Lidhje

Ekspertët e terrorizmit thonë se gjendja në Irak ka larguar vemendjen e ekstremistëve islamikë nga Perëndimi


Ekspertët e terrorizmit ndërkombëtar thonë se rrjetet terroriste po përqendrohen në luftën e tyre në Irak, duke pakësuar përkohësisht rreziqet që kanë përballë vendet perëndimore, të cilat kanë qënë objektiv sulmesh në të kaluarën. Por ministri italian i Punëve të Brendëshme, Giuseppe Pisanu, tha kohët e fundit në një takim me gazetarët e huaj në Klubin e Shtypit në Romë, se kjo gjendje do të ndryshojë pas zgjidhjes së situatës në Irak.

“Mendoj se ne duhet të shqetësohemi nga një kthim i mundëshëm i terroristëve, që kanë shkuar në Irak. Sapo të qetësohet gjendja në Irak, ata do të përpiqen të kthehen në Evropë, ashtu siç ndodhi me Bosnjen në fund të luftrave në Ballkan”.

Zoti Pisanu shtoi se rrejti i Abu Musab Al-Zarqawi-it, udhëheqësi i kryengritësve të al-Qaidës në Irak, është më i interesuar të luftojë Perëndimin në atë vend se sa në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Koloneli amerikan në pension, eksperti i terrorizmit ndërkombëtar, Vittorfranco Pisano, është dakord me ministrin e Brendëshëm italian. Ai thotë se ndërhyrja amerikane dhe e aleatëve në Irak i ka përqendruar përpjekjet e rezistencës kundër Shteteve të Bashkuara në veçanti dhe perëndimorëve në përgjithësi.

“Fokusi është tani gjetkë. Fokusi është në Irak. Kjo ka shkaktuar përçarje për sa i përket objektivave të ekstremistëve islamikë”.

Vendet perëndimore shtuan ndjeshëm masat e sigurimit pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Ministri i Brendshëm italian Pisani, thotë se ato masa janë ende në fuqi në Italy dhe po bëhen përgatitje në rast se kthehen terroristët që tani veprojnë në Irak.

“Masat parandaluese janë forcuar ndjeshëm në gjithë Evropën. Në Itali, 13 mijë objektiva të rëndësishme janë nën survejim dhe kjo qartazi i shkurajon terroristët e mundshëm”.

Në Itali, dhjetra të dyshuar për terrorizëm janë arrestuar që nga sulmet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. 75 vetë të dyshuar për veprimtari ilegale të lidhur me terrorizmin janë arrestuar gjatë vitit të kaluar. Por shumica ose janë nxjerrë nga burgu, ose janë liruar nga akuzat gjatë gjyqit, ose janë dënuar për krime të lehta, si për shembull fallsifikimi i dokumenteve. Një ekspert vuri në dukje se 500 vetë u arrestuan për terrorizëm në vendet e Bashkimit Evropian, nga të cilët vetëm rreth 20 janë dënuar.

Ministri i Brendshëm Pisanu vë në dukje se gjykatat ndeshin në probleme sepse sistemet ligjore në shtetet demokratike nuk janë organizuar për të trajtuar problemet e terrorizmit modern.

“Kultura jonë juridike, sistemi jonë demokratik nuk i janë përshtatur ende karakteristikave të këtij kërcënimi, prandaj dhe e kanë të vështirë të përgjigjen me eficiencën e nevojshme”.

Sistemi ligjor i Italisë doli me termin e akuzës “asocim subversiv”, që i referohet terrorizmit ndërkombëtar, pak pas sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara. Por gjykatat ende nuk kanë gjykuar njeri për një krim të tillë. Ekspertët si Kolonel Pisano thonë se çështja nuk është e thjeshtë, sepse nuk ka ndonjë marrëveshje lidhur me përkufizimin e terrorizmit.

“Nuk ka përkufizim as në nivelin universal, as në nivelin global dhe as në nivelin rajonal, që të pasqyrojë natyrën reale të terrorizmit. Në esencë, terrorizmi është një formë konflikti jo konvencional i karakterizuar nga tri elemente. Së pari, dhuna kriminale; së dyti, motivacioni politik apo politik-fetar; dhe së treti, ai mbështetet në strukturat dhe dinamikën klandestine”.

Ekspertët e terrorizmit thonë se Italia është përdorur kryesisht si bazë logjistike, ku grupe kriminale në veri të vendit veprojnë aktivisht për të prodhuar dokumente falso.

Policia ka kapur biseda që kanë të bëjnë me plane terroriste mes anëtarëve të celulave islamike me bazë në Itali dhe gjetkë. Por Kolonel Pisano thotë se Italia nuk ka qënë objektiv kryesor i terrorit sepse është konsideruar më tepër si bazë e operacioneve të celulave terroriste.

“Italia është një urë e shkëlqyer që lidh Ballkanin, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut me Evropën dhe vetë botën perëndimore. Ka qënë çështje interesi për ta shfrytëzuar Italinë nga kjo pikpamje, në vend që ajo të shfrytëzohet si bazë për sulme terroriste”.

Të dhënat italiane të zbulimit, që u publikuan vitin e kaluar, vënë në dukje se vendi është shfrytëzuar si bazë nga janë ndërmarrë sulmet vetëvrasëse, të lidhura me rrjetin terrorist al-Qaida të Osama bin Ladenit, që lufton kundër forcave aleate në Irak.

XS
SM
MD
LG