Lidhje

Ekspertët: Shqipëria mund të hyjë në kategorinë e shteteve të dështuara në se nuk forcohet shteti ligjor


Ligjvënës, ekspertë të politikës së jashtëme dhe personalitete të tjera thanë se zgjedhjet e 3 korrikut janë me rëndësi jetike për Shqipërinë.

Në një takim të organizuar të martën mbrëma në Nju Jork, ata shprehën shqetësimin se Shqipëria mund të hyjë në kategorinë e shteteve të dështuara në se nuk forcohet shteti ligjor dhe nuk bëhen përpjekje serioze kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Diskutimi u organizua nga Komisioni Kombëtar për Politikën e Jashtme amerikane, një organizatë jofitimprurëse e cila merret me zgjidhjen e konflikteve që kërcënojnë interesat amerikane.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës pas takimit, anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Eliot Engel, tha se gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit janë ngritur shumë pyetje rreth zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri, nëse ato kanë qënë të lira dhe të drejta apo nëse ka patur parregullsi të shumta. Ai shprehu mendimin se zgjedhjet e korrikut do të jenë një tregues për Shqipërinë: nëse ajo do të zhvillojë zgjedhje të drejta dhe të lira ajo do të ecë përpara së bashku me vendet e tjera demokratike, por nëse do të ketë përsëri probleme dhe parregullsi, atëhere ky do ishte një problem për Shqipërinë për sa i përket integrimit të saj të plotë në organizatat euro-atlantike. Të gjithë po vëzhgojnë me kujdes se si do të zhvillohen këto zgjedhje në Shqipëri, tha zoti Engel.

Ndërsa, nën-drejtori i Qendrës për Veprim Parandalues pranë Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtëme amerikane, David Filips, tha se Shqipëria nuk mund të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve të tjera të padrejta. Është jetike për zhvillimin demokratik të vendit që këto votime të zhvillohen pa probleme. Kjo, theksoi zoti Filips, do të përshpejtonte integrimin e Shqipërisë në strukturat euro-atlantike si dhe realizimin e objektivave të vendit. “Shqipëria, është një shtet i brishtë, i cili mund të hyjë në kategorinë e shteteve të dështuara në se nuk forcohet shteti ligjor dhe nuk bëhen përpjekje serioze kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Është e domosdoshme që cilado parti që i fiton zgjedhjet, të ndërmarrë angazhime institucionale për të forcuar shtetin ligjor dhe ngritur struktura që mund të luftojnë me efektshmëri këto probleme.” theksoi zoti Filips Është gjithashtu e nevojshme, tha ai, që atje të ngrihet një komision anti-korrupsion dhe të miratohen ligje kundër pastrimit të parave për të krijuar një mjedis ligjor që nuk lejon shfaqjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Por, këto masa nuk do të sjellin rezultate nëse qeveria nuk është plotësisht e angazhuar. “Hapi i parë që duhet të bëjë qeveria e re, theksoi zoti Filips, është të arrestojë figurat e larta të korruptuara dhe të publikojë listat e kriminelëve të njohur. Edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të publikojë një listë të zyrtarëve shqiptarë që dihet se janë të ndërlikuar në korrupsion dhe veprimtari kriminale.” Problemi me sistemin juridik të Shqipërisë, tha zoti Filips, është prania e gjykatësve të paaftë e të korruptuar, nga njëra anë dhe mungesa e fondeve nga ana tjetër.

Është shumë e rëndësishme që gjyqtarët e paaftë dhe të korruptuar të shkarkohen nga detyra, por në mënyrë që qeveria të funksionojë, nevojiten struktura më të mira dhe paga më të larta me qëllim që të pakësohen stimujt për praktikat e korruptuara. Komuniteti ndërkombëtar mund të luajë rol të dobishëm në punën me qeverinë shqiptare për realizimin e këtyre objektivave.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Elliot Engel tha se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një të ardhme të mirë së bashku. Kudo që shkoj, theksoi ai, them se nuk ka asnjë popull tjetër në botë që është aq dashamirës ndaj amerikanëve sa ç’janë shqiptarët.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të natyrshme edhe komuniteti shqiptaro-amerikan po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm gjë që është shumë e rëndësishme për forcimin e miqësisë mes dy vendeve. Ligjvënësi amerikan tha se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për të siguruar forcimin e demokracisë në Shqipëri. Për amerikanët, tha Engel, nuk është e rëndësishme se kush fiton në zgjedhjet e 3 korrikut, kjo i përket popullit shqiptar, e rëndësishme për Amerikën është që Shqipëria t’u bashkohet vendeve demokratike të botës dhe të ketë instuticione të lira e të drejta në mënyrë që të dihet se kur në Shqipëri zhvillohen zgjedhje ato pasqyrojnë vullnetin e popullit.

