Lidhje

Kreu i UNMIK-ut shpreson që seanca e OKB-së t’i hapë rrugën vlerësimit të standardeve


Shefi i UNMIK-ut, Soren-Jessen Petersen thotë se "një Kosovë e bashkuar, me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, drejt diskutimit për statusin përfundimtar- është sfida e tanishme për Kosovën". Zoti Petersen i bëri këto komente për Zërin e Amerikës pas një dëshmie që dha para Komisionit amerikan të Helsinkit në Uashington. Nesër zoti Petersen do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ku ai thotë se pret një deklaratë të qartë për të filluar vlerësimin këtë verë të standarteve që bashkësia ndërkombëtare i ka vënë Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Petersen, çfarë pritet të diskutohet në takimin e ditës së premte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?

Soren Jessen-Petersen: Unë pres një deklaratë të qartë nga ana e anëtarëve të Këshillit, që ata të bien dakord me rekomandimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për të filluar vlerësimin e standardeve këtë verë, që në fakt do të thotë muajin e ardhshëm, në qershor. Unë shpresoj që anëtarët e Këshillit të Sigurimit ta mirëpresin këtë rekomandim dhe të bien dakord me Sekretarin e Përgjithshëm për këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni se mbetet për t’u bërë në Kosovë gjatë periudhës deri në shqyrtimin e standardeve?

Soren Jessen-Petersen: Mendoj se është e rëndësishme të theksojmë se edhe pse vlerësimi i standarteve do të fillojë dhe unë sigurisht që shpresoj se kjo të ndodhë, zbatimi i standarteve duhet të vazhdojë edhe gjatë rishikimit të tyre; kjo të vazhdojë edhe më pas, në se fillojnë diskutimet për statusin dhe unë përsëri pres që këto diskutime të fillojnë; zbatimi i standarteve duhet të vazhdojë dhe ato nuk janë të nevojshme vetëm për fillimin e vlerësimit të standarteve, apo për fillimin e bisedimeve për statusin; zbatimi i standarteve do të duhet të vazhdojë, për të ndërtuar në Kosovë në afat të gjatë një shoqëri demokratike, shumëetnike dhe të qëndrueshme, ku çdo qytetar i Kosovës të ketë një të ardhme, duke përfshirë edhe pakicat. Vazhdimi i zbatimit të standarteve është diçka pozitive për vazhimin e bisedimeve për statusin dhe unë pres që UNMIK-u të vazhdojë me një përkushtim të fuqishëm dhe me veprime konkrete për përmbushjen e standarteve, sepse populli Kosovës do të jetojë në një shoqëri ku ekziston respekti për të gjithë.

Zëri i Amerikës: Cili do të ishte komenti juaj për çështjen e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, a jeni ju optimist për fillimin e tij?

Soren Jessen-Petersen: Mendoj që është mirë që dialogu ka filluar. Deri tani, grupet e punës kanë filluar diskutimin e çështjeve teknike. Po të kemi parasysh që për 12 muaj nuk ka patur fare dialog, mendoj se kjo është inkurajuese. Mendoj se duhet mirëpritur fakti që presidenti serb Tadiç ka thëtë se është i përgatitur të takohet me presidentin Rugova. Presidenti Rugova nga ana e tij, ka thënë se është i përgatitur të takohet me presidentin Tadiç. Mbetet tani vetëm që ata të bien dakord se kur do të zhvillohet takimi i parë! Është mirë që ata të takohen dhe të fillojnë të flasin me njeri tjetrin. Është kjo diçka e mirë, qoftë nga ana simbolike, apo edhe për ndërtimin e besimit. Është gjithashtu shumë mirë që kryeministri Koshtunica dhe kryeministri Kosumi kanë rënë dakord se duhet të takohen dhe të bisedojnë. Le të përqëndrohemi tani që t’i bëjmë bisedimet të fillojnë, le të mos ushqejmë idenë fikse se kur dhe ku ato do të zhvillohen. Pavarësisht nga statusi, Kosova dhe Serbia janë vende fqinje. Fqinjët duhet të jetojnë me njeri-tjetrin, fqinjët duhte të bashkë-ekzistojnë, ata duhet ta njohin njëri-tjetrin. Sa më shpejt që të fillojnë bisedimet, aq më mirë do të jetë. Prandaj tani të dyja palët duhet të përqendrohen tek takimi mes tyre.

Zëri i Amerikës: Cila mendoni se do jetë sfida për qeverinë e Kosovës dhe UNMIK-un për periudhën që mbetet deri kur të bëhet vlerësimi i standardeve?

Soren Jessen-Petersen: Sfida kryesore do të jetë zbatimi i standarteve, veçanërisht ai që ka të bëjë me pakicat, liria e lëvizjes, përparimi i mëtejshëm në kthimin e të zhvendosurve; por sfida kryesore për shqiptarët e Kosovës dhe për udhëheqësit e UNMIK-ut është të krijojnë kushtet, të sigurojnë që demokracia të funksionojë në mënyrë të tillë, që të gjitha partive politike t’u dëgjohet zëri, pas një diskutimi të mirë dhe konstruktiv, ato të bien dakord lidhur me synimet kryesore për të ardhmen e Kosovës, një Kosovë e bashkuar që të shkojë drejt diskutimeve për statusin e saj.

XS
SM
MD
LG