Kryeministri i Irakut, Ibrahim al-Jaafari thotë se dy vjet do të jenë më se të mjaftueshëm për të stabilizuar sigurinë e vendit.
Zoti al-Jaafari e bëri këtë deklaratë sot në Londër pas bisedimeve me Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair. Ai tha se kjo periudhë është e mjaftuehsme për formimin dhe stërvitjen e forcave irakiane të sigurimit dhe vendosjen nën kontroll të kufijve të vendit.
Komentet e udhëheqësit të Irakut bëhen një ditë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se beson se kryengritja kundër qeverisë irakiane të pas-luftës mund të vazhdojë për vite me radhë.
Ndërkaq, policia irakiane tha se nga shpërthimi i një bombe në afërsi të një xhamie të arabëve suni në kryeqytetin e Irakut u vranë 4 vetë dhe u plagosën më shumë se 15 të tjerë. Disa orë më parë, një helikopter i policisë irakiane u rëzua në veriperëndim të Bagdadit, duke vrarë dy ushtarë që ndodheshin në bord. Shkaku i rrëzimit nuk është bërë ende i ditur.