Ligjvënësi Engel theksoi se Shtetet e Bashkuara po japin një ndihmë të madhe, por ato mund të bëjnë edhe më shumë. Lidhur me shqetësimet amerikane rreth terrorizmit, zoti Engel, tha se terroristët përpiqen të futen në shtetet që kanë kufij të dobët. Në vendet ku ka krime dhe korrupsion, terroristët gjejnë terren të përshtatshëm. Prandaj duhen bërë përpjekje për të garantuar se terroristët nuk do të arrijnë të futen në Shqipëri. Që kjo të realizohet, Shqipëria duhet të jetë demokratike, të ketë një ekonomi në rritje dhe të joshë investitorët e huaj. Aty ky gjërat dështojnë, krijohet mjedis i përshtatshëm për terroristët dhe trafikantët e drogës, tha Engel.

I pyetur nga Zëri i Amerikës rreth marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, zoti Engel tha se Shtetet e Bashkuara u janë mirënjohëse të gjitha vendeve që bashkëpunojnë me to në Irak dhe Afganistan, dhe Shqipëria është një prej tyre. Por kjo nuk ka lidhje me zgjedhjet në Shqipëri apo me korrupsionin e probleme të tjera, çdo çështje duhet trajtuar në veçanti. Është më mirë për popullin shqiptar nëse qeveria ndërmerr hapa për të zhdukur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne, theksoi ligjvënës Engel, duhet ta ndihmojmë Shqiprinë, por ndihma e vërtetë nuk është të kthejmë shpinën dhe të bëjmë sikur nuk shohim kur ndodhin gjëra të këqia. Nuk është fshehja e problemeve, por është bashkëpunimi me miqtë e Amerikës në Shqipëri ajo që siguron fitoren kundër korrupsionit dhe krimit. Zhdukja e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, tha ligjvënësi Engel, nuk është vetëm në interesin e Amerikës dhe vendeve të tjera të botës, por së pari në interesin e popullit shqiptar. Anëtari i Kongresit tha se mendon që Shqipria ka bërë përparim të kënaqshëm por ende ka mbetur shumë për të bërë. Sipas tij, zgjedhjet e 3 korrikut do të tregojnë se në çfarë drejtimi kërkon të ecë populli shqiptar. Zoti Engel tha se ka në plan të shkojë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet e 3 korrikut, të inkurajojë popullin shqiptar dhe tu tregojë atij se Amerika është një mik i afërt, se ne po i vëzhgon këto zgjedhje nga afër dhe se kërkon të ndihmojë në çdo drejtim që të ketë mundësi. Sepse lufta për demokraci në Shqipëri, tha Engel, është një luftë për demokraci në mbarë botën dhe Shtetet e Bashkuara kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë betejë. Përgjegjësia për të ardhmen e Shqipërisë, theksoi David Filips i Komisionit Kombëtar për Politikën e Jashtëme amerikane, rëndon mbi shpatullat e vetë shqiptarëve, por edhe Shtetet e Bashkuara mund të luajnë rol të rëndësishëm.

Shqipëria është një partner i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe një aleat i vlefshëm në fushën e sigurisë. “E ardhmja e Shqipërisë, tha ai, është me Evropën, por nëse Shtetet e Bashkuara nuk luajnë rolin e tyre udhëheqës, shanset për zhvillimin demokratik të Shqipërisë do të paksohen.” Biznesmeni i njohur shqiptaro-amerikan, Harri Bajraktari, i tha Zërit të Amerikës se Komisioni Kombëtar për Politikën e Jashtëme Amerikane po përpiqet t’u dërgojë një mesazh qeverisë, Kongresit dhe instuticioneve të tjera amerikane rreth gabimeve që janë bërë në Shqipëri dhe se çfarë duhet bërë në të ardhmen. Zgjedhjet e tre korrikut, tha zoti Bajraktari janë shumë domethënëse për Shqipërinë. Ai tha se Shqipëria duhet të bëhet vend model për rajonin. “Që Shqipëria të ecë përpara, atje duhen bërë disa ndryshime në drejtimin e vendit dhe në luftën kundër korrupsionit, për respektimin e vullnetit të popullit dhe të drejtat e njeriut. Shqipëria ka nevojë për begati ekonomike.

Firmat e huaja nuk do të investojnë nëse gjendja nuk është e qendrueshme, nëse bizneset nuk janë të garantuara.” Shqiptarët e Amerikës, tha zoti Bajrakatari, po bëjnë ç’është e mundur për të ndihmuar procesin elektoral të Shqipërisë duke qenë vigjilentë, duke u kërkuar përfaqësuesve të institucioneve amerikane të ndihmojnë proceset demokratike në Shqipëri. Shqiptarët e Amerikës, tha ai, komunikojnë me familjet apo miqtë e tyre në Shqipëri dhe u kërkojnë që të bëjnë ç’është e mundur për të siguruar zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Shqipëria, tha zoti Bajraktari, do të bëhet e begatshme vetëm nëse respektohet vullneti i popullit.

XS
SM
MD
LG