Lidhje

Bob Hand: Nëse zgjedhjet në Shqipëri nuk janë të rregullta, ky do të ishte një hap i madh prapa


Një këshilltar i Komisionit amerikan për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, tha se nëse kodi i sjelljes për zgjedhjet e këtij viti në Shqipëri zbatohet nga forcat politike, kjo do të shtonte shanset që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Bob Hand tha gjithashtu se nuk është më e justifikueshme që zgjedhjet në Shqipëri të mos i plotësojnë standardet ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, partitë politike në Shqipëri kanë nënshkruar një kod të etikës për zgjedhjet e kësaj vere, të propozuar nga Presidenti i Republikës. Sa i rëndësishëm mendoni ju se është ky kod?

Bob Hand: Mendoj se është një hap shumë i rëndësishëm dhe pozitiv. Janë bërë disa ndryshime në ligjin zgjedhor, përmirësime që t’u japin shansin zgjedhjeve të jenë të lira dhe të rregullta. Tani unë mendoj se u takon faktorëve atje që të mundësojnë mbajtjen vërtet të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kuadri ligjor ekziston tashmë. Ky kod nëse zbatohet është vërtet një shans i mirë që zgjedhjet të plotësojnë standardet ndërkombëtare. Veçanërisht sepse kur fillon fushata, gjendja tensionohet, dhe nuk dihet se ç’do të ndodhë. Pastaj në ditën e zgjedhjeve të gjithë do të vrasin mendjen se cili do të jetë rezultati. Pranimi i këtij kodi mendoj se është një mënyrë kontribuar për të garantuar që vullneti politik të përputhet me kuadrin ligjor, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të rregullta në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Në zgjedhjet e kaluara, komuniteti ndërkombëtar ka përdorur një gjuhë jo shumë të qartë duke i përshkruar shpesh si votime që kanë bërë një hap përpara në krahasim me të kaluarat dhe duke i vendosur në kontekstin e zhvillimeve në vend. Pse do të jetë ndryshe këtë here dhe sa përgjegjësi do të ketë komuniteti ndërkombëtar në përdorimin e një vlerësimi të saktë që nuk do t’u linte shteg partive politike të thoshin që zgjedhjet nuk janë të rregullta?

Bob Hand: Varet nga mënyra sesi do të mbahen zgjedhjet. Së pari, këtë radhë duhet të jetë ndryshe, sepse shumë nga zgjedhjet e kaluara, për shkak të trazirave civile, ose sepse vendi po kapërcente trashëgiminë e periudhës së komunizmit, duhej të vendoseshin në një kontekst të caktuar dhe gjithmonë kishte dyshime të konsiderueshme që Shqipëria mund t’i plotësonte ato standarde në tranzicionin drejt një vendi demokratik. Tani mendoj se është e qartë që Shqipëria mund ta hedhë këtë hap dhe nuk ka më nevojë për justifikime për mosplotësimin e standardeve. Përveç kësaj mendoj se një nga arsyet që vlerësimi ka qenë disi i papërcaktuar qartë për ecurinë e zgjedhjeve në Shqipëri, është se në disa zona për shembull vëzhguesit nuk gjejnë probleme, ndërsa në disa të tjera ato janë jashtëzakonisht të mëdha. Kjo e bën të vështirë një vlerësim të përgjithshëm. Shpresoj se duke patur parasysh se cilat kanë qenë problemet në të kaluarën dhe duke mos lejuar që ato të ndodhin në këto zgjedhje, jo vetëm që ato mund t’i plotësojnë standardet ndërkombëtare në përgjithësi, por do të ketë mbarëvajtje të tyre edhe në zonat e veçanta dhe përmirësim në mbajtjen e votimit.

Zëri i Amerikës: Problemet kryesisht me votimet në Shqipëri nuk kanë qenë të natyrës teknike, por politike dhe kanë të bëjnë me mungesën e besimit mes forcave kryesore politike në Shqipëri. Sa e mundur mendoni se do të jetë të zbatohen standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve në një klimë të tillë mosbesimi politik mes forcave kryesore?

