Lidhje

Imzot Sopi: Pavarësia e Kosovës nuk përbën kërcënim për askënd


Në Shtetet e Bashkuara ndodhet për një vizitë Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopi, i cili nesër do të dëshmojë në Kongresin Amerikan. Imzot Sopi dha një intervistë për “Ditarin” .

Zëri i Amerikës: Imzot Sopi, ju po e vazhdoni “misionin” tuaj në Washington dhe jeni ftuar për një dëshmi në Kongresin Amerikan. Ku do ta bazoni dëshminë tuaj nesër?

Imzot Mark Sopi: Ne do të bazohemi në realitetin tonë kosovar, në veçanti, duke i treguar botës dhe gjithë atyre njerëzve që dëshirojnë ta njohin të vërtetën se në Kosovë nuk ka vetëm shqiptarë myslimanë dhe orthodoksë serbë e malazezë, por se në Kosovë ka edhe katolikë. Kisha katolike ka Ipeshkvinë e vet, me Ipeshkvin, me meshtarë, me murgesha, besimtarë e gjithë të tjerët.

Zëri i Amerikës: Ka mendime të ndryshme për gjendjen në Kosovë, që shpeshherë marrin edhe ngjyrime politike, apo të nisura nga interesa të caktuara. Si do ta përshkruanit ju gjendjen reale në Kosovë?

Imzot Mark Sopi: Gjendja reale në Kosovë nuk është e lakmueshme, por patjetër, që është shumë më mirë se sa ishim më parë. Duke patur parasysh se Kosova ka një popullatë shumë të re, ku rreth 60 për qind janë më të rinj se 30 vjeç, ata kanë nevojë për sot, edhe për një të ardhme. Për këtë arsye, proceset janë të cilat duke u vonuar. Duhet të shpejetohen dhe ky shpjetim nuk duhet bërë pa bërë një përcaktim të Kosovës pra çfarë është Kosova. Duke patur këtë përcaktim të Kosovës, sigurisht që do të mund të vihen edhe ligjet e nevojshme dhe duhen marrë masat e nevojshme, të cilat do të mundësojnë që këta të rinj, por edhe mbarë popullata e Kosovës, të kenë një të sotme të mirë, por edhe një të ardhme më të mirë, siç shpresojnë.

Zëri i Amerikës: Dhe ku ku do të çojë ky proces, sipas mendimit tuaj?

Imzot Mark Sopi: Sipas mendimit tonë, ne nuk jemi njerëz të politikës, por, duke patur parasysh të gjitha rrethanat, ne nuk shohim zgjidhej fatlume, jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë rajonin, përveç pavarësisë. Ne nuk shohim që pavarësi kërcënon ndokënd, pavarësi vetëm se do të sjellë paqen jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë rajonin, prandaj mendoj se me zgjidhjen e problemit të Kosovës do të zgjidhet edhe problemi i mbarë rajonit të Ballkani, sepse pak a shumë tani ka mbetur vetëm kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur dhe ajo duhet shtyrë që të bëhet sa më shpejt.

Zëri i Amerikës: Pikërisht për çështjen e pavarësisë së Kosovës, a përbën ajo një kërcënim për ndokënd në Kosovë?

Imzot Mark Sopi: Unë mendoj se nuk bën kërcënim për askënd, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj; ajo vetëm se mund të japë një kontribut dhe për vetë fqinjët tanë, si të veriut, gjithashtu edhe të jugut, ngado që të jenë, sepse nga plagët në trup edhe pse ato nuk janë në çdo pjesë të tij, vuan i gjithë trupi; ne jemi pjesë e atij kompleksi ballkanik dhe po u shërua kjo plagë, atëhere me siguri i gjithë Ballkani do të marrë frymë më lehtë.

Zëri i Amerikës: Imzot, Kosova shpehshherë identifikohet si një vend mysliman, ndërkohë që një pjesë e popullsisë së saj është e krishterë. Si do t’i cilësonit ju marrëdhëniet mes feve të ndryshme në Kosovë?

Imzot Mark Sopi: Është e vërtetë se përqindja më e madhe është e besimit islam, por kjo nuk na ka penguar as në histori, as në të kaluarën. Edhe më pak tashti, ngaqë shumë gjëra i kemi të përbashkëta, jemi një popull, një traditë, histori, një gjak, e të gjitha, por edhe synimet i kemi të njëjta. Për këtë arsye, ne i kemi marrëdhëniet shumë të mira me bashkësinë islame, por gjithashtu edhe me kishën orthodoske, e cila gjendet në Kosovë, megjithëse me të është pak më vështirë të komunikosh. Nuk është ndoshta Kisha si Kishë fajtore, por shpeshherë varet nga ne si njerëz. Dikush është më i pështatshëm, dikush më i papërshtatshëm dhe kjo ndoshta është pengesa më e madhe.

