Lidhje

Komandanti i forcave të koalicionit thotë se të huajt dhe paratë nxisin kryengritjen në Irak


Komandanti i forcave të koalicionit në Irak thotë se kryengritësit ushqehen kryesisht nga luftëtarët dhe paratë e huaja se sa nga ideologjia. Gjenerali John Vines i bëri komentet për gazetarët në Pentagon përmes një lidhjeje satelitore.

Gjeneral-Lejtnanti John Vines thotë se grupi më i dhunshëm në konfliktin e tanishëm të Irakut përbëhet nga xhihadistë të huaj që nuk ngurrojnë të përdorin mjetet e tyre financiare për t’i bindur irakianët të sulmojnë irakianë të tjerë.

“Ne besojmë se kjo kryengritje nxitet kryesisht nga paraja. Me 100 dollarë mund të blesh një bombë të ndërtuar me mjete rrethanore”.

Këto janë pikërisht ato lloj bombash që mund të vendosen në anë të rrugës, në një treg ose në një makinë.

“Ajo që ne vemë re është se sulmet kundër trupave të koalicionit lidhen me shuma të caktuara parash. Në disa raste, me 150 dollarë mund të arrish të bindësh dikë të vendosë një bombë të improvizuar, ose të vendosë një ose dy mina apo një predhë artilerie në një gropë për t’i shpërthyer me telekomandë”.

Gjeneral Vines thotë se këto informacione i ka nga njerëz që janë kapur në Irak.

“Kur ne ndalojmë persona të implikuar në gjëra të tilla, disa herë ata na tregojnë vetë se sa i kanë paguar dhe se përse e kanë vendosur bombën. Dhe në shumë raste ne gjejmë se ata nuk kanë qenë shtyrë nga ideologjia. Ata që përpiqen të vinë përsëri në fuqi në Irak, përdorin njerëz të paguar për të sulmuar forcat irakiane të sigurisë si dhe forcat të koalicionit”.

Gjeneral Vines, i cili komandon të gjitha forcat e koalicionit në Irak, thotë se luftëtarët e huaj janë një grup i vogël por vdekjeprurës që ndihmohen nga elementë në Siri, të cilët lehtësojnë hyrjen në Irak të rreth 75 deri 150 guerriljeve çdo muaj. Ai tha se nuk ka prova që vetë qeveria siriane e mbështet kryengritjen por ai i kërkoi Damaskut të bëjë më shumë për të mos lejuar që territori i tij të përdoret për këtë qëllim. Sipas gjeneralit, vendet kryesore nga vijnë luftëtarët e huaj janë Sudani, Jemeni, Arabia Saudite dhe Egjipti.

Gjenerali tha se nuk do të rekomandonte asnjë shkurtim në nivelin e tanishëm të trupave amerikane në Irak, që kapin rreth 135 mijë vetë, por shfaqi shpresën se vitin tjetër mund të fillojë një farë shkurtimi i tyre.

Ai tha gjithashtu se i dukej i habitshëm fakti që shumica e irakianëve nuk e kuptojnë se luftëtarët e huaj hyjnë në Irak për të vrarë njerëz të pafajshëm, në përpjekje për të marrë pushtetin

XS
SM
MD
LG