Lidhje

Bregasi: Shantazhet e Ambasadorit më detyruan të përgjojë bisedën


Zëri i Amerikës: Fillimisht a mund të na shpjegoni variantin tuaj të incidentit me ambasadën shqiptare, me Ambasadorin Tarifa?

Indrit Bregasi: Ne kemi punuar për ambasadën shqiptare për një periudhë prej dy vjetësh dhe kemi ofruar shërbimet tona si firmë modeste ndërtimi në zonën e Uashingtonit. Kemi qënë pjesëmarrës për riparime të ndryshme dhe tashti më së fundi, morrëm pjesë në tenderin që ambasada shqiptare organizoi për të bërë mirëmbajtjen dhe rregullimet në ambasadë dhe ndihmuam ambasadorin drejtëpërdrejtë për mbarëvajtjen e këtij projekti.

Zëri i Amerikës: A filluan punimet në amabasadë për këtë tender?

Indrit Bregasi: Ambasadori Tarifa ka firmosur kontratën, firma jonë fitoi tenderin. Unë kam sjellë këtu kopjen origjinale të kontratës, me firmën e Ambasadorit Tarifa.

Zëri i Amerikës: Pra ju fituat tenderin, por punimet në ambasadë nuk filluan?

Indrit Bregasi: Punimet nuk filluan, pasi siç ka bërë të ditur ambasadori, paratë nuk janë lëvruar ende në llogarinë e ambasadës.

Zëri i Amerikës: Atëhere çfarë ndodhi midis jush dhe ambasadorit?

Indrit Bregasi: Kjo është zhvilluar në dy plane. Njeri është plani personal. Ambasadori kishte një periudhë 6 mujore, që kërkonte një sasi të caktuar lekësh, 4 mijë e 500 dollarë për të qënë më i saktë, për të nxjerrë nga shtëpia botuese një libër, që ai e kishte çuar aty dy vjet më parë. Mbas tentativave të ndryshme të ambasadorit, rashë dakort t’ia jepja privatisht shumën prej 4 mijë e 500 dollarësh. Nga ana tjetër ne kishim kontratat, ishim strikt në biznes, në bazë të rregullave të lojës, që bëhet këtu në Shtetet e Bashkaura, ku kontratat janë të përpiluara me avokat.

Zëri i Amerikës: A është shkëmbyer ndonjë pare, pra a janë dhënë pare fizikisht nga ambasadori tek ju, ose nga ju tek ambasadori?

Indrit Bregasi: Unë i kam dhënë Ambasador Tarifës 3 mijë e 500 dollarë amerikanë, në formë kesh, nga llogaria ime personale bankare. U la që këto t’ia jepja me dy këste, për arësye teknike me bankën. Kur unë vonava përgjigjen për tre-katër ditë për shumën e dytë, ambasadori filloi të bënte presione, shantazhe dhe kërcënime në telefon. I thashë në telefon se kjo ishte absurde dhe dola e takova të nesërmen duke i thënë se nuk do ta vazhdoja më kontratën me ambasadën. I thashë që nuk i jam i interesuar për këtë marrëveshje dhe i kërkova lekët e mija. Ambasadori e mohoi. Kështu u detyrova, edhe me këshillën e avokatit personal, të bënim regjistrimin e bisedës telefonike, e cila hedh dritë mbi faktet dhe mënyrën si është zhvilluar gjithë ngjarja.

Zëri i Amerikës: Ju pretendoni se në ambasadë keni kryer punime dy vjet më parë, apo jo?

Indrit Bregasi: Po, sigurisht.

Zëri i Amerikës: Nga regjistrimi i bisedës kuptohet se ka shkelje si nga një zyrtar publik, me fondet publike të amabasadës, po ashtu aty kuptohet që bëhet shkelje edhe nga ju, për praktika jo të ndershme biznesi, për ta faturuar ambasadën më shumë se ç’duhet, që ju të merrni paratë që i keni dhënë ambasadorit privatisht. A kanë ndodhur raste të tjera të kësaj natyre, me këtë ambasadë, gjatë dy vjetëve që ju keni kryer punime atje?

Indrid Bregasi: Kjo nuk ka ndodhur as më parë, e as tashti. Çdo marrëdhënie që është kryer midis firmës time dhe ambasadës shqiptare ka qënë në bazë të rregullave të lojës të biznesit në Amerikë. Nuk e di si bëhen kontratat në Shqipëri, por kontratat e mia janë të përpiluara nga një grup avokatësh që merren me këtë punë. Ne kemi punuar për ambasadën dhe të them sinqerisht që, duke qënë shqiptarë dhe duke qënë të interesuar për mbarëvajtjen e punëve në ambasadë, duke patur parasysh edhe faktin që ambasadori ka bërë gjithmonë të ditur se fondet për ambasadën nuk kanë qënë kurrë të mjaftueshme, ne kemi ofruar gjithmonë shërbimet tona dhe jemi treguar shumë modestë në çmimet me ambasadën. Marrëdhëniet e mia me ambasadën në këtë drejtim, kanë qënë gjithmonë në disfavorin tim ekonomik. E kam bërë thjesht si një qytetar që pata mundësi të ofroja diçka pozitive për ambasadën e shtetit për të cilin unë jam krenar.

Zëri i Amerikës: Atëhere si ju lindi ideja për të bërë regjistrimin e bisedës, cili ishte motivi kryesor?

Indrit Bregasi: Unë u befasova nga sjellja e ambasadorit. Ishte diçka që nuk e prisja, më befasoi, duke patur parasysh që ai është një titullar dhe duhet të jetë shembull për të gjithë qytetarët që jetojnë në zonën e Uashingtonit. Fakti që ai filloi të bënte shantazhe dhe presione në telefon, unë kam zërin e tij në sekretarinë telefonike, ia shpreha këtë shqetësim avokatit tim, i cili më sugjeroi të përgjonim bisedën dhe t’ia çonim organeve përkatëse në Shqipëri që kjo çështje të marë drejtimin e duhur. Ky ishte motivi.

Zëri i Amerikës: Ju nuk bëtë ndonjë përpjekje për t’u ankuar në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për të marrë paret?

Indrit Bregasi: Unë ia bëra të qartë zotit Tarifa, i thashë në bisedën para se të shkonim tek finalja, i thashë që unë dua lekët e mia, dua ta mbyll këtë çështje, nuk dua të kem të bëjë më me ambasadën dhe këtë mënyrë të korruptuar. Kaseta flet vetë dhe ambasadori madje më bëri ofertë në bisedën telefonike të regjistruar, që unë të kthehesha dhe të merrja shumën e dhënë hua prej meje personalisht tek ai, dhe ta merrja me buxhetin e ambasadës, të cilën nuk e pranova dhe çështja erdhi deri këtu ku është tani.

Zëri i Amerikës: A do ta ndiqni këtë çështje në organet e drejtësisë në Shqipëri?

Indrit Bregasi: Unë do të ve në dispozicion të gjithë dokumentacionin që kam, për t’i dhënë lehtësi organeve kompetente për ta çuar këtë në drejtimin e duhur.

XS
SM
MD
LG