Forcat amerikane në Irak njoftojnë se kapën udhëheqësin e degës së Mosulit të al-Kaidës në Irak. Në një deklaratë thuhej se ai ishte Muhamed Khalaf Shakar, i njohur si Abu Tahla.
Gjenerali amerikan Donald Alston e quajti arrestimin një goditje të rëndë për kryengritësit në Irak dhe tha se aleati i Bin Ladenit, u dorëzua pa paraqitur rezistencë. Ndërkohë një shpërthim vetëvrasës ndaj një autokolone me policë irakianë sot në Bagdat shkaktoi të paktën 6 të vrarë dhe mbi 20 të plagosur.
Autoritetet thonë se shpërthimi ndodhi në rrugën famëkeqe që të çon në aeroportin e Bagdatit. Po sot, një gjykatës irakian dhe shoferi i tij u vranë ndërsa po shkonin në punë në qyteitn e Mosulit.
Ndërsa në Kirkuk, të paktën 6 irakianë u plagosën kur një person, në një sulm vetëvrasës, shpërtheu makinën pranë një autokolone me ushtarë irakianë. Ushtria amerikane njofton ndërkohë se 5 marinsa amerikanë u vranë dje kur mjeti i tyre ndeshi në një bombë në afërsi të Ramadit.
Një grup ligjvënësish amerikanë nga të dy partitë po i bëjnë thirrje Presidentit Bush të caktojë një afat për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku. Përfaqësuesit republikanë dhe demokratë po paraqesin sot një rezolutë në të cilën i bëjnë thirrje administratës së Presidentit Bush të fillojë të sjellë trupat në vend duke filluar më 1 tetor 2006. Kjo është hera e parë që të dyja partitë politike kanë kërkuar një strategji daljeje nga Iraku.
Në një konferencë shtypi sot, autorët e rezolutës thonë se trupat janë mbërthyer në atë vend nga kryengritja në Irak. Ata shtojnë se populli amerikan meriton të dijë se kur forcat amerikane do të kthehen në vend. Administrata e Presidentit Bush nuk ka caktuar ndonjë afat për tërheqjen e trupave nga Iraku, duke thënë se ata do të qendrojnë atje deri sa ta përfundojnë plotësisht misionin. Thirrja për një strategji daljeje bëhet ndërkohë që anketat e opinionit tregojnë se rreth 60 përqind e amerikanëve mendojnë se trupat duhet të fillojnë të kthehen.