Zëri i Amerikës: U bënë 6 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe kjo luftë shpeshherë është cilësuar si një luftë ndëretnike dhe ndërfetare. Si do ta cilësonit ju këtë?

Imzot Mark Sopi: Shikoni, nuk ka qenë as luftë ndëretnike dhe as fetare, por ka qenë diçka më tepër, do të thoja, politike. Politike, sepse edhe populli i Kosovës, si çdo popull tjetër, dëshiron të ketë liri, si popujt e tjerë, të jetojë dhe të veprojë në liri. Ngaqë e ka dëshiruar këtë, ka arritur deri në konflikt. Për një luftë fetare kurrsesi nuk mund të flitet, pasi nuk ka patur diçka të tillë, për të cilën do të kishim aluduar se ka qenë luftë fetare.

Zëri i Amerikës: Trazirat e marsit u karakterizuan si trazira me dhunë sidomos edhe ndaj institucioneve fetare. Sa serioze kanë qenë këto dëmtime të insitucioneve fetare, apo nganjëherë ato edhe janë zmadhuar edhe për arsye të ndryshme?

Imzot Mark Sopi: Besoj se kjo është vetëm si pasojë e një problemi tjetër; e problemi kryesor, i cili nuk dëgjuar aq, është se ka qenë një pakënaqësi e mbarë popullatës së Kosovës, me procese të cilat kanë stagnuar(lexo: kanë mbetur në amulli), nuk kanë shkuar në përputhje me dëshirën e popullsisë në Kosovë; revolta e parë, siç e dini, ishte mbytja e fëmijëve në lumë, gjithashtu edhe bllokimi i rrugës Prishtinë-Shkup, por gjithashtu, do të thoja si një vërejtje ndaj UNMIK-ut, ndaj të cilit edhe varet, që t’i vazhdojnë proceset, t’i shpjetojnë ato, edhe të zgjidhet problemi i Kosovës, për të dhënë hapësirë, jetë mbarë popullit të Kosovës. Ne kemi dënuar çdo veprim dhune, gjithashtu edhe ato të objekteve fetare, por do të thoja se ato nuk kanë qenë qëllimi i dëmtimit, sepse kjo sjellje nuk është një veti e popullit shqiptar, as ka qenë kurrë ndonjëherë edhe në të kaluarën. Populli i ka ruajtur ato, edhe pse kanë qenë të besimit tjetër, por dikush i ka keqpërdorur ato, një grup, ose disa grupe të rinjsh që i kanë filluar ato dhe më pas masa ka dalë jashtë kontrollit. Pjesa dërrmuese e popullit të Kosovës nuk e ka dëshëruar dhe me keqardhje e ka dënuar këtë realitet.

Zëri i Amerikës: Cili ka qenë roli i tri besimeve fetare në Kosovë në procesin e plotësimti të standarteveperiudhën e vlerësimit të procesit politik, kam parasysh këtu vlerësimin e standarteve që do të hapnin rrugën për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës?

Imzot Mark Sopi: Hapësira jonë nuk ka qenë shumë e madhe, sepse nuk ka shumë kohë që jemi liruar prej komunizmit; feja ka mbetur anash, pa u marrë shumë në konsideratë dhe ngaqë nuk ka qenë shkak feja, pra besimi, për këtë arsye feja nuk ka mundur të bëjë shumë në këtë drejtim. Megjithatë, ne jemi përpjekur ta qetësojmë popullin, për ta ftuar atë që të ketë mirëkuptim me njëri tjetrin, për t’i ndihmuar njëri-tjetir në këtë drejtim, dhe për t’i lehtësuar vujatjet dhe pasojat që ka sjellë lufta si luftë. Ne kemi qenë përherë të pranishëm atje dhe gjatë bombardimeve, unë kam qenë atje me të gjithë meshtarët dhe shumë kisha kanë qenë vendstrehimi për një kohë të gjatë, duke i ndihmuar njerëzit, së paku për një kohë të shkurtër, duke u ndihmuar njerëzve që kanë qenë të detyruar të largohen nga trojet e tyre, me marrë rrugën për në Mal të Zi, Shqipëri, apo Maqedoni.

XS
SM
MD
LG