Lidhje

Një senator amerikan do të paraqesë një rezolutë për zgjedhjet në Shqipëri


Senatori Sam Brownback, kryetar i Komisionit amerikan të Helsinkit, bëri të ditur se do të paraqesë në Senat një rezolutë ku do të bëjë thirrje që zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri të jenë të drejta dhe të lira. Senatori tha se e kishte marrë këtë vendim pas një bisede telefonike që kishte patur me zotin Erion Veliaj të lëvizjes Mjaft. Midis zyrtarëve amerikanë dhe këtu përfshihet edhe Kongresi, ka filluar që prej disa muajsh një interesim i veçantë për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.

Ka një shqetësim se më 3 korrik mund të përsëriten problemet që kanë shoqëruar vazhdimisht zgjedhjet në Shqipëri. Senatori Brownback, i cili është kryetar i Komisionit amerikan të Helsinkit, një agjenci federale e pavarur amerikane, thotë në deklaratën e tij se demokracia në Shqipëri vazhdon të jetë në themele të lëkundura. Megjithëse Shqipëria ka rastin të mbajë zgjedhje parlamentare në përputhje me standardet ndërkombëtare, ka shqetësime se mungesa e transparencës e bën procesin të ekspozuar ndaj taktikave të paligjshme të votimit pastrimit të parave.

Duke e përqendruar vemendjen te Shqipëria, thotë senatori Brownback, Komisioni mund të luajë një rol të dobishëm për stabilizimin e demokracisë shqiptare.

"Do të dëshiroja, thotë senatori, që Komisioni i Helsinkit dhe Kongresi në tërësi, të luajnë një rol aktiv përsa i përket Shqipërisë. Rezoluta ime, thotë ai, do të tërheqë vemendjen e Kongresit për faktin se populli liridashës i Shqipërisë ka nevojë për mbështetjen tonë".

Senatori Brownback i bëri komentet pas një bisede telefonike me Erion Veliajn e Lëvizjes Mjaft. Senatori e thotë shprehimisht se lëvizja Mjaft është një organizatë rinore që punon për të përmirësuar demokracinë si dhe për të luftuar korrupsionin. Ajo është treguar aktive në disa aspekte kritike të jetës në Shqipëri, siç është gjallërimi i shoqërisë civile dhe rritja e përgjegjshmërisë së zyrtarëve ndaj popullit.

"Lëvizja Mjaft, thotë senatori në deklaratën e tij, nuk përqendrohet thjesht tek zgjedhjet sepse ajo e kupton që demokracia nuk është thjesht çështje e votave".

Veçanërisht kjo Lëvizje bëri një përshtypje pozitive te anëtarët e Kongresit amerikan gjatë seancës së Komisionit të Helsinkit për Shqipërinë këtu në Uashington në qershor të vitit të kaluar. Dhe aktualisht, Lëvizja Mjaft ka marrë disa nisma interesante për sensibilizimin e të rinjve që ata të marrin pjesë në zgjedhje.

Përsa u përket zgjedhjeve, Komisioni amerikan i Helsinkit është shprehur herë pas here qoftë në diskutime të posaçme këtu në Uashington ose nëpërmjet këshilltarëve të vet, për rëndësinë e veçantë që kanë zgjedhjet e korrikut për Shqipërinë dhe ka bërë thirrje që këto zgjedhje të jenë të drejta dhe të lira.

XS
SM
MD
LG