Lidhje

Agim Çeku: Statusi përfundimtar i Kosovës duhet të jetë pavarësia


Agim Çeku, komandant i Trupave për Mbrojtjen e Kosovës, ndodhet për një vizitë private në Shtetet e Bashkuara ku do të zhvillojë takime me anëtarë të Kongresit amerikan, zyrtarë të mbrojtjes e të tjerë. Të hënën ai mori pjesë në një takim në Institutit Amerikan të Paqes ku ndërmjet të tjerash tha se aspiratat e tij janë të njejta me ato të popullit të Kosovës dhe pret si të gjithë shqiptarët e tjerë të Kosovës që statusi përfundimtar i saj të jetë pavarësia.

Pas përfundimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë dhe largimit të forcave sërbe prej andej në qershor të vitit 1999, ish Ushtria për Çlirimin e Kosovës u transformua në Trupat për Mbrojtjen e Kosovës, TMK, një agjenci civile e ngarkuar t’u përgjigjet situatave emergjente dhe nevojave të rindërtimit. Roli i TMK-së është mbrojtja e popullatës së Kosovës kundër fatkeqësive natyrore apo shkatërrimeve njerëzore, si dhe të ndihmojë në rindërtimin e Kosovës në aspektin e shërbimeve publike dhe në projekte sociale.

Ndërkohë që po afrohet afati për vlerësimin e zbatimit të standardeve të komunitetit ndërkombëtar për Kosovën, edhe puna e TMK-së do të vlerësohet në përputhje me to. A i ka plotësuar TMK-ja standardet dhe cila do të jetë e ardhmja e saj, ishin dy nga disa çështjet që u diskutuan të hënën në Institutin Amerikan të Paqes. Komandanti i saj, gjeneral Agim Çeku, tha se TMK-ja i ka plotësuar të gjitha standardet, me përjashtim të pjesëmarrjes në të të sërbëve, që prashikohet në masën 10% përqind, por aktualisht prania e tyre është 5% , gjë që ka të bëjë vetëm me vullnetin dhe perceptimin e tyre se nuk janë pjesë e shoqërisë së integruar të Kosovës.

"Në të gjitha aspektet e misonit të saj TMK-ja ka shënuar mjaft suksese, dhe ka krijuar imazhin e një organizate civile, si një faktor pozitiv për ndryshime shoqërore, e nevojshme për periudhën e paqes dhe kompromiseve që pasuan luftën. TMK-ja ka bërë një punë shumë të mirë edhe për integrimin e ish forcave të UÇK-së në shoqërinë civile dhe u ka hapur perspektivën atyre për të shërbyer në rindërtimin e Kosovës dhe organizimin e një jete të re në Kosovë".

Dr. Michael Dziedzic, i Institutit Amerikan të Paqes, tha se TMK-ja, si një eksperiment novator, e ka plotësuar objektivin politik për të cilin u krijua, si një zgjidhje e përkohëshme, e nevojshme në kushte të caktuara.

"UÇK-ja u çarmatos apo u çmilitarizua, por nuk u shpërnda, por u shndërua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës për shkak të kushteve në Kosovë, dhe kjo ishte e vetmja mënyrë për të ecur përpara me procesin e paqes. Ky eksperiment i ri ka qënë shumë i suksesshëm për ta nxitur këtë proces dhe për të ndihmuar në integrimin e shoqërisë së Kosovës".

Por çfarë pike konvergjimi kanë ky eksperiment dhe të tjerë si ky, përfshirë zgjedhjet në Kosovë. Daniel Serwer i Institutit Amerikan të Paqes thotë se shqyrtimi i standardeve këtë verë është pikërisht kjo pikë konvergjimi dhe bazuar në këtë vlerësim pritet të përcaktohet statusi i ardhëshëm i Kosovës.

"Mendoj se kjo pikë konvergjimi është vlerësimi i standardeve. TMK-ja është një eksperiment që do të vlerësohet këtë verë sëbashku me 7 eksperimente të tjera. Dhe muaji korrik do të jetë një moment shumë i rëndësishëm konvergjimi. Dhe çfardo që të jetë statusi i Kosovës, që do të përcaktohet dikur në të ardhmen, një gjë është e sigurt se ajo do të jetë anëtare e Komunitetit Evropian".

Por cili është vizioni i gjeneral Agim Çekut për të ardhmen e Kosovës? Ja si u shpreh ai për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Çeku cili është vizioni juaj për të ardhmen e Kosovës?

Agim Çeku: Vizioni im nuk dallon aspak nga vizioni i çdo qytetari tjetër të Kosovës dhe nga vullneti i popullit të Kosovës për një Kosovë të pavarur dhe demokratike, ku të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh origjinën e tyre etnike, apo përkatësinë etnike, do ta ndjejë veten të barabartë, të sigurtë, dhe ta shohin Kosovën si vendin e tyre, një Kosovë e cila do të jetë e hapur ndaj fqinjëve të vet, një Kosovë e cila do të jetë pjesë e Evropës, e NATO-s, në miqësi shumë të afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një Kosovë e cila do të jetë anëtare konstruktive e bashkësisë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Çeku, është folur mjaft për emrin tuaj dhe ndërmjet të tjerave ka edhe akuza për të kaluarën tuaj. Çfarë mund të na thoni për këtë?

Agim Çeku: Ato janë vetëm akuza në sferën e spekulimeve, asnjë nuk ka të bëjë me realitetin. Unë kurrë në jtën time, në punën time, në karierën time, nuk kam bërë ndonjë gjë që të bjerç ndesh me normat ligjore dhe morale. E kam ndërgjegjen krejtësisht të pastërt për çdo gjë që kam bërë.

Zëri i Amerikës: Në korrik të këtij viti, kur komuniteti ndërkombëtar të shqyrtojë plotësimin e standardeve, çfarë prisni?

Agim Çeku: Ne presim një vlerësim pozitiv për plotësimin e standardeve. Në të vërtetë të gjitha institucionet e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe TMK-në kanë bërë një punë shumë të madhe, e kanë marrë shumë seriozisht arritjen e standardeve, jo sepse këtë e kërkon nga ne bashkësia ndërkombëtare, por për arsye se këtë vetë e dëshirojmë, dëshirojmë me të vërtetë të ndërtojmë një shoqëri demokratike e bazuar në standardet bashkëkohore, perëndimore, e të tjerë. Kështu ne presim një vlerësim pozitiv dhe kështu ky vlerësim do të çojë deri në adresimin e çështjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Çeku, ju falemnderit.

Agim Çeku: Ju falemnderit edhe juve.

XS
SM
MD
LG