteve të hartimit të politikave fiskale në Shqipëri nga ana e Ministrisë së Financave.

Zëri i Amerikës: Në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë jepen shumë shifra; 6 % rritje ekonomike, 0,4 % ulje të papunësisë... Sa të sakta janë statistikat në këto raporte?

Kristaq Luniku: Ne po bisedonim pak më parë në se ka impakt politika shqiptare në statistikat. Ajo që më shqetëson më tepër sesa ndërhyrja e politikës shqiptare dhe që është shqetësim i përgjithshëm i këtyre institucioneve është se statistikat shqiptare janë të dobta. Ka patur përmirësime në drejtim të statistikave monetare të cilat janë përfshirë në librin e standarteve ndërkombëtare. Statistikat fiskale duhet të përmirësohen por më akute janë statistikat e rritje ekonomike, papunësia, inflacioni, të investimeve e me rradhë. Gjithashtu kjo është më tepër e lidhur edhe me anën e burimeve nga të cilat vijnë statistikat duke përfshirë këtu qoftë Institutin e Statistikës, pjesmarrjen e institucioneve të tjera në hartimin e këtyre statistikave por në radhë të parë atë që ne e quajmë mirëadministrim i korporatave apo i ndërmarrjeve, në aspektin fiskal, financiar, në aspektin bankar, në aspektin e administrimit të risqeve të tyre dhe i bilanceve të tyre. Pra duhet të bëhet më shumë në zbatimin e standarteve ndërkombëtare të rregullave të kontabilitetit, të kontrollit dhe auditimit, të rregullave të vlerësimit të risqeve e kështu me radhë. Vetëm duke patur këta tregues sipas standarteve ndërkombëtare atëhere do të krijojmë statistika mbi informacione që janë të qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Guvernatori Fullani mori iniciativën për kalimin e shitjes së bonove të thesarit në bankat e nivelit të dytë ndërkohë që FMNja tha se kjo mund të sjellë probleme. Përse?

Kristaq Luniku: Është një problem që ne e kemi diskutuar gjërësisht qoftë me autoritetet shqiptare me Bankën Qëndrore apo me misionet e FMNsë që merren me Shqipërinë. Shitja e bonove të thesarit nga një bankë qëndrore nuk është një aktivitet thelbësor i një banke qëndrore. Megjithatë tregëtimi i letrave me vlerë duhet të zhvillohet më tepër në hapësirë, në instrumentat të cilat përdor dhe këtu hyn krijimi i një tregu sekondar që të mos marrin pjesë vetëm bankat por çdo individ të ketë të drejtë ti investojë paratë e tij edhe në letrat me vlerë. Problemi është që në qoftëse kjo është një letër një vjeçare ti do ta blesh do ta mbash për një vit, kur ajo të maturohet pastaj do të vendosësh çfarë do të bësh me kursimet e tua. Ndërsa krijimi i një tregu sekondar ku padyshim bankat e nivelit të dytë, institucionet financiare luajnë një rol shumë të rëndësishëm, kjo do të krijojë mundësinë që ky treg, interesat ti bëj sa më të përshtatshme, do të rrisi konkurencën me bankat e nivelit të dytë dhe njëkohësisht do të fillojë të afrojë mundësi qoftë për bankat të menaxhojnë më mirë risqet e tyre, portofolet e tyre, të diversifikojnë asetet e tyre por njëkohësisht edhe për individët që do të kenë mundësi më të mira për të investuar dhe për të administruar kursimet e tyre. Edhe vetë Bankës së Shqipërisë i krijohen mundësi më të mira për të kryer dhe transmetuar politikën e saj monetare në mënyrë më efektive. Nisma që mori guvernatori Fullani është për tu përgëzuar sepse në radhë të parë parashtron një plan masash sesi mund të ecet për të arritur këto objektiva midis atyre që i emetojnë bonot e thesarit që është ministria e financave, pra shteti, lojtarëve të tregut, bankave tregëtare dhe regullatorëve. Një ide tjetër është që a mundet që vetë Ministria e Financave të hapi këtë dritare për të krijuar mundësinë që individët të marrin pjesë në shitjen e këtyre bonove të thesarit. Ne shumë vende, ministritë, thesaret e tyre e luajnë këtë rol por duhet të kemi parasysh që ato kanë kapacitete jashtëzakonisht të mira.

Zëri i Amerikës: Shqipëria është në prag të zgjedhjeve elektorale. Sa i efektshëm ka qënë zbatimi i reformave nga kjo qeveri.

Kristaq Luniku: Në se sheh rritjen ekonomike 6 % dhe uljen e varfërisë, megjithëse ajo vazhdon të jetë e theksuar në Shqipëri, privatizimin komplet të sektorit financiar, reformat strukturore që kanë ecur, gjithkush do të thoshte që arritjet janë shumë të mira. Problemi është sa shpejt ecim ne, në çfarë treni jemi. Jemi në atë që ka shumë ndalesa, apo në më të shpejtin? Pra jam i mendimit që Shqipëria duhet të ketë një rritje ekonomike ndoshta edhe më të lartë në nivelet 9 apo 10 përqind. Sfidat kryesore padyshim janë përmirësimi i klimës së biznesit, zbatimi i ligjeve, krijimi i mundësive që kapitali i brendshëm dhe i huaj të lëvizë në bazë të standarteve ndërkombëtare, por padyshim përmirësimi i institucioneve pra lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

XS
SM
MD
LG