Bob Hand: Komuniteti ndërkombëtar nuk ka ndonjë gjë në dorë për të zgjidhur problemin e mosbesimit në sistemin politik të një vendi. Për këtë duhet të punojnë vetë partitë politike, vetë elektorati duhet t’u thotë udhëheqësve politikë që të punojnë së bashku, t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe jo të polarizojnë situatën. Ditën e zgjedhjeve mund të ketë shumë probleme teknike, por mendoj se meqenëse kërkohet që këto zgjedhje të zbatojnë standardet, si komuniteti ndërkombëtar, ashtu edhe zyrtarët e zgjedhjeve të të gjitha niveleve në Shqipëri, do të bëjnë të gjitha përpjekjet jo vetëm për të parandaluar problemet qoftë edhe aksidentale, por të jenë gjithashtu në gjendje t’i zgjidhin me shpejtësi në rast se ndodhin, në mënyrë që të mos rrezikojnë integritetin e zgjedhjeve në tërësi. Unë do t’u bëja thirrje lojtarëve politikë që të respektojnë marrëveshjen mes tyre dhe kodin që nënshkruan, të zhvillojnë një fushatë konkurrente por të ndershme dhe mbi të gjitha të dëgjojnë ato që thotë elektorati, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe të përpiqen t’i zgjidhin dhe jo t’u diktojnë atyre se ç’duhet të bëjnë. Mendoj se Shqipëria do të përfitonte nga udhëheqës të mirë, që ta kuptojnë më mirë se cilat janë problemet aktuale të vendit dhe t’i zgjidhin këto probleme për të mirën e qytetarëve të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Shpesh është thënë se këto zgjedhje janëshumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Cili do të ishte komenti juaj? Por gjithashtu cili do të ishte komenti për rëndësinë që ka mbajtja e zgjedhjeve të rregullta dhe të lira në Shqipëri për Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar duke patur parasysh kontekstin rajonal, pra sa e rëndësishme është për komunitetin ndërkombëtar një Shqipëri e qëndrueshme politikisht?

Bob Hand: Këto zgjedhje janë para së gjithash jashtëzakonisht kritike për Shqipërinë, pasi shumë vende të tjera të rajonit po i kapërcejnë problemet përsa u takon zgjedhjeve. Ata po merren me çështje të shtetit ligjor duke punuar së bashku dhe integrimi po ecën përpara me një ritëm gjithnjë e më të shpejtë. Dhe mbajtja e zgjedhjeve jo të rregullta, sipas standardeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, do të ishte një hap shumë i madh prapa përsa u takon shanseve të Shqipërisë për anëtarësim në isntitucionet evropiane dhe euro-atlantike. Kjo është e rëndësishme edhe për Shtetet e Bashkuara, sepse Shqipëria është një mik i mirë i Shteteve të Bashkuara dhe ne duam që ky vend të ecë përpara, ne duam që Shqipëria të integrohet në Evropë dhe në institucionet euro-atlantike. Ne nuk do të komprometojmë vështirësitë që ata duhet të kapërcejnë për të hyrë në këto institucione, por ne duam që ata t’i kapërcejnë këto vështirësi, që të jenë jo vetëm një vend mik, por edhe aleat, që të bëhet një partner në tregëti në Bashkimin Evropian dhe për çdo lloj rruge që ata vendosin të ndjekin. Besoj se kjo do të ishte më e mira për Shqipërinë, për Shtetet e Bashkuara dhe për këdo, që të mos ketë pengesa në synimet e Shqipërisë. Dhe për këtë arsye unë shpresoj që këto zgjedhje të shkojnë mirë, sipas këndvështrimit të Shteteve të Bashkuara. Si dikush që punon në Washington dhe që ka lidhje të vazhdueshme me OSBE-në, mund të them që standardet janë të qarta dhe megjithëse ne duam që Shqipëria të jetë e suksesshme, këto standarde vendosen për një arsye dhe nëse ne fillojmë të bëjmë kompromise, shkaktohen probleme të tjera jo vetëm me Shqipërinë, por edhe në vende të tjera, përsa i takon besueshmërisë dhe shtysave ndaj vendeve të tjera për të ecur përpara. Përveç kësaj, standardet nuk vlejnë vetëm për zgjedhjet, por për gjithçka tjetër. E para gjë që duhet të bëjë Shqipëria pas procesit zgjedhor, është të fillojë që të merret me problemet e korrupsionit në vend dhe ka standarde edhe në këtë drejtim, përsa i takon shtetit ligjor, dhe nëse për ndonjë arsye, ose për tjetrën ne bëjmë kompromise me standardet, në thelb ne do ta pengonim Shqipërinë që të ecte përpara. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është që të jemi të vendosur në kërkesat për zbatimin e tyre, por njëkohësisht të shfaqim besim që Shqipëria mund t’i zbatojë ato dhe të mbajë zgjedhje të rregullta.

XS
SM
MD
LG