Lidhje

Smith: asgjë nuk e dëmton më shumë demokracinë sesa zgjedhjet e manipuluara


Një anëtar i Kongresit amerikan thotë se asgjë nuk e dëmton më shumë demokracinë sesa zgjedhje që janë të manipuluara. Republikani Christopher Smith, bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se me rezolutën për zgjedhjet në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara donin të dërgonin mesazhin se mënyra sesi zhvillohen zgjedhjet, ndikon në politikën e jashtme amerikane ndaj një vendi.

Zëri i Amerikës: Zoti Smith, Shtetet e Bashkuara thonë se nuk ka arsye që zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti në Shqipëri të mos i përmbushin standardet ndërkombëtare ashtu siç janë vendosur nga OSBE-ja. Sipas pikëpamjes suaj cilët do të mbahen përgjegjës nëse këto standarde nuk përmbushen?

Chris Smith: Sigurisht që qeveria ka përgjegjësinë kryesore që të garantojë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta. Partitë e opozitës kanë shumë pak në dorë, megjithëse mund ta vështirësojnë procesin zgjedhor. Unë shpresoj që zgjedhjet e 3 korrikut të jenë plotësisht të lira dhe të drejta. Vëzhguesit ndërkombëtarë do t’i ndjekin ato, gjë që do të ndihmonte që të garantohej një gjë e tillë. Gjithkush vepron me më shumë ndershmëri dhe integritet, kur e di që ka vëzhgues. Ka një sistem kontrolli. Kjo ndodh edhe në Shtetet e Bashkuara, pasi republikanët nuk i besojnë demokratët dhe anasjelltas. Është një mosbesim i shëndetshëm dhe besoj se do të ishte në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pavarësisht se cili është rezultati, që zgjedhjet të jenë vërtet të lira dhe të drejta. Ne kështu shpresojmë.

Zëri i Amerikës: Këtë radhë në Shqipëri në fakt do të ketë një numër shumë të madh vëshguesish. Pse ky interesim kaq i madh pikërisht për këto zgjedhje dhe a keni ndonjë shifër lidhur me vëzhguesit amerikanë që do t’i ndjekin ato?

Chris Smith: Nuk është përcaktuar ende sesa amerikanë do të marrin pjesë, por do të ketë anëtarë të stafit tonë përfshirë këshilltarin Bob Hand nga OSBE-ja, specialist për atë rajon si edhe shumë të tjerë nga Shtetet e Bashkuara. Mendoj se sa më i madh të jetë delegacioni, përsa kohë të mos e kalojë masën, aq më mirë do të jetë për popullin shqiptar që edhe ata ashtu si komuniteti ndërkombëtar, por ç’është më e rëndësishme, shqiptarët të sigurohen që gjithçka është nën kontroll dhe që asnjëra palë nuk ka vjedhur vota, sepse asgjë nuk e dëmton më shumë demokracinë sesa zgjedhjet e manipuluara, pasi njerëzit humbin besimin, dhe besueshmëria tek qeverisja vihet në dyshim. Është e rëndësishme për Shqipërinë veçanërisht në arenën ndërkombëtare, për marrëdhëniet si në rajon ashtu edhe me Evropën dhe me vetë Shtetet e Bashkuara, që vullneti i popullit të çohet në vend, përmes votës së tyre, që të gjithë të jenë të bindur që kushdo që të dalë fitues, të flasë me autoritetin e atij që është zgjedhur nga populli. Nëse zgjedhjet janë korrekte dhe transparente dhe vëzhguesit dhe njerëzit e tjerë që i ndjekin ato, i gjykojnë të tilla, unë mendoj se besimi rritet se vendimi merret vërtet në emër të votuesve.

Zëri i Amerikës: Rezoluta e fundit për Shqipërinë pak a shumë vinte në dukje dhe linte të kuptohej që nga ecuria e këtyre zgjedhjeve, varet edhe bashkëpunimi i mëtejshëm i Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe ky është një nga paralajmërimet më të forta që bëhet për Shqipërinë. Çfarë do të thotë kjo në të vërtetë?Çfarë pasojash do të kishte Shqipëria nëse këto zgjedhje nuk zhvillohen të lira dhe të drejta?

Chris Smith: Po, është një deklaratë shumë e fortë, me të cilën ne përpiqemi ta themi hapur dhe që para se të zhvillohen zgjedhjet, se ne duam të kemi të bëjmë me një qeveri, që është zgjedhur nga populli, që është një demokraci e vërtetë dhe se nëse ka vjedhje votash, një gjë e tillë sjell pasoja dhe implikime përsa i takon politikës sonë të jashtme ndaj vendeve të tjera. Mendoj se çdo vend duhet të aspirojë drejt demokracisë në mënyrë që populli të ketë në krye qeverinë që ka zgjedhur vetë dhe nëse kjo nuk ndodh, Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin disa veprime përsa i takon bashkëpunimit, në fushën ekonomike dhe në drejtime të tjera. Kështuqë nëse zgjedhjet e korrikut janë të lira dhe të drejta, kjo do të ishte shumë pozitive për popullin shqiptar.

Zëri i Amerikës: Klima politike në Shqipëri është aq e acaruar, saqë shpeshherë ajo e pengon që të njihen rezultatet e zgjedhjeve, pavarësisht se nën favor të kujt janë ato. Sa mendoni ju se ka ndikur kjo klimë e acaruar politike që disa herë ka marrë tone personale mes politikanëve kryesorë shqiptarë për acarimin e përgjithshëm të situatës dhe për shqetësimin e përgjithshëm që ekziston në komunitetin ndërkombëtar për zgjedhjet e këtij viti?

Chris Smith: Pa dyshim që është në interesin kombëtar që t’i lësh mënjanë mosmarrëveshjet kur është e mundur. Ne këtu në Shtetet e Bashkuara kemi mosmarrëveshje mes republikanëve dhe demokratëve, por këto lloj mosmarrëveshjesh nuk duhet të shkojnë deri në urrejtje dhe në tensione që kanë pasoja vërtet negative. Demokracia dhe forumet e saj, si për shembull një Parlament, ose Kongres është tribuna ku mund të të zhvillohen debatet, apo shkëmbehen argumentat, për të paraqitur me ligje, ose rezoluta për shembull që merren në shqyrtim, por pastaj duhet të pranosh rezultatin: shumica vendos. Gjithkush duhet ta kuptojë që nuk mund të fitosh gjithmonë. Jo gjithmonë projekt-ligjet që unë propozoj kthehen në ligje, megjithëse unë do të doja që të ishte ashtu. Ideja është që bën maksimumin dhe të gjitha përpjekjet, por pastaj nuk sulmon partinë kundërshtare. Në fakt të dyja palët, si shumica, ashtu edhe opozita duhet të jenë shumë të kënaqur që do të ketë vëzhgues ndërkombëtarë që do t’i ndjekin zgjedhjet dhe që do të japin një vlerësim ose që zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme, ose të vënë në dukje se cilat janë problemet. Ronald Reganit i pëlqente të thoshte: Beso e kontrollo! Është diçka e mirë që një vëzhgues i paanshëm t’i ndjekë zgjedhjet dhe të thotë nëse ato ishin të lira dhe të ndershme, ose jo.

XS
SM
MD
LG