Lidhje

Zonja e Parë me humorin e saj, shfaq anën njerëzore të familjes presidenciale


Këto ditë po flitet shumë për shakatë e Zonjës së Parë Laura Bush në darkën e përvitshme të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Zonja Bush e befasoi audiencën me shakatë e saj për të shoqin, Presidentin Bush. Reagimi ndaj fjalimit të saj, si nga i shoqi, ashtu edhe nga publiku tregon ndoshta se çfarë udhëheqësish pëlqejnë amerikanët dhe se çfarë roli luajnë gratë në jetën politike amerikane.

Pikërisht kur presidenti Bush po tregonte një shaka që shumica e të ftuarve në darkë e kishte dëgjuar…

"Prapë këtë shaka të vjetër po tregon?"

…ai u ndërpre nga Zonja e Parë Laura Bush.

"U bënë kaq vjet që vij në këto darka dhe nuk e hap gojën. Tani dua të them edhe unë ca gjëra".

Pas kësaj ajo vazhdoi me disa shaka, duke bërë humor me të shoqin. Fillimisht me faktin që ai fle herët.

"George thotë gjithmonë se i pëlqen këto lloj darkash. Kjo s’është e vërtetë sepse në këtë orë, ai zakonisht është në gjumë. Një ditë i thashë: George, nëse do ta luftosh tiraninë në botë duhet të flesh pak më vonë".

Ajo bëri shaka edhe me vështirësitë që kishte George Bush, djali i një familjeje të privilegjuar për t’u përshtatur me jetën e Teksasit.

"Unë jam krenare për George-in. Ai ka mësuar shumë gjëra që nga viti i parë në Teksas kur donte të milte një kalë. Dhe ç’është më e keqja, një kalë mashkull".

Shakatë u pritën me të qeshura jo vetëm nga audienca, por edhe nga Presidenti Bush dhe nga opinioni publik në përgjithësi. Historiani Allan Lichtman thotë se fjalimi i saj u pëlqye aq shumë sepse nxjerr në pah anën njerëzore të udhëheqësve amerikanë.

"Ne këtu në Amerikë nuk kemi as monarki, as aristokraci. Kështuqë për ne aristokratë janë Presidenti dhe Zonja e Parë, por gjithsesi ne nuk i shohim ata si diçka të pakapshme dhe të largët. Ne na pëlqen që ata të jenë mbi ne, por gjithsesi të jenë të thjeshtë. Po ashtu ne na pëlqen kur njerëzit tallen me veten, siç bëri Zonja e Parë".

"Çfarëdo problemesh që ka në fermë, George i zgjidh njëlloj: me një sharrë. Më duket se prandaj ai merret vesh aq mirë me Cheneyn dhe Raumsfeldin", tha zonja Bush.

Profesor Lichtman thotë se prania e Zonjës së Parë në skenë dhe shakatë që ajo bëri për gra në pozita të rëndësishme dërgojnë një sinjal lidhur me gratë në Amerikë.

"Mendoj se kjo i tregon gjithashtu botës që ne nuk i fshehim gratë tona diku në një qoshe. Laura Bush bëri shaka jo vetëm për Presidentin, por edhe për Sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice".

Deri tani Zonja e Parë kishte krijuar një imazh më serioz në publik, si mbrojtëse për problemet e arsimit dhe të drejtat e grave në Afganistan. Ky fjalim shfaqi një aspekt të ndryshëm dhe shumë me humor të Laura Bushit.

XS
SM
MD